fbpx
Politike

Ruçi u dërgon kryeparlamentarëve të BE-së planin për përmbushjen e përparësive të Këshillit të BE-së

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka nisur një aksion të ri diplomatik parlamentar. Dje u ka dërguar të gjithë Kryetarëve të Parlamenteve dhe të Senateve të vendeve anëtare të BE-së një letër ku i falenderon për mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian dhe i informon për hapat e mëtejshme të Kuvendit. “Vendimi i marrë nga Këshilli i Bashkimit Europian në datën 25 mars 2020 për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, i bazuar në progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara nga Këshilli, është një inspirim e detyrim për të vijuar me përkushtim në përmbushjen e detyrimeve tona ndaj procesit të integrimit”, shprehet Ruçi.

Ai shton se, “mbështetja e parlamenteve të vendeve anëtare ka qenë një inkurajim i madh për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, të cilën populli shqiptar nuk do ta harrojë kurrë. Këtë mbështetje e kam konstatuar gjatë të gjitha takimeve dypalëshe gjatë vitit 2019”. “Kuvendi i Shqipërisë po jep një kontribut kyç në rrugëtimin europian të vendit tonë, duke garantuar legjitimitetin demokratik dhe kontrollin ligjor e politik të procesit dhe përputhshmërinë e ligjeve me standardet e BE-së, duke garantuar një cilësi më të mirë të legjislacionit kombëtar”, thekson Ruçi.

“Kuvendi i Shqipërisë është gjithashtu i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues”, vijon Ruçi në letrën e tij drejtuar Kryetarëve të Parlamenteve dhe të Senateve të vendeve anëtare të BE-së.

“Bashkangjitur letrës, po ju dërgoj një kopje të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian”, si edhe “Planin e masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian”, miratuar së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë”, shprehet Ruçi. “Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e parlamenteve dhe senateve të vendeve anëtare që negociatat të çelen sa më shpejt dhe të fillojë sa më parë diskutimi i kapitujve të tyre”, përfundon letrën e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button