Categories Politike

Sot zgjidhet Këshilli i ri Kombëtar i PD

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, zgjodhi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së për t’i dhënë një mesazh të qartë kundërshtarit të tij politik, por edhe kritikëve brenda partisë, për vizionin që ai ka për të sjellë në pushtet të djathtën në Shqipëri.

Basha deklaroi se qëllimi primar i forcës politike që ai drejton është të rikthejë shpresën e besimin te shqiptarët dhe për këtë, sipas kreut të PD-së, duhet që politika të kalojë në duart e një elite të re. Kreu i opozitës akuzoi Kryeministrin Rama për përçarjen që ka futur mes shqiptarëve dhe vrasjen që i ka bërë forcës së reagimit për çdo padrejtësi që ndodh në vend. Basha pranoi kërkesën e vazhdueshme të demokratëve për protesta, duke theksuar se të shumtë janë edhe ata që kërkojnë largimin me dhunë të Kryeministrit Rama. Por kreu i PD premtoi se ndryshe nga kundërshtari i tij politik, nuk ka ndërmend që të vijë në pushtet me dhunë dhe duke kaluar mbi kufoma. Mënyra e vetme, përmes së cilës PD do të vijë në pushtet, sipas Bashës, do të jetë vetëm përmes zgjedhjeve. Kritikëve të tij brenda partisë, Basha iu bëri thirrje të bashkohen dhe të mos synojnë vetëm poste politike, por të kontribuojnë në opozitë në këto kushte që po kalon vendi. Kuvendi Kombëtar i PD-së nisi punimet e tij në orën 11:00 ku më shumë se 4500 delegatë me të drejtë vote u mblodhën për të votuar për anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar. Në fletën e votimit për në Këshillin Kombëtar ishin 352 kandidatë, disa prej të cilëve vendosën të tërhiqen brenda garës. Në orën 17:30, procesi i votimit u përmbyll, ndërkohë që paraditen e sotme pritet që grupet e numërimit të zbardhin emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar.

Fjala e Bashës

Sot, nga kjo tribunë, nga ky takim demokratësh, në këtë përvjetor të atij dhjetori magjik dhe triumfues të historisë sonë, ju ftoj në një mision të madh kombëtar për të shpëtuar Shqipërinë me të vetmen kurë që ka shpëtuar dhe çuar përpara kombet e përparuara mbi dhé: liri, demokraci dhe europianizëm. Edi Rama, me ndihmën e klikës së tij të kalbur, më së shumti pjellë e nomenklaturës komuniste të fundit të viteve 1980, i ka shtyrë shqiptarët drejt cinizmit të thellë individual dhe shoqëror, duke i bërë ata të mos besojnë se në këtë vend ka njerëz që përpiqen për mirë, duke i bindur se në këtë vend të gjithë janë njësoj, se nderi nuk ekziston, se interesi i përbashkët dhe e mira publike ka vdekur përgjithmonë, se të gjithë bëjnë pazare, të gjithë shiten dhe blihen. Sot, ne kemi nevojë për një politikë perëndimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta, jo për parulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk është e lehte, por as e pamundur. Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj, detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re.

SHPRESA

Nga kjo dhomë e errët ku gjendemi, mund të dalim vetëm duke parë dritën, dritën e shpresës, dritën e besimit te vetja dhe njëri-tjetri. Kjo është sfida jonë e parë dhe më e madhja: të rikthejmë besimin. Hapi i parë drejt këtij qëllimi, detyra e parë për ne demokratët është që partia jonë, Partia Demokratike, të jetë një parti e vërtetë demokratike, europiane. Partitë autokratike sjellin qeverisje autokratike. Vetëm partitë demokratike mund të qeverisin në mënyrë demokratike. Ndaj, e vetmja garanci që qeverisja e nesërme e Partisë Demokratike të jetë demokratike, është që vetë PD të jetë sot demokratike. Partia jonë është e para parti në Shqipëri, në të cilën të gjithë drejtuesit organizativë janë të zgjedhur në mënyrë të ndershme dhe të lirë me votën e anëtarëve. Sot, Partia Demokratike është e vetmja parti në vend që mban zgjedhje të vërteta. Por një gjë është e rëndësishme: në Partinë Demokratike bëhen zgjedhje të vërteta. Në Partinë Demokratike, anëtarët kanë pushtet të vërtetë. Në muajt e ardhshëm, Partia Demokratike do të vendosë një tjetër standard të ri për politikën shqiptare: Ne do të prezantojmë zgjedhjet primare brenda partisë. Demokratët do të votojnë për zgjedhjen e kandidatëve për postet publike, përfshi deputetët dhe kryetarët e bashkive. Partia Demokratike do të jetë partia e parë në Shqipëri që rrëzon modelin e kryetarokracisë, që zbon servilizmin dhe bindjen e verbër ndaj kryetarit si e vetmja rrugë karriere në parti. Në Partinë Demokratike, ne e konsiderojmë politikën një mision publik, në shërbim të njerëzve dhe vendit. Ndaj, ne do të garantojmë që kandidatët e Partisë Demokratike për poste publike të kenë integritetin dhe aftësinë për t’u shërbyer njerëzve dhe vendit. Partia Demokratike nuk ka qenë asnjëherë më shumë nën sulm sesa sot. Partia Demokratike, drejtuesit e saj, deputetët e saj dhe vetë demokratët e thjeshtë janë nën shënjestrën e sulmeve të makinerisë së propagandës qeveritare nga të gjitha anët. Shkurajimi i demokratëve, përçarja e tyre është një objektiv i përditshëm i propagandës së Ramës. Edi Rama dhe grupi i plaçkitësve të tij kanë nevojë që PD të jetë e përçarë, që PD të mos jetë e besueshme. Në këtë operacion janë përfshirë një ushtri e mercenarëve të përçarjes dhe përçmimit të shqiptarëve.

KRITIKËT

Hapja dhe konkurrenca e lirë në PD janë parime të shenjta që ne i kemi vënë në themel të partisë sonë. Kjo hapje do të thotë që kushdo që dëshiron të jetë pjesë e PD-së dhe kushdo që do të kontribuojë, ka vendin e vet brenda PD-së. Por kontribut nuk do të thotë të kesh post dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet. Kontribut do të thotë të punosh dhe mbështetësh misionin dhe veprimtarinë e PD-së. Në qeverisje dhe në opozitë, kur je anëtar i thjeshtë apo drejtues i lartë, të gjithë demokratët e ndershëm që kanë shërbyer në qeveritë demokrate, mund të kontribuojnë shumë sot në opozitë, duke ofruar dijet dhe përvojën e tyre, duke shpjeguar dukuritë që kalon vendi dhe duke ofruar mendime për zgjidhjen e tyre. Ata mund të ndihmojnë PD duke u kthyer në misionarë, në ambasadorë të PD-së, duke propaganduar idetë dhe vlerat e PD-së. Të gjithë ata që sot duan të kontribuojnë në PD, nuk kanë nevojë të jenë dakord me çdo gjë që bën PD dhe janë të mirëpritur njësoj që të jenë pjesë e saj. Për të gjithë ata, unë kam vetëm një ftesë: ejani, bëhuni pjesë nga afër, të gjitha dyert dhe të gjitha mendjet janë të hapura për ju.

PROTESTAT Ne kemi protestuar. Ne kemi organizuar me qindra protesta, nga mitingjet e mëdha deri te protestat në Kuvend. Unë e di se ka prej jush që kërkojnë që PD të organizojë protesta për rrëzimin e qeverisë, qoftë edhe me dhunë. Ka edhe në media, edhe në publik, zëra të fuqishëm që e propagandojnë këtë ide. PD mbështet dhe nxit çdolloj proteste për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse. Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër, përveçse me zgjedhje. Demokratët nuk e duan pushtetin, duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Ne nuk jemi burravecë që t’i përdorin shqiptarët e ndershëm e të pafajshëm si mish për top për të ardhur në pushtet. Unë jam i bindur se për të rrëzuar Edi Ramën, nuk ka nevojë për dhunë. Edi Rama nuk rrëzohet nga pushteti duke e goditur një herë me top. Edi Rama rrëzohet duke i rezistuar atij përditë. Unë jam i bindur se me një alternativë të qartë, shqiptarët do të gjejnë kurajën të luftojnë për lirinë, dinjitetin dhe mirëqenien e tyre. Mos prisni nga unë që të bëj thirrje të bashkohen të gjithë qelbësirat për të hedhur poshtë Edi Ramën. Largimi i Edi Ramës nuk duhet të jetë akt qelbësirash, kriminelësh, të korruptuarish, interesaxhinjsh, shushunjash të çdo pushteti. Shqiptarëve, unë u bëj thirrje të bëhemi bashkë! Përparimi i Shqipërisë nuk duhet dhe nuk mund të bëhet përmes aleancës së qelbësirave. Përparimi i Shqipërisë mund dhe duhet të bëhet vetëm përmes aleancës së qytetarë të lirë. Edi Rama e ka shtyrë Shqipërinë në buzë të greminës. Pas Enver Hoxhës, ai është njeriu më i dëmshëm që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Largimi i tij nga pushteti është i domosdoshëm për të ndalur fundosjen e Shqipërisë. Largimi i tij nga pushteti është hapi i parë drejt ndryshimit të drejtimit të vendit. Ne i kemi kapacitetet, ne i kemi mundësitë. Ne kemi vlerat, projektin dhe vendosmërinë. Ndaj, le te nisim sot nga ky Kuvend, për çdo shqiptar, lajmin që orët e errësirës po numërohen mbrapsht, sepse drita e shpresës që rinia ka ndezur, drita e shpresës për një ndryshim të vërtetë për çdo shqiptar, nuk do të fiket, por do të shndrisë çdo ditë e më fort derisa ta mposhtë errësirën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Politike

Berisha: Beleri në burg për interesat mafioze të Olsi Ramës dhe Edi Ramës në brigjet e Himarës

Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi sot se vendimi për të mbajtur në burg Belerin…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Kërkesa e Zelenskyt për prodhim municionesh për Ukrainën, Rama: Të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë thënë…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Pse ishte Alex Soros në samit? Rama nuk ia kursen gazetares: Harroi të të pyeste ty

Është zhvilluar ditën e stome në Tiranë Samiti BE- Ballkani Perëndimor. Teksa është ezauruar e…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Shtyhet seanca për Belerin, avokati: Proces i montuar për të mbajtur Himarën

Shtyhet për në 5 mars seanca për Alfred Belerin, kryebashkiakun e pabetuar të Himarës. Në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme Politike

Rama: Nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë dhe Ukrainën të humbasë luftën!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në fjalën hapëse të samitit për Ukrainën në Tiranë se…

LEXO ME SHUME