
Deputeti i Partisë Demokratike Tomorr Alizoti, i pranishëm në mbledhjen e deputetëve të opozitës të iniciuar nga Gazmend Bardhi, deklaroi se prania e Lulzim Bashës në Parlament ishte për tu ardhur keq.
Sipas Alizotit pretendimi i Bashës për kryetar grupi, ndërkohë që 90% e parlamentit nuk e njeh është një marrëzi. Alizoti shprehet se bashkëpunimi i Ramës me Bashën është pa sens sepse, sipas tij, nuk e vendos pushteti drejtuesin e grupit.
“Ardhja e zotit Basha në parlament dhe deklarimi i tij për të qënë kryetar grupi, mua personalisht më ka ardhur keq sepse ne kemi punuar, që është katandisur në këtë lloj mënyre sepse ligji apo rregulli është burimi i arsyes njerëzore. Të vish në parlament ku 80-90% e parlamentit nuk të njeh dhe të thuash ‘jam unë drejtuesi juaj’ kjo nuk është e paarsyeshme, por është marrëzi. Pjesa e ekipit që ai pretendon del haptazi që është me Ramën por nuk mund ta përcaktojë pushteti kryetarin e grupit.
Njerëzit e vegjël janë shumë skematikë e hileqarë. Kuptohet që kjo mbledhje jep një frymë në opozitarizëm, bën parlamentin funksional dhe duke pasur këtë kulm të madh korrupsioni, skandal të përmasave të mëdha që nuk ka ndodhur ndonjëherë në këtë vend, e vështirësojnë, e rrezikojnë, e sfidojnë do tentojë të prodhojë një konflikt artificial brenda vetes me një njerin që do të jetë kryetari grupit por nuk ka sens.”- tha Alizoti në Syri Tv.