fbpx
Politike

Video editorial: Presidenti të zgjidhet nga populli

Nga Mili Xhani-

Partitë kryesore politike janë në orët e fundit të diskutimeve për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në historinë e zgjedhjeve, kodi Zgjedhor është ndryshuar më shumë se çdo ligj tjetër në vend. Janë provuar sisteme të ndryshme elektorale, modele spanjolle, rajonale dhe deri në eksperimente zgjedhore të padëgjuara më parë. Ndryshimet që do të bëhen së fundi nga partitë ngjajnë si arnime në ligj që asnjëherë nuk ka sjellë zhvillime pozitive duke e lënë gjithmonë vendimmarrjen në dorë të kryetarëve dhe jo të qytetarëve. Përsa kohë reformat do të merren vetëm me detaje dhe jo me thelbin, situata nuk do të ndryshojë dhe krizat politike vetëm sa do të përsëriten.

Veç garancive për mos vjedhjen e votës, çdo reformë nuk duhet t’i shmanget më përgjegjësisë për lista të hapura dhe ndryshimin e sistemit elektoral si dhe vendosjen e standardit të zgjedhjes së Presidentit nga populli. Zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhja e presidentit, në thelb janë dy gjëra të ndryshme, por hapja e listave dhe votimi i kreut të shtetit direkt nga populli janë të dyja vendime që u japin pushtetin real qytetarëve. Në shumicën e vendeve perëndimore kreun e shtetit e zgjedhin qytetarët.

Kjo nuk do të thotë se Shqipëria do të bëhet republikë presidenciale. Parlamenti do të ketë të njëjtin funksion politik, por zgjedhja e kreut të shtetit nga qytetarët i jep i shtetit një tjetër hallkë efikase në kontrollin e pushteteve dhe garantimin e demokracisë. Aktualisht, Presidenti i Republikës zgjidhet në raundin e fundit me 71 vota, pavarësisht se presidenti Meta u zgjodh me 87 vota. Ndërkohë që kreu i KLSH, Avokati i Popullit dhe institucione të tjera duan 84 vota. Është një nonsens juridik që duhet korrigjuar duke u dhënë qytetarëve të drejtën të shprehen. Presidenti, në përkufizimin e Kushtetutës është institucioni që garanton unitetin e popullit.

Ky përkufizim i lartë për një institucion, kërkon që edhe mënyra sesi ai zgjidhet të jetë verdikt direkt i popullit. Nëse presidenti zgjidhet vetëm nga partitë politike dhe përgjithësisht nga 2-3 partitë kryesore në vend, gjithmonë roli i tij do të jetë i paragjykuar edhe kur zbaton rreptësisht Kushtetutën. Në krye të shtetit janë zgjedhur gjithmonë figura të spikatura që kanë dalë nga politika dhe zyrtarë që kanë mbajtur qëndrime korrekte ligjore, por për ta bërë me efektiv këtë post duhet që Presidenti të jetë në atë detyrë si pasojë e vullnetit të qytetarëve. Një vendim i tillë është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet demokracisë dhe nuk e lë shtetin dhe politikën vetëm në dorë të kryetarëve.

Pas presidencës së Sali Berishës në vitin 1996, të gjithë krerët e shtetit kanë pasur përplasje të ashpra me qeveritë edhe kur kanë ardhur në këtë detyrë nga kampi qeveritar. Mjafton të kujtojmë përplasjet e Rexhep Meidanit me Fatos Nanon, të Alfred Moisut me Fatos Nanon, të Bamir Topit me Sali Berishën, të Bujar Nishanit me qeverinë e Edi Ramës dhe përplasjet e fundit të ashpra mes Ilir Metës dhe qeverisë së Rilindjes. Pavarësisht profilit të secilit President, shumica e përplasjeve ligjore kanë ardhur si pasojë e abuzimeve të qeverisë dhe oreksit për më shumë kompetenca.

Janë qëndrime që nuk lidhen më anësi politike, por në shumicën e rasteve kanë pasur bazë të fortë Kushtetuese. Pra, kreu i shtetit nuk është thjesht një figurë honorifike, por një garant i Kushtetutës që ka nevojë për më shumë pushtet legjitim. Dhe ky pushtet nuk mund të vijë më nga partitë dhe as nga salla e Parlamentit, por nga vota e qytetarëve. Betejat e ashpra të Presidentit Meta në ruajtje të Kushtetutës dhe ndalimit të përvetsimit të çdo pushteti prej kryeministrit Rama janë epokale. Së fundi edhe Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit Meta, por janë dy vite e kusur përplasje mes Kreut të Shtetit dhe mafies së Rilindjes.

Sot Ilir Meta e përsëriti se Presidenti duhet votuar direkt nga populli, ndaj akti i tij duhet përshëndetur, ndonëse PS ka frikë ta ndryshojë Kushtetutën që Kreu i Shtetit të zgjidhet nga populli, pasi synon një President që ta zgjedh partia apo partitë që nesër ti bëjnë presion. Ilir Meta është kalibër tjetër dhe nuk ha presion nga asnjeri, por nëse Presidenti zgjidhet nga populli ka tjetër fuqi. Fuqia është populli ndaj ai duhet ta votojë Presidentin.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button