Categories Politike

Vuçiç: S’na duhet konflikt i ngrirë me Kosovën, duhet të përballemi me realitetin!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.

Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiç tha se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, tha Vuçiç para ligjvënësve serbë.

Ai vlerësoi se “fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës” dhe se ato “do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht”.

“Ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.

“Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Vuçiç.

Për takimin e parë me Kurtin

Vuçiq foli para deputetëve serbë edhe për takimin e tij të parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që u zhvillua më 15 qershor në Bruksel.

“Për Kurtin, temë e vetme ka qenë: kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës?”, tha Vuçiç. Përgjigjja, sipas tij, ka qenë: “Kurrë”.

“Situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta… Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiç deputetëve të Kuvendit të Serbisë.

Çfarë thuhet në raportin për Kosovën?

Raporti i Vuçiqit për deputetët i referohet rrjedhës së dialogut të Serbisë me Kosovën nga maji i vitit 2019 deri më 15 qershor, 2021.

Duke e prezantuar atë, Vuçiç tha se gjatë viteve 2020 dhe 2021, Serbia u ka dhënë serbëve në Kosovë “më shumë se 750 milionë, e madje edhe 800 milionë euro”, ndërsa numëroi edhe investimet e Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiç përmendi ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe banesave, si dhe investimet në kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai tha se Serbia nuk ka arritur të ndryshojë trendin e emigrimit të serbëve nga Kosova, të cilët, “në kërkim të një jete më të mirë dhe një sigurie më të madhe”, kalojnë për të jetuar në Serbi.

Raportin e fundit për dialogun me Kosovën, Vuçiç e ka prezantuar në Kuvendin e Serbisë në maj të vitit 2019.

Kjo ka qenë hera e parë që Vuçiç ka paraqitur një raport për Kosovën qëkur Partia e tij Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë pushtetin në vitin 2012.

Që nga paraqitja e këtij raporti, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2020 dhe përbërja e Parlamentit ka ndryshuar.

Një pjesë e opozitës i ka bojkotuar këto zgjedhje dhe koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiçit i ka 243 nga gjithsej 250 ulëset e Parlamentit.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 dhe qëllim i tij është arritja e një marrëveshjeje të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Dialogu ndërmejtësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara./REL

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Politike

Berisha: Beleri në burg për interesat mafioze të Olsi Ramës dhe Edi Ramës në brigjet e Himarës

Kreu i PD, Sali Berisha deklaroi sot se vendimi për të mbajtur në burg Belerin…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Kërkesa e Zelenskyt për prodhim municionesh për Ukrainën, Rama: Të gjithë thanë po, jo vetëm Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë thënë…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Pse ishte Alex Soros në samit? Rama nuk ia kursen gazetares: Harroi të të pyeste ty

Është zhvilluar ditën e stome në Tiranë Samiti BE- Ballkani Perëndimor. Teksa është ezauruar e…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Shtyhet seanca për Belerin, avokati: Proces i montuar për të mbajtur Himarën

Shtyhet për në 5 mars seanca për Alfred Belerin, kryebashkiakun e pabetuar të Himarës. Në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme Politike

Rama: Nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë dhe Ukrainën të humbasë luftën!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në fjalën hapëse të samitit për Ukrainën në Tiranë se…

LEXO ME SHUME