Categories Showbiz

Ju flas në emër të babos tim, Xhode Ferit!

Nga Mira Kazhani/E ftuara ime këtë javë mund të ketë qenë në një skenë teatri para se të vinte në jetë. Siç e kuptuat bëhet fjalë për një fëmijë aktorësh, njëri më i bukur se tjetri. Që të tre shumë të lidhur. Një familje me dritë, famë, sidomos respekt. Por jeta ka ligjësitë e saj.

Në 16 janar 2020 Xhevdet Feri ikën para kohe pas nje sëmundje.

Sot, Bora Feri, ka vendosur të flasë publikisht për herë të parë. Për dy vitet pa Xhodën, por edhe për të hedhur dritë mbi disa keqkuptime, lajme, tituj, rreth ikjes së Xhevdet Ferit.

Bora, falemindetit që i the ‘PO’ bisedës tonë.

Të them të drejtën kur të kam thënë për herë të parë, kur u takuam në Himarë, m`u duke shumë larg idesë që një ditë të dilje dhe të flisje para një kamere për Xhodën. E marr me mend peshën e këtij rrëfimi, por unë e vlerësoj shumë që the ‘Po’.

Bora Feri: Faleminderit! Arsyet janë të shumta. E para është absolutisht sepse mendoj që jam gati. Njeriu nuk është asnjëherë gati që të ndajë emocione të forta. Jam gati them sepse edhe Xhoda vetë nga natyra ishte ashtu siç ju të medias e dini shumë mirë, shumë i rezevuar dhe shumë diskret e më duket gati-gati si një tradhti që i bëja. Edhe kur shkruaj ndonjë gjë që e ndaj në rrjetet e mia sociale e që mbeten private, më duken si tradhti ndaj atij, ndaj besimeve dhe bindjeve të tij. Ishte momenti dhe ky format m`u duk si më adapti dhe duke i qëndruar besnike bindjeve të Xhodës, besoj që ai do ta kishte pëlqyer shumë.

Mira Kazhani: Dy vite pa Xhodën. Çfarë ndodh me mallin për babain, për atë njeriun shumë të dashur? Të gjithë janë të lidhur me baballarët, por ti ishe edhe shumë shoqe me Xhodën.

Bora Feri: Po unë atë them gjithmonë. Përpara se të ishte baba, ishte shumë, shumë gjëra të tjera. Më duket shumë restriktive nëqoftëse i referohem thjesht i babi. Madje unë që fëmijë u jam referuar të dyve në emër. U thërrisja Xeta, Xhoda, sepse më dukej sikur “mami” dhe “babi”, sado që janë fjalë edhe koncepte shumë të bukura, ishin shumë restriktive për raportin që ne kishim. Kështu që malli është padyshim ndjenja mbizotëruese, sepse unë jam njeri që nuk jetoj me pengje. Nuk them pse ndodhi kështu? Pse iku tani? Pse iku pastaj? Preferoj që të jem me këmbë në tokë edhe ta pranoj realitetin ashtu siç është. Po malli është i pakontrollueshëm. Malli si ndjesi është i pakontrollueshëm.

Mira Kazhani: Xeta nuk është gati të flasë?

Bora Feri: Jo.

Mira Kazhani: Ka të bëjë me karakterin? Ka të bëjë me lidhjen që ke pasur me njeriun? I ngjan pak më shumë Xhodës në kurajë?

Bora Feri: Unë i ngjaj shumë Xhodës.

Mira Kazhani: Për shembull, cilat janë gjërat që ti e gjen veten duke i bërë si Xhoda tani?

Bora Feri: Unë nuk është se nuk e kam ditur që i ngjaja Xhodës. Se ne kemi qenë shëmbëlltyra të njëri-tjetrit realisht. Unë kam pasur edhe pak natyrë çuni, e ngarkuar njëçik më shumë me energji mashkullore që e vogël edhe të gjithë më thoshin “çuni i Xhodës”, deri 15-16 vjeç, sa u futa në adoleshencë pastaj edhe feminiteti kapërceu pragun e energjisë mashkullore. Nuk është se nuk e kam ditur, thjesht në këto dy vite që ai është larguar e kuptoj përditë e më shumë. Karakterialisht, mënyra sesi flas, gjestikulacioni, dëshira, kënaqësia për t`u futur në debat me argument etj, etj. Nga kjo kuptoj se brenda vetes po kam shumë më pak terren loje për ta shpërfaqur këtë ngjashmëri që kam me Xhodën, sepse ai ishte interlokutori im më i mirë dhe tani që ai nuk është më, nuk është se kam njerëz të tjerë të ngjashëm me Xhodën, me të cilët të kem mundësi që të shfaq këtë anën e karakterit që na puqte dhe na bashkonte.

Mira Kazhani: Si ishte Xhoda si baba, ta lëmë pak shokun. Për shembull me orët e vona të natës, me ndonjë gotë, me ndonjë vonesë, me të dashurin, me partnerin tënd që ke tashmë, Ludovikun? Kur e takoi për herë të parë, si ishte në atë rol ai? Konvencional apo modern? Liberal apo me rregulla të forta.

Bora Feri: Xhoda ka qenë konvencional edhe konservator si natyrë.

Mira Kazhani: Nuk e mendoja këtë për shembull.

Bora Feri: Njeri shumë i hapur. Xhoda kishte një veti që unë ia kisha shumë zili dhe e kanë shumë pak njerëz. Ai i lexonte njerëzit nga larg. Fatkeqësia e tij e madhe ishte që ai jetonte në të ardhmen. Ishte vizionar në këtë aspekt edhe i lexonte gjërat përpara se të ndodhnin. Kishte një intuitë të jashtëzakonshme dhe kishte edhe perceptimin e njerëzve, që dinte t`i lexonte shumë mirë. Kështu që Ludoviku pati fat që e lexoi ashtu siç është në të vërtetë edhe u lidhën shumë. Kishin raport shumë të ngushtë me njëri-tjetrin. Ludoviku është çun shumë i mirë dhe Xhoda e trajtoi si të tillë. Por si natyrë dhe si karakter ishin shumë konservator dhe shumë konvencional Xhoda, por shumë i komunikueshëm.

Mira Kazhani: Më the një gjë interesante, në gjithë gjërat që besoj kanë një interes edhe për publikun gjerë, sepse Xhoda është i të gjithëve. Është një pjesë që e gjejmë të gjithë. Të gjithë kemi një histori me Xhodën. Për shembull Xhoda është kandidati im i parë i dashurisë platonike, bashkë më Luke Perry, në adoleshencë. Kështu që kemi të gjithë një histori me Xhodën.

Bora Feri: Duhet të punosh njëçik për këtë Mira. Të gjesh kandidatë që janë të disponueshëm, se as njëri, as tjetri, nuk janë më.

Mira Kazhani: E vërtetë. Duhet të kthjellohem (qesh)

Përtej edhe humorit, që është pak i vërtetë, më bëri përshtypje ajo që the se Xhoda jetonte në të ardhmen. E parashikoi Xhoda, e pati frikë se do kishte një jetë të shkurtër? Që do ikte i ri nga kjo botë?

Bora Feri: Jo, Xhoda nuk jetonte me frikë. Ishte natyrë shumë… ‘kovarionte’, në sensin që e shikonte shumë, shumë mirë se si do rridhnin gjërat. Madje meqë e përmendëm, Ludoviku më thotë shpesh tani – edhe atij padyshim i mungon shumë Xhoda në këndvështrimin e vet – më thotë shpesh: “Si është puna! Si e lexoi Xhoda filanin?! Ai këta njerëz i ka takuar vetëm një herë. Si e dinte ai që këta njerëz do rezultonin që të ishin kështu?” Kështu që Xhoda nuk jetonte me frikë. Kishte një ëndërr po themi që ëndrrën e vetë të tretë profesionale t`ia përkushtonte dhe t`ia dedikonte akademisë, sepse mësimdhënia i pëlqente shumë edhe e përmbushte shumë. Për fat të keq ajo u pre shkurt, por që jo, nuk jetonte me frikë. Unë kisha më shumë frikë që Xhoda do ta kishte jetën të shkurtër, sesa Xhoda vetë.

Mira Kazhani: E çuditshme! Ke pasur ndonjë parandjenjë apo frikën që kanë të gjithë fëmijët kur janë shumë të lidhur me një prind?

Bora Feri: Nuk di ta them, por është një miks midis parandjenjës, lidhjes shumë të fortë, edhe faktit që Xhoda i ndiqte etapat shumë shpejt. U bë prind shumë shpejt. Pati arritje të mëdha shumë shpejt. E kapërceu karrierën e vet me hapa galopantë dhe erdhi një moment që unë thosha, ky njeri u mërzit, çfarë do bëjë tani me jetën?

Mira Kazhani: U duk sikur i jetoi të gjitha?

Bora Feri: Dhe sinqerisht u mërzit. Madje një nga arsyet pse kam dashur që të shprehem, por nuk e ka gjetur as momentin, as formatin e duhur deri tani, është që është folur shumë për Xhodën mbas ikjes së vet. Absolutisht, edhe unë, edhe Xeta i jemi shumë mirënjohëse mënyrës sesi është mbuluar ikja e Xhodës, edhe respektit, dashamirësisë që është treguar në të gjitha nivelet e medias, por më ka bezdisur, më kanë ndenjur njëçik ngushtë disa komente që janë bërë, ku thoshin se nuk deshi homazhe se ishte viktimë e sistemit. U la në harresë, etj etj.

Mira Kazhani: Ta shpjegojmë pak këtë. A foli për funeralin Xhoda, si fillim?

Bora Feri: Jo. Nuk e priste njeri ikjen e Xhodës.

Mira Kazhani: As Xhoda vetë? Nuk ka qenë i ndërgjegjshëm që ishte aq i sëmurë.

Bora Feri: Nuk është se ishte i sëmurë në fakt Xhoda, se ka ndoshta edhe një qartësi për t`u sqaruar. Xhoda nuk ishte i sëmurë. Xhoda u diagnostikua me një tumor, të cilin e operoi suksesshëm, por si pjesë e protokollit ishin edhe disa seanca kimioterapie, të cilat ai i bëri të plota dhe siç duket pati një komplikacion të rrallë, që i prekën indet e mushkërisë. Situata e fibrozës i precipitoi shumë shpejt, sepse ka ikur brenda tre javëve. Nuk është se pati njeri kohë të përgatitej me idenë që Xhoda po ikën apo që Xhoda ishte i sëmurë. Ishte mirë dhe pastaj nuk ishte mirë dhe iku.

Mira Kazhani: Ka qenë fillimi i Covid-it dhe kam lexuar që ka pasur edhe aludime që ndoshta… Apo ju nuk e dini këtë dhe nuk ka fare rëndësi?

Bora Feri: Simptomat ishin shumë të ngjashme. Unë nuk jam mjeke. Unë jam juriste, kështu që nuk dua që t`i hyj atij muhabeti nga pikëpamja shkencore, por kam përshtypjen që kur preken mushkëritë, nga një sindromë apo nga një tjetër, simptomat janë shumë të ngjashme. Duke qenë se Covidi të prek globalisht mushkëritë, edhe degradimi i pacientëve që nuk ia dolën, që u intubuan etj etj ka qenë shumë i ngjashëm me simptomat e Xhodës. Po nuk di të them dhe me thënë të drejtën, ka shumë, shumë pak rëndësi.

Mira Kazhani: E vërtetë! Do donte Xhoda që të kishte pasur për të një homazh ose një ceremoni zyrtare?

Bora Feri: Jo.

Mira Kazhani: Zgjedhja ishte e jotja dhe e mamit, Rozetës?

Bora Feri: Po.

Mira Kazhani: Pse e bëtë ju këtë zgjedhje?

Bora Feri: Për shumë arsye, ose më saktë për dy arsye. Unë edhe Xhoda kemi pasur mundësi që të flasim për vdekjen edhe kur ai ka qenë gjallë. Ai thoshte: “Nuk kam frikë nga vdekja”. E kishte pranuar si pjesë të jetës, ndërsa mua më terrorizonte mënyra dhe ftohtësia me të cilën ai fliste për këtë. Atij i dukej patetike e gjithë kjo. Ceremoniali që rrethon ikjen e një personazhi publik. Mbaj mend që Ludoviku na detyroi të gjithëve që të shikonim funeralin kombëtar që iu bë Johnny Hallyday në Francë dhe mbaj mend që Xhoda ishte mizerabël përpara televizorit.

Ai nuk e perceptonte dot që dhimbja e familjarëve, se njeriu që ikën, ikën në fund të ditës dhe nuk i intereson fort se çfarë bëhet mbrapa, por dhimbja e familjarëve të jetë në vijë të parë, që të tirret e të tirret e të tirret, ose që njerëzit t`i përdorin si objekt bisede dhe komunikimi. Kështu që nuk na u duk e udhës. Dhimbja jonë ishte shumë e madhe. Ishte sinqerisht shumë e madhe. Vinim të gjithë nga situata delikate. Unë sapo isha bërë nënë. E kisha vajzën tre muajshe kur iku Xhoda dhe ishte për mua e paperceptueshme që ta nënshtroja veten edhe mamin ndaj skrutinizimit publik. U interpretua gjerësisht nga audienca popullore si qëndrim i Xhodës kundër pushtetit.

Mira Kazhani: Si anti-establishment, si anti-qeverisë, anti-politikës, jetës publike. Pati shumë tituj kështu.

Bora Feri: Xhoda nuk ishte anti-establishment. Xhoda ka qenë pjesë aktive e establishment-it. Ai është njeri që e ka emrin e vet në autorësinë e legjislacionit që ka riformuar kulturën në vend. Është krijues i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Është bashkë me kryeministrin Rama iniciator, flamurtar i reformës për Teatrin, që mbas 20 vitesh ndoshta do shohë dritën e diellit. Kështu që Xhoda ka qenë pjesë e establishment-it. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ka qenë dekani më i ri i Akademisë së Arteve. Produktet e Xhodës janë në treg sot edhe bëjnë art. Kështu që nuk mundet kurrsesi që ai të ishte anti-establishment. Ishte market-player. Ishte pjesë integrale e establishment-it.

Mira Kazhani: Po njerëzit harrojnë shpejt Bora dhe vitet e fundit Xhoda ishte disi i tërhequr nga jeta publike. Ai ka dhënë shumë pak intervista. Ju e thatë edhe vetë në fillim që e kishte këtë, ishte shumë diskret. Ishte gjë e mirë kjo? Tani që e mendon.

Bora Feri: Unë nuk kam rënë asnjëherë dakord me Xhodën për këtë pjesë. Unë mendoj që kur njeriu ka gjëra për të thënë dhe gjëra me vlerë për të thënë, jo detyrimisht në nivel egoist, që shiko se unë kam gjëra për të thënë, edhe do përdor të gjitha mediumet për t`i thënë, por kur ka gjëra me vlerë, që ngjisin, që inspirojnë, që çojnë përpara, njeriu duhet ta thotë. Ndërsa ai shikonte ndoshta me optikë tjetër. Ishte njëçik më i deluzionuar me shoqërinë, me rrethanat, me statusin aktual të shumë gjërave dhe i dukej sikur fjalët e veta binin në vesh të shurdhër dhe u tërhoq dhe u mor me projektet e veta.

Mira Kazhani: Ishte i mërzitur vitet e fundit me diçka? Ishte i mërzitur me politikën? Ishte i mërzitur me gjëra që nuk shkonin në Shqipëri? Gjëra që t`i thoshte dhe i ndante me ty… Kishte shqetësim, pezm Xhoda?

Bora Feri: Jo, nuk kishte pezm. Xhoda nuk ishte njeri që jetonte me frikë, me pezm, me inate, me mllefe. Nuk ishte ai lloj njeriu. Kishte një lexim të realitetit që fatkeqësisht ishte gjithmonë gota gjysmë bosh. Shikonte anët negative, por ai është këndvështrim personal dhe nuk ia ndryshon dot. Aty ndaheshim gjithmonë. Unë thosha dil, fol. Ke kaq shumë gjëra për të thënë. Është përgjegjësi sociale. Është përgjegjësi ndaj komunitetit që duhet t`i flasësh dhe duhet t`i thuash këto gjëra, por që aty ndaheshim.

Mira Kazhani: Cilat ishin gjërat e këtyre viteve pas ’90, por edhe përfshirja në politikë, edhe në disa reforma, në krijimin e disa institucioneve, siç është Qendra Kinematografike, apo reforma për teatrin, diçka që ti Bora e di që ai ishte vërtet krenar? Dhe diçka që nuk e pëqente. Që mund të mos e kishte bërë ashtu mbase.

Bora Feri: Po e filloj nga kjo e fundit. Gjëja që kishte më shumë pishman ishte tërheqja nga politika. Ajo ishte, nëqoftëse mund ta quaj pishman. Ngaqë ai ishte burrë me kuptimin e plotë të fjalës, kishte një përgjegjësi shumë të theksuar. I dilte gjithmonë për zot vendimeve që kishte marrë. Po këtë e di që e kishte pishman.

Mira Kazhani: Po pse u tërhoq?

Bora Feri: Ka qenë periudha e tillë. Ka qenë ’97-ta. Xhoda kishte edhe këtë aftësi që i polarizonte shumë njerëzit. Ata që e donin, e donin shumë, pa kushte. Ndërsa ata që e kishin zili e luftonin maksimalisht. Xhoda ka pasur disa linçime publike. E kanë hequr nga puna me ceremoni shumë të madhe, në periudhën e reformës për teatrin. Prandaj thashë që kur hyj në sallën e teatrit kam një stepje, sepse unë kam parë shumë. Nuk kam parë vetëm shfaqje teatrore në sallat edhe në skenat e teatrit. Janë bërë debate publike. E kishte gjithë komunitetin e aktorëve kundër. I thoshin Xetës: “Pse e ke sjellë Borën këtu se këtë do ta nxjerrin me pranga. Se ky është i kapur nga mafia e ndërtimit që do të na prishë neve teatrin”.

Mira Kazhani: Në vitin ’98 kanë qenë këto?

Bora Feri: 1999-2000. Unë kam qenë 15 vjeç.

Mira Kazhani: Të duket sikur i dëgjon tani. S`ka ndryshuar asgjë në retorikë.

Bora Feri: E shikon? Gjërat avancojnë shumë avash prandaj mërzitej Xhoda. Kështu që e kanë linçuar shumë herë publikisht. Janë përpjekur që ta vrasin, ta dërrmojnë, t`ia demistifikojnë figurën, por që ai është ngritur. E kishte këtë forcë brenda vetes. Ka qenë edhe shumë i ri. Ka qenë pa bërë 40 vjeç atëherë.

Mira Kazhani: Si sillej Xhoda me armiqtë, me kundërshtarët, me këta që e linçonin?

Bora Feri: Nuk i llogariste fare. Ia kam shumë zili, ia kisha shumë zili, domethënë ia kam akoma…

Mira Kazhani: Ia kemi. Edhe unë ia paskam zili këtë…

Bora Feri: Nuk i kam axhustuar akoma kohët e foljes kur flas për Xhodën se me duket sikur është akoma këtu. Nuk i llogariste fare.

Mira Kazhani: Nuk iu përgjigjej për shembull? Replikonte Xhoda?

Bora Feri: Jo, këtë e kishte shumë gabim. Vazhdoj ta them. Mendoj që nuk donte të ulej asnjëherë në atë nivel debati. Ky është princip i përgjithshëm. Në momentin që ti e sulmon dikë dhe e sulmon me goditje nën brez, domethënë që ai sulmuesi është aq poshtë, e ka nivelin e debatit dhe të argumentit aq poshtë, sa është e pakëshillueshme që ti të ulesh në atë nivel. Kështu që mendoj, madje e kam bindje të plotë që edhe Xhoda refuzonte kategorikisht që të ulej në atë nivel diskutimi.

Mira Kazhani: Kishte besoj shumë shokë Xhoda? A ka shokë që do doje t`i thoje publikisht, që këta ishin miqtë e vërtetë të Xhodës dhe Xhoda e mbajti gjithmonë derën hapur?

Bora Feri: Ka padyshim. Jo. Nuk do doja që t`i përmendja me emra, sepse mendoj që ka qenë marrëdhënia shumë personale e Xhodës me ta dhe nuk do doja që të kishte kurrsesi hatërmbetje në momentin që kalojmë në emra të përveçëm.

Mira Kazhani: Se gjithmonë harrojmë dikë. Po, e drejtë.

Bora Feri: Ky do ishte perceptimi im, por dera e Xhodës ka qenë e hapur gjithmonë për të gjithë. Nuk ka pasur kurrë ndasi. Plus që Xhoda ka qenë, jam e bindur që miqtë e tij do ta konfirmojnë të gjithë pa përjashtim, ka qenë njeri shumë i lidhur me familjen. E ka pasur familjen primare gjithmonë. Niveli i parë i ndarjes së çfarëdolloj gjëje ka qenë familja, unë edhe Xeta.

Mira Kazhani: Kur iku Xhoda, më kujtohet që me disa shoqe të miat, kolege gazetare – edhe në gazetari kalojnë edhe të vërtetat, edhe gënjeshtrat, edhe thashethemet sidomos, le ta pranojmë që është vendi i zërave – një shoqja ime, me shumë të drejtë ngriti një tezë që mua më pëlqeu dhe dua ta them sot: “ E di ti që nuk i kam dëgjuar një thashethem për Xhodën kurrë, për ndonjë histori, a ndonjë flirt, ( te zakonshme për artistët) asgjë nuk dihet për Xhodën”. Edhe po më rri në sinkron me atë që po thoje për familjen. Interesante! Askush nuk di asgjë për Xhodën, në mos ka qenë shumë i fshehtë (shaka).

Bora Feri: S`ka pasur. Nuk e besoj. Thashë, jashtë kontekstit profesional, pjesa tjetër e kohës kalohej kryesisht në shtëpi. Kështu që nuk ishte njeri shumë mondan Xhoda. Thashë, ka qenë shumë konservator edhe tradicionalist do thosha. Edhe njëherë mua kjo anë e tij më bezdiste shumë. Se thosha, si ka mundësi. Një karizëm e jashtëzakonshme, se Xhoda ka qenë gjithmonë shumë karizmatik, por kishte gjithmonë atë hijen e rëndë të malësorit, që ishte fasada që e ngrinte dhe u dukej njerëzve sikur ishte e pamundur që t`i afroheshe. Në fakt ishte njeriu më i komunikueshëm në botë, por dukej shumë hijerëndë dhe mendjemadh. Nuk ishte fare ashtu.

Mira Kazhani: Si e kalonte ditën Xhoda? Kishte një lloj rutine? Ishte i disiplinuar Xhoda? Kështu më vjen, nga këto që po thua.

Bora Feri: Shumë. Edhe me shumë krenari e them që këtë pjesë e kam trashëguar 100% prej tij. Jo se Xeta nuk është, por ka një nocion tjetër të organizimit të kohës. (qesh). Ishte shumë i organizuar. Gjëja e parë që bënte kur çohej, sigurisht këto adetet e mëngjesit, siç i thoshte ai, po në orën 8 ishte telefonata me mua.

Mira Kazhani: Kur ishe studente jashtë Shqipërie – se Bora ka studiuar Ligj në Angli dhe më pas një master në Gjenevë – ishe shumë vite larg Xhodës dhe Xetës, si ishin ato telefonatat me Xhodën dhe çfarë këshillash të jepte ai si një studente jashtë shtetit?

Bora Feri: Përtej raportit babë e bijë, edhe raportit shoqëror që e cekëm, Xhoda kishte një vëmendje të jashtëzakonshme dhe një sensibilitet shumë të rritur ndaj studentëve. I donte shumë studentët. Ka qenë pedagog shumë i ri dhe i ka dashur shumë studentët dhe studentët e kanë dashur gjithmonë. Ky është barometër shumë i rëndësishëm, kur të duan studentët si profesor. Unë kam qenë studente vetë dhe profesorin e mirë e duan të gjithë. Njeriun e mirë e duan të gjithë. Xhoda nuk jepte këshilla. Nuk thoshte: Dëgjo se unë mendoj që ti duhet… Duhet të lexoje mes rreshtave me të. Ai të jepte mendimin e vet, edhe thoshte ti bëj çfarë të duash, unë mendoj kështu.

Mira Kazhani: Epo s`paska qenë fare konvencional Xhoda. Në përgjithësi prindërit shqiptarë të thonë çfarë të bësh. Brezit tonë na kanë thënë çfarë të bëjmë.

Bora Feri: Unë merrem me përkufizimin e konvencionit. Ai ishte konvencional në kuptimin që ishte tradicionalist. I kishte virtytet si besnikëria (prandaj s`ke dëgjuar thashetheme), vërtetësia, sinqeriteti, këmbët e forta në tokë, mungesa e qëllimit në vetvete për t`i bërë gjërat. Këto ishin ato gjëra që e karakterizonin Xhodën. Në këtë sens ishte tradicionalist. Nuk di të të them që Xhoda të jepte këshilla. E vetmja gjë që unë kam vëth në vesh nga Xhoda ishte që mos i kthe gjërat në qëllim në vetvete. Pra, ji konseguente e veprimeve të tua, por mos u nis me idenë që unë do bëj këtë, për të arritur këtu, këtu, këtu, sepse asnjëherë nuk dalin gjërat ashtu siç i planifikon. Kjo është një këshillë që mund të më ketë mbetur prej tij, por vetë raportin që neve kishim, thjesht shkëmbimi i ideve dhe informacionit, mund përbënte në vetvete këshillë.

Mira Kazhani: Ka një sekuencë në një telefonatë tënden që unë e di, që i ke treguar për një pedagog. Dua ta sjellim atë.

Bora Feri: Do më bësh të më mbushen sytë me lot. Unë nuk para kam qarë që kur ka ikur Xhoda. Po, është e vërtetë. Ai kishte gjithmonë këtë ndjeshmërinë karshi studentëve dhe ka qenë shumë herët, ndoshta 1 muaj e gjysmë pasi kishte filluar shkolla, kam qenë në vitin e parë të shkollës së Ligjit në Angli. Ne i kishim pedagogët shumë të mirë. Pedagogët e mi të Angli kanë qenë koka të fushës, të drejtësisë dhe ishte njëri prej tyre, ishte tek 53-54 vjeç i Të Drejtës Tregtare. Një ditë të bukur marrim vesh që ai nuk ishte më, ishte ndarë nga jeta. Më merr Xhoda në telefon, në një nga 10 telefonatat e ditës që bënim atëherë dhe më gjen duke qarë. Më thotë: “Çfarë ke?”

I them: “Ba, është e tmerrshme. Sapo mora vesh që profesori im John Parkinson është ndarë nga jeta”. Fillova të qaja me dënesë. Më thotë, ashtu siç thoshte gjithmonë: “Qaj bab, është e shëndetshme që të qash dhe është akoma më e shëndetshme që të kesh adhurim dhe admirimin për profesorin, sepse domethënë që të ka shenjuar pozitivisht”. Dhe nuk e di pse ma përmendte shumë shpesh këtë. E kishte markuar shumë fakti që unë qava për profesorin. Sikur ta dinte ai sa kanë qarë studentët e vet për të! Sikur ta dinte!

Mira Kazhani: Dhe jo vetëm kaq. Shkojnë edhe i flasin, komunikojnë me të.

Bora Feri: Po, po.

Mira Kazhani: I tregojnë pjesët.

Bora Feri: E shikojnë në ëndërr. U del në ëndërr kur kanë shfaqje për të vënë në skenë, ose kur kanë dilema që lidhen me aspektin profesional e shohin në ëndërr. Ose shkojnë- mua më duket njëçik morboze kjo për shijet e mia- por shkojnë tek varri edhe recitojnë ose bëjnë ato monologjet, dialogjet që kanë. Po e bëjnë.

Mira Kazhani: Mua më duket shumë njerëzore.

Bora Feri: Është shumë e bukur. Shumë, shumë e bukur. Absolutisht, shumë e bukur.

Mira Kazhani: Kulminacioni i respektit për profesorin, për pedagogun, për mësuesin, duhet të jetë ky lloj besimi. I pafundëm. Kjo është e pafundmja ndoshta. Shpresoj që ai i dëgjon. Beson në jetën e Përtejme? Beson në këtë energjinë Andej, ti Bora?

Bora Feri: Besoj. Domethënë jo detyrimisht në jetën e Përtejme, sepse mendoj që jeta është kjo që ne jetojmë, por besoj në dimensione të shumëfishta, po patjetër.

Mira Kazhani: Po mendoja nëse i dëgjon apo jo Xhoda studentët. Sa bukur do qe, po nuk e vërtetojmë dot.

Bora Feri: Nuk e vërtetojmë dot, por në fund të ditës njeriu krijon realitetin e vet. Nëqoftëse dikush i beson këtyre gjerave dhe i bën mirë, le t`i besojë. Dëm nuk i bën kurrkujt. Vetëm mbush shpirtin e vet.

Mira Kazhani: Çfarë e bënte të lumtur Xhodën, veç familjes së tij? Mund të jetë edhe diçka krejt e zakonshme por që e bënte atë të lumtur.

Bora Feri: Më kape gafil. Është një muhabet i këndshëm. Është një shëtitje buzë detit. Kishte shumë qejf që të bënte shëtitje. Çun Durrsak.

Mira Kazhani: Cila ishte pija e preferuar e Xhodës? Apo kishte disa?

Bora Feri: Xhoda ka qenë pijedashës. Një verë e mirë, verë e kuqe kryesisht, ose një gotë raki e mirë gjithashtu. Ishte shumë bazik Xhoda. Bukë me djath edhe njëçik raki ishte mëse e mjaftueshme për të. E rëndësishme ishte shoqëria.

Mira Kazhani: Një gjë e mirë që ka ndodhur në gjithë këtë, nëse mund ta quajmë, se sigurisht e mira e të mirës do ishte që Xhoda të ishte gjallë, me familje e tij e sidomos me mbesën. Po për fat të mirë e takoi. Pati një emocion, pati një gjë që ta tha në lidhje me mbesën, një diçka që të ka ngelur…dhe mendon që të paktën ai e takoi, e preku edhe pse pak muaj?

Bora Feri: Kur ime bijë lindi Xhoda e mori librin e dikrecionit dhe të rezervave, e bëri shuk dhe e hodhi në kosh. E shprehte dashurinë në të gjitha mënyrat e mundshme. Kryesisht me fjalë. Ai nuk ka qenë shumë verbal, kur vinte puna tek emocionet. E shprehte më shumë me gjeste. Nuk ka qenë njeri që të merrte të të puthte, të përkëdhelte, ndërsa me time bijë i harroi komplet edhe u thoshte njerëzve: “Ore i kam gjykuar shumë keq miqtë dhe shokët e mi që janë bërë gjyshër më përpara. Po kjo ma hoqi mendjen fare. Jam bërë si budalla. Nuk e mbaj dot veten”. E kishte kënaqësi, krenari dhe dashuri të jashtëzakonshme. Ajo që më bën çudi dhe normalisht nuk duhej të më bënte çudi, duke pasur parasysh që konkluzioni për të ka qenë që dinte t`i lexonte njerëzit, vajzën time e pa më pak se tre muaj dhe e ka lexuar aq të vogël. Asaj tani po i dalin në pah trajta të karakterit dhe temperamentit që gjyshi i vet ia lexoi që në ditët e para të jetës. Është impresionuese.

Mira Kazhani: Ishte ai i kënaqur që nuk u bëre artiste ti?

Bora Feri: Shumë.

Mira Kazhani: Po pse?

Bora Feri: Shumë. Ndoshta nuk ma thoshte, po fakti që nuk shikonte tek unë ndonjë talent të veçantë artistik ndoshta u kënaq sepse nuk donte që unë të zhgënjehesha për mungesën e talentit. Mendonte që arti është shumë i vështirë. Ai vetë është transformuar profesionalisht disa herë, sepse është shumë e vështirë që ta gjesh terrenin në fushën artistike në Shqipëri.

Mira Kazhani: Bora, për ta mbyllur, kjo intervistë që ka shumë vlerë, është rrëfimi i parë për Xhevdet Ferin nga e bija, nga ju, nga njeriu më i besuar i tij…

Bora Feri: Një ndër dy njerëzit e tij më të besuar

Mira Kazhani: …po, gjysmëvetja e tij bashkë me Xetën. Erdhi më shumë si një nevojë për të folur për Xhodën, por kam përshtypjen që erdhi si një nevojë e jotja, por edhe e Xetës jam e sigurt, për t`i sqaruar ato titujt dhe keqkuptimet, qoftë edhe me dashuri ndonjëherë. Të mërzitën shumë?

Bora Feri: Jo. Jo, jo. E thënë me shumë shumë sinqeritet. Në ato momente, të asaj dhimbjeje që të shkul shpirtin në mënyra që ti nuk e dije që ekzistonin, këto gjëra të prekin shumë pak. Por më rrinin njëçik ngushtë. Nuk doja kurrsesi, ti përmende qëparë harresën, unë kam frikë nga harresa. Xhoda nuk kishte frikë nga harresa. Unë nuk dua që ai të harrohet. Një, dhe e dyta, në debatet intelektualo-shekspiriane që kemi pasur me Xhodën, Xhoda ka qenë adhurues i jashtëzakonshëm i Shekspirit, vepra e tij e dytë më e preferuar e Shekspirit ka qenë “Jul Çezari” dhe monologun e Mark Antonit e kishte zbërthyer në të gjitha mënyrat, këndvështrimet e mundshme dhe në një moment ai thotë: E keqja që ka bërë njeriu mbetet, e mira shpesh mbulohet në varr me kockat. Dhe mua nuk më pëlqente që ai i mëshonte shumë fort. Nuk besoj që është ashtu. Besoj që ky rrëfim, në një nivel subkoshient, ka qenë edhe për t`i provuar Xhodës, duke kapërcyer dimensionet, që nuk është e keqja ajo që mbetet, është gjithmonë e mira.

Mira Kazhani: Përveç dashurisë së njerëzve dhe të gjithë shqiptarëve, publikut, studentëve të tij dhe gjithë njerëzve, a ka një gjë që do ishte respekt e do ta nderonte kujtimin e Xhoda Ferit tani?

Bora Feri: Tani në këtë dëshirën e përjetësisë ndoshta…, jemi të pavendosur për këtë, sepse më duket shumë… të vendosurit të një emri rruge… Po ndoshta një parku, ose një lulishte me emrin e tij, po që ta shikojmë.

Mira Kazhani: Ide shumë e bukur, edhe pse jo. Do t`i pëlqente mbase?

Bora Feri: S`e di. Nuk di ta them. Më duhet që të hulumtoj edhe njëçik brenda vetes për të ditur se cila do kishte qenë dëshira e tij. Por siç thashë, janë disa vendime që i mbeten të gjallëve. Kështu që të shohim sesi do shkojë.

Mira Kazhani: Faleminderit shumë Bora Feri! Je trashëgimia më e mirë e Xhodës. Kjo është e mira e të lënit diçka pas, sepse flet. Je ADN-ja e tij. Në njëfarë forme kam përshtypjen që ne folëm sot me një pjesë nga Xhoda. Njerëzve ti ua kujton shumë atë, sidomos tek sytë. Sytë i ke kopje si të babit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Showbiz

Puthje pasionante në lavanderi, Romeo dhe Heidi u fshihen banorëve (Video)

Romeo dhe Heidi, çifti që i dha fund romancës të krijuar brenda shtëpisë së “Big…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

Tom Cruise dhe partnerja e tij ruse i japin fund lidhjes

Tom Cruise i ka dhënë fund marrëdhënies me rusen, Elsina Khayrova, disa muaj pasi u…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

Zbulohet dhurata e parë e të shtunës, një banor i ri, i cili mund të jetë kushdo nga ju (Foto)

Prej kohësh, Ledion Liço dhe faqja zyrtare e “Big Brother VIP”, në rrjetet sociale kanë…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

Video/ Ilnisa rrëzohet në kuzhinë. Çfarë bëri Meritoni!

Ilnisa u rrëzua aksidentalisht në ambientet e kuzhinës ndërsa po shkonte drejt tavolinës, aty ku…

LEXO ME SHUME
Categories Showbiz

Çfarë po kërkon ish-partnerja e Meritonit? Ish-banori: Ja çfarë fshihet pas reagimit të saj

Ish-banori i BBV Meridiani ka qenë i ftuar në “Breaking” në Top News, ku ka…

LEXO ME SHUME