Ju kujtohet Mane Lumani?! Ai ka ditëlindjen dhe mbush 74 vjeç. U kujtuat tani se për kë bëhet fjalë! Ai është një nga katër legjendat e Vlorës! Katër Parodistët e Vlorës. “Nuk e harroj kurrë sa të vdes kur Meliha Ferra i thotë Leka Krutës: “Po këtë hunderr për çfarë e deshe, bën për estradë ky?”. Dhe Leka që i thotë “Do ta shikosh në shfaqje kur të luaj këtë hunderrin”.
Dhe ai vërtet u bë një nga “hunderrët” më të famshëm në Shqipëri! E filloi si artist amator në Estradën e Marinës në Durrës, në vitin 1965, për t’u ngjitur si profesionist në Estradën e Vlorës në vitin 1981.
“Përshtypje të mira la tek spektatori loja plot humor e aktorit Mane Lumani. Pozitive për këtë aktor të ri është se ndodhet gjithnjë në kërkim të mjeteve shprehëse, punon për t’i nxjerrë sa më mirë rolet në të cilat luan.”
(Kleo Lati – “Zëri i Vlorës”, 28 nëntor 1976).
Ndër paroditë më të bukura të kënduara ndër vite prej katërshes, ku bënte pjesë edhe Mania veçohen: “Opus 89”, “Këngët e dashurisë”, “Gjahtarët”, “Shoferët”, “Fotografët”, “Doktor, mjek, pacient”, “Peshkatarët” e shumë të tjera. Në vitin 2004, humbja e zërit, do ta largonte nga grupi, për të mos qenë më aktiv si më parë në paroditë e skeçet e luajtura nga Afrimi, Agroni e Meti. Për herë të fundit u ngjit në skenë për shfaqjen homazh në kujtim të Metit, me të cilin kishte krijuar një çift simpatik në interpretimin e shumë skeçeve e parodive, në vitet më të bukura të Estradës së Vlorës. Jetë të gjatë Mane Lumani. Nga Ergys Alushi.