Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur pak pas mesnatës së të premtes në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Raportohet se tritoli është vendosur në pjesën e mbrape të biznesit në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit, kunetër me njëri-tjetrin.
Nga shpërthimi janë thyer disa xhama të fasadës së restoranit. Ndërsa kamerat sigurisë kanë fiksuar autorin e maskuar, i cili pasi hedh lëndën plasëse largohet me vrap në këmbë.

Pronarët kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me njeri dhe s’kanë asnjë ide se pse është vendosur lënda plasëse.
Si pasojë, raportohet se janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Ndërkohë grupi hetimo po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
“Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”- njoftoi policia.

