
Bajern Mynih i është përgjigjur sot të gjithë atyre që kishin dyshime se bavarezët do të mund të ishin përsëri konkurrues për titullin kampion në Bundesligë me një fitore bindëse 3-0 ndaj Union Berlin, një skuadër e cila ishte rivale direkte pasi kishte pikë të barabarta me bavarezët para këtij dueli.
Skuadra e Julian Nagelsman dominoi plotësisht ndeshjen dhe me një pjesë të parë mbresëlënëse vulosi shpejt fatin e saj. Çupo-Moting i dha avantazhin skuadrës e kjo ia bëri më të thjeshtë bavarezëve që të gjenin hapësira në prapavijën mike. Koman shënoi golin e 2-0 dhe në shtesën e pjesës së parë, ishte Musiala ai që çoi në 3-0 rezultatin e ndeshjes.
Më pas, Bajern administroi gjithçka mirë dhe me lehtësi, aq sa edhe Nagelsman kishte mundësinë të hidhte në fushë edhe Sadio Mane, të kthyer pas dëmtimit të gjatë. Kjo fitore i jep mundësinë Bajernit që të bashkohet me Borusia Dortmund në vendin e parë në renditjen e Bundesligës.
BAJERN MYNIH 3-0 UNION BERLIN
31’ Çupo-Moting, 40′ Koman, 45’+1′ Musiala