Klubi i Barcelonës ka zgjedhur pasardhësin e Ernesto Valverde dhe ai nuk është Mauricio Poçetino, por Kike Setien. Ish-trajneri i Las Palmas e Betis duket se është emri që tërheq më shumë katalanasit, pasi 61-vjeçari është nga ata që adhurojnë idetë e lojës së Johan Krojfit, edhe pse nuk ka arritur ta shprehë asnjëherë veten në një klub të madh më përpara.
Sipas mediave spanjolle, menaxheri i tij ka shkuar sot në Barcelonë për të diskutuar kushtet e kontratës me katalanasit, të cilët duan një teknik i cili të kthejë lojën e bukur. Setien e ka shprehur hapur dashurinë që ka ndaj ideve të Krojf dhe është përpjekur t’i përçojë ato edhe në skuadrat ku ka drejtuar më parë.
Ai shihet si një teknik i cili zgjedh fitoren me lojë të bukur si dhe është një njohës shumë i mirë i futbollit spanjoll falë viteve që ka mbi supe. Problemi i vetëm në këtë pikë është se nuk ka drejtuar asnjëherë në Ligën e Kampioneve, por në këtë aspekt, Barcelona ka emëruar edhe më parë trajnerë pa shumë eksperiencë ndërkombëtare.
Zyrtarizimi pritet të bëhet sonte apo nesër, kur presidenti Bartomeu të dalë në një konferencë për shtyp para mediave për të diskutuar ndryshimet në klubin e tij.