Sport

Bayern hyn në garë për Haaland, tremben skuadrat konkurrente

Bayerni i Mynihut tremb rivalët e tjerë me interesimin e shfaqur për sulmuesin e Borussias së Dortmundit, Erling Haaland. Presidenti i klubit të famshëm bavarez e la të hapur mundësinë rreth një transferimi hipotetik të 20-vjeçarit të talentuar norvegjez në radhët e klubit më të lavdishëm gjerman. Në krahun tjetër një përfaqësues i rëndësishëm i verdhezinjve si Sebastian Kehl shpreson që Dortmundi të jetë në gjendje për ta mbajtur sa më gjatë shtatlartin nordik.

41-vjeçari nga Hesse që dikur ka mbajtur shiritin e kapitenit te skuadra e mirënjohur nga Westfalia, tani është anëtar i Departamentit të Sportit në klubin nga Ruhri, madje duke filluar nga viti 2022 Sebastian Kehl do të zërë vendin e 58-vjeçarit Michael Zorc, për t’u emëruar drejtor sportiv i Borussias së Dortmundit.

Kehl ka deklaruar se Dortmundi dhe Erling Haaland janë në simbiozë ndërmjet tyre dhe bashkëpunimi i mëtejshëm premton sukses. 41-vjecari shtoi se duke patur parasysh sjelljen dhe reagimin e sulmuesit të ri të përfaqësueses norvegjeze ndaj zërave të shumtë në lidhje me të ardhmen e tij drejtuesit e klubit e konsiderojnë si të mirëqenë faktin që Haaland do të qëndrojë në radhët e verdhezinjve edhe përtej verës së ardhshme.

Sebastian Kehl është i bindur se duke vijuar qëndrimin e tij te Dortmundi, Erling Haaland do të bëhet një futbollist akoma më i mirë. 20-vjeçari konsiderohet si futbollisti i momentit në Kontinentin e Vjetër, pasi Haaland ka shënuar 27 gola në 27 ndeshje në të gjithë kompeticionet gjatë këtij sezoni. Sipas Sport Bild, Erling Haaland ka zbuluar se ai mund të largohet nga Dortmundi, vetëm për 6 klube: Manchester United, Manchester City, Liverpool, Juventus dhe dy gjigantët e futbollit spanjoll Real Madrid dhe Barcelona, duke i kthyer kështu shpinën dy ekipeve si Chelsea dhe Bayern Munchen.

Zërat më të fundit flasin për një shtim të interesimit të krerëve të klubit bavarez, megjithatë sipas pjesëtarit të bordit Sebastian Kehl verdhezinjtë përfaqësojnë ambientin ideal për sulmuesin e ri norvegjez. I pyetur nga gazetarët nëse Bayerni i Mynihut është një klub që I ka mundësitë për t’ia hequr nga duart rivalëve të përjetshëm një perlë të tillë, presidenti aktual i të kuqve Herbert Hainer u përgjigj shkurt, se klubi bavarez është një klub tepër i fuqishëm në aspektin ekonomik.

66-vjecari i cili ka qenë administratori i përgjithshëm i Grupit Adidas pranoi se pavarësisht vuajtjeve të mëdha dhe humbjeve për shkak të pandemisë së koronavirusit Bajerni është në gjendje për të marrë lojtarë të tillë, nëse në klub janë të bindur për vlerat dhe përfitimet që mund të sjellin ata.

Vetëm dy javë më parë Drejtori Sportiv i të kuqve Hasan Salihamidzic njoftoi arritjen e marrëveshjes 5-vjeçare të Bayernit me qendërmbrojtësin e Leipzig-ut Dayot Upamecano. Nuk është hera e parë që drejtuesit e Bajernit peshkojnë në ujërat e Borusias së Dortmundit, sidoqoftë verdhezinjtë kanë besim të plotë se pavarësisht vështirësive të mëdha ekonomike me të cilat po përballet klubi nga Ruhri, Haaland do të vazhdojë të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm në Westfali.

Shtypi teuton ka bërë të ditur se verdhezinjtë kanë akumuluar një borxh prej 26,7 milionë eurosh, shumë që u konfirmua më pas edhe nga vetë drejtori i përgjithshëm i klubit Hans – Joachim Watzke, i cili ka përsëritur pafund në publik se Haaland do të vazhdojë të luajë për Borussian e Dortmundit. Duke parë edhe interesimin e veçantë të klubeve me emër në kontinent mbetet thjesht për t’u parë nëse edhe vetë sulmuesi ndan të njëjtin mendim me krerët më të lartë të klubit.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: