Armando Broja me një gol të vonshëm ia ka siguruar Shqipërisë një fitore jetike minimale 1:0 kundër Hungarisë, duke ia mbajtur gjallë shpresat kuqezinjve për kualifikim në Kupën e Botës 2022. I ardhur nga stoli në çerekun e fundit të ndeshjes në Elbasan të dielën, sulmuesi i Chelseat i huazuar në Southampton Broja e shënoi golin e tij të parë në fanellën kuqezi duke e mposhtur portierin me një goditje të fuqishme nga largësia në minutën e 88-të.
Nuk kishte mënyrë më të mirë për sulmuesin e ri ta shënojë golin e tij të parë për kombëtaren se t’ia sigurojë asaj tri pikë që e dërgojnë më afër ëndrrës. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë kundër Hungarisë dhe e treta në këto kualifikime, që nënkupton se tani kuqezinjtë i kanë 9 pikë në vendin e dytë në Grupin I.
Grupit i prin Anglia me 15 pikë, ndërsa Polonia është e treta me 7 pikë, aq sa ka edhe Hungaria. Triumfi i sotëm në Elbasan e ul presionin ndaj skuadrës së Eduardo Rejas, pasi Shqipëria do të përballet me ekipin më të dobët në grup të mërkurën, San Marinon, e cila i ka humbur të gjitha katër ndeshjet e deritanishëm në këto kualifikime.
Shqipëria vuajti shumë për ta gjetur golin e triumfit, megjithëse krijoi një mori rastesh shënimi, por i mungoi saktësia dhe goditja vendimtare para portës. Marash Kumbulla e lëshoi rastin më të mirë në pjesën e parë, kur nuk arriti ta fusë topin në rrjetë nga rreth dy metra lartësi, pasi u shërbye nga Berat Gjimshiti gjatë një rivënie nga këndi.
Bekim Balaj u gjend përballë portierit në fillim të pjesës së dytë, por ai gjuajti jashtë portës, duke e goditur rrjetën e jashtme të shtyllës së djathtë të portierit hungarez. Mundësia e vetme e mirë e hungarezëve erdhi rreth pesë minuta para fundit, kur Dominik Szoboszlai goditi jashtë portës së Etrit Berishës nga një pozitë ideale shënimi në zonë.
Menjëherë pas kësaj mundësi, Broja e mori një top rreth 30 metra larg portës dhe u afrua pranë zonës së portës hungareze nga ku goditi për ta mposhtur portierin në shtyllën e parë me një goditje të fuqishme në minutën e 88-të. Kuqezinjtë u mbrojtën mirë në minutat e mbetur dhe arritën fitoren e shumëvuajtur në Elbasan, e cila u jep shpresë atyre për të ëndërruar pjesëmarrjen e parë në një Botëror.