Cristiano Ronaldo nuk i ka punët mirë. Ai mund të dalë para gjykatës italiane për një marrëveshje të fshehtë që ka bërë me klubin e Juventusit. Zyrat e Juventus u bastisën nga policia të premten e kaluar ku u morën si provë kontratat e lojtarëve dhe faturat financiare. Deri më tani rezulton se Juventusi regjistroi në mënyrë të rreme vlerat e transfertave midis 2019 dhe 2021 që të ishin korrekt me Fair Play Financiar. Tani gazeta italiane La Gazzetta dello Sport shkruan se Prokurori Publik i Torinos mund të marrë në pyetje sulmuesin e Manchester United, Ronaldo, si pjesë e hetimit. Supozohet se prokurorët po shqyrtojnë një marrëveshje ‘sekrete’ që Ronaldo arriti me Juventusin gjatë kohës së tij atje, e cila mund të lidhet me shumën e pagës që ai shtyu në kulmin e pandemisë Covid-19 ose pagesën e largimit që mori përpara se të largohej në Old Trafford këtë verë.
Raportet në Itali pretendojnë se ka regjistrime të telefonatave ku drejtorët e Juventusit flasin për një ‘dokument që teorikisht duhej të ekzistonte’ në lidhje me Ronaldon, por hetuesit ende nuk e kanë gjetur.