Qendërmbrojtësi kuqezi Berat Gjimshiti i dhuron tri pikë të arta Atalantës, në përballjen e vështirë me Veronën. Shtatlarti i kombëtares sonë arriti të përcaktonte fituesin e përballjes me verdheblutë në minutën e 90’+4, duke mos gabuar përballë portierit Silvestri. Aksioni i nisur nga goditja e këndit u konkretizua me golin e Gjimshitit, i cili kontrolloi saktë krosimin e dhënë nga shoku i skuadrës Toloi duke çliruar nga ankthi tifozët bergamesk. Ekipi i Xhanpiero Gasperinit ‘djersiti’ jashtëzakonisht shumë përballë rivalëve të kapitenit të Kosovës Amir Rrahmani. Veronezët kaluan dy herë në avantazh në minutat 23 dhe 57, por Atalanta u kundërpërgjigj saktë duke u mohur verdhebluve kënaqësinë e fitores. Bergameskët u ndihmuan dhe nga dalja me kartonin e dytë të verdhë mbrojtësit polak të Veronës Pavel Davidoviç në minutën e 85-ë.
Gjimshiti e mori vetë situatën në dorë duke e bërë pasditen e paharrueshme për Atalantën teksa vendosi se 3 pikët e radhës duhej të takonin Atalantës. Pas 15 javësh kampionat, Atalanta pozicionohet në vendin e gjashtë me 28 pikë, zonë që e dërgon sezonin e ardhshëm në Europa Ligë. Duke parë sezonin e kaluar kur bergameskët siguruan pjesëmarrjen historike në Ligën e Kampioneve, këtë vit ambicia për të përsëritur rezultatin historik të 6 muajve më parë nuk shuhet aspak. Gjimshiti konfirmon rëndësinë që ka për Atalantën dhe kombëtaren e Shqipërisë.