Sport

Kreu i FSHF-së letër publike Taulant Xhakës pas largimit nga kombëtarja

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale për lamtumirën publike të Taulant Xhakës nga përfaqësuesja shqiptare.

Një mesazh përtej falënderimit të zakonshëm për të gjithë ata që i kanë kushtuar pjesë të karrierës së tyre fanellës kuqezi, pasi ai është ndalur edhe të një lidhje miqësore që kishte me lojtarin.

Ai nuk ka ngurruar të shprehë hapur se nuk kishte në radhët e përfaqësueses një futbollist me karakterin e Xhakës, të cilën e ka vlerësuar si një luftëtar dhe profesionist që do i mungonte.

POSTIMI I DUKËS , I dashur Taulant! E lexova letrën tënde dhe më beso që më emocionoi shumë. Gjatë leximit më kalonte në mendje historia jonë në Kombëtare. Një histori lufte, përpjekjesh, triumfi dhe vuajtjesh. Një histori njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.

Ti ke qenë një motor për ekipin, një luftëtar i vërtetë, një djalë i përkryer (në fakt, do vazhdosh të jesh por jo më si lojtar). Për fat të keq, për këtë rol, nuk e kemi një zëvendësues.

Por shpresoj shumë që performanca jote gjatë këtyre viteve të shërbejë si model dhe si shembull për të gjithë futbollistët e të gjitha niveleve të ekipeve kombëtare.

Edukata familjare, ajo profesionale dhe ato që përmenda më lart, u bënë bashkë, u “kapën përdore” dhe prodhuan këtë personalitet dhe njeri, këtë luftëtar dhe profesionist, që do të më mungojë.

Në këtë botë miku im, ajo që mbetet është kontributi për të arritur suksesin dhe emri i mirë. Ti këto i ke arritur. Prandaj, kontributi yt, mund të quhet “mision i përmbushur”.

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, se çdo rrugëtim, sado i gjatë të jetë, e ka një fund. Për këtë kontribut të gjatë dhe tepër të vlerësuar, ti miku im, ke hyrë në librin e historisë dhe hollin e famës së futbollit shqiptar. Si dashamirës futbolli, si bashkudhëtar i suksesit tënd dhe si President i FSHF, jam shumë i lumtur ta konfirmoj këtë.

I dashur Taulant! Mua personalisht do të më kesh gjithmonë një mik të përjetshëm. Besnik dhe krenar për miqësinë tonë. Të përqafoj. Armand Duka

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: