Categories Sport

Krijimi i Superligës, njerëzit e futbollit në Angli e kundërshtojnë

Krijimi i Super Ligës Evropiane ka shkaktuar një tërmet të vërtetë anembanë Kontinentit të Vjetër, por reagimet më të forta në mënyrë të pritshme vijnë nga ishulli, ku kanë qendrën e tyre 6 nga 12 klubet që bëjnë pjesë në grupin themelues të kësaj strukture. Bëhet fjalë pra për gjysmën e klubeve pjesëmarrëse dhe ekipe si Manchester United, Liverpool, Manchester City, Chelsea, Tottenham Hotspur dhe Arsenal përfaqësojnë 6 nga 11 klubet më të pasur në glob.

Kanë qenë të shumtë njerëzit e shquar të botës së futbollit që kanë reaguar pa humbur kohë në Angli, duke dhënë mendimin e tyre, sapo u zyrtarizua lajmi i themelimit të Super Ligës Evropiane dhe krijimi i një strukture paralele, për 6 ndër klubet më të rëndësishëm të Premier League-s. Trajneri më i famshëm dhe njëherësh edhe më i suksesshëm në gjithë historinë e Premiership-it Anglez Alex Ferguson deklaroi se të flasësh për Super Ligën është njësoj si të shkëputesh përfundimisht nga 70 vjet histori që ka futbolli i Kupave të Evropës.

Fergie shtoi se qoftë si lojtar në vitet 60 të luaje me një skuadër modeste si Dunfermline, apo edhe si trajner me ekipin e Aberdeen-it, me të cilin trajneri legjendar fitoi Kupën e Kupave, për një klub të vogël provincial ishte njësoj si të ngjisje Everest-in. 79-vjeçari kujtoi se drejtuesit e Evertonit janë duke bërë përpjekje të jashtëzakonshme, duke shpenzuar plot gjysmë miliardë stërlina, për të ndërtuar një stadium të ri, në mënyrë që të kenë mundësi për të luajtur në Champions League. Alex Ferguson tha se fansat e shumtë në të gjithë botën e duan këtë kompeticion kështu siç është, ndërkohë Fergie kujtoi gjithashtu edhe katër finalet në Champions, duke i cilësuar si netët më të veçanta në karrierën e tij. Në fund Ferguson e mbylli fjalën e tij duke deklaruar se nuk është shumë i qartë për përfshirjen e drejtuesve të United në këtë projekt, ngaqë veterani skocez nuk është më pjesë e procesit të marrjes së vendimeve, në kryesinë e këtij klubi. Në kor janë bashkuar njëzëri edhe shumë ish-futbollistë apo trajnerë të famshëm të kampionatit anglez.

Kështu Gary Neville e konsideroi një iniciativë të tillë si një akt kriminal kundër fansave të futbollit. Ish-mbrojtësi i mirënjohur i “djajve të kuq” postoi një mesazh ku thuhej se ai është tifoz i Manchester United por ndjen neveri për një vendim të tillë të marrë nga drejtuesit e United. Ai tha se drejtuesit e këtyre 6 klubeve angleze nuk kanë fare lidhje me futbollin në një vend si Anglia, madje Gary Neville shpjegoi se sipas tij klube si Manchester United, Arsenal apo dhe Tottenham janë përfshirë në një projekt të tillë, por nuk kanë të sigurt as pjesëmarrjen në Champions League. 46-vjeçari tha se është nxehur më shumë pikërisht me drejtuesit e dy klubeve më të suksesshëm në Angli, Manchester United dhe Liverpool. Neville propozoi heqjen e pikëve, zbritjen e këtyre 6 ekipeve në fund dhe heqjen e parave nga duart e krerëve të këtyre klubeve.

jalët e mbrojtësit legjendar të “red devils” u mbështetën plotësisht edhe nga presidenti italian i Leeds-it, biznesmeni Andrea Radrizzani, i cili drejton Eleven Sports, kompani që merret me transmetimin e ndeshjeve të Premier League-s dhe Kupave të Evropës në territore të ndryshme, anembanë botës. Ish-qendërmbrojtësi i “djajve të kuq” Rio Ferdinand e quajti të turpshëm krijimin e një grupimi të tillë dhe sipas tij me një iniciativë si kjo krerët e këtyre klubeve janë vënë kundër futbollit dhe i kanë shpallur luftë këtij sporti. Po në të njëjtën linjë natyrisht është rreshtuar edhe ish-kapiteni i Liverpulit Jamie Carragher, i cili vuri në dukje babëzinë e pronarëve të këtyre klubeve për të fituar sa më shumë para në kurriz të futbollit, me një vendim të turpshëm, që bie ndesh me të gjitha parimet e njerëzve që kanë dhënë kontributin e tyre të pashembullt në klubin e famshëm nga Merseyside.

Në lidhje me Super Ligën Evropiane mediat kanë nxjerrë nga arkivi edhe një deklaratë të vitit 2019, të dhënë nga trajneri i tanishëm i Liverpulit Jurgen Klopp, i cili asokohe shpresonte që një iniciativë e tillë të mos realizohej kurrë, sepse sipas tij me modelin aktual që ka Champions-i dhe Europa League futbolli ka një produkt të shkëlqyer dhe funksionon më së miri. Trajneri gjerman dy vjet më parë pati thënë gjithashtu, se sipas tij Champions-i është Super Liga Evropiane dhe nuk ka arsye për të krijuar një sistem të ri, ku Liverpuli të përballet për 10 vjet rresht me një klub si Reali i Madridit.

Veterani francez Arsene Wenger pati postuar në tetorin e vitit të kaluar gjithashtu një mesazh në Twitter, ku shpjegonte se sipas tij suksesi i një procesi të tillë do të varej plotësisht nga arritja e një marrëveshjeje të mirëfilltë me klubet angleze. Micah Richards dhe Roy Keane, dy analistë të Sky-t ngritën pyetjen se çfarë do të bëhet me fansat e shumtë, pasi tifozët e këtyre klubeve do të lihen mënjanë, me synimin për të shtuar sa më shumë që të jetë e mundur përfitimet e drejtuesve, ndërsa ish-sulmuesi i famshëm Gary Lineker, moderatori i emisionit më të ndjekur të futbollit anglez “Match of the Day” shprehu bindjen e tij se një komplot i tillë, do të marrë fund shpejt.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Sport

Gjimshiti: Krenari dhe lumturi, e merituam kualifikimin ndaj Liverpoolit

Atalanta shkroi historinë përballë Liverpoolit. Skuadra e Gasperinit eliminuan skuadrën e Klopp, duke siguruar një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Mario Mitaj flet me zemër: Kam lindur në Athinë, por s’jam grek, E dua Shqipërinë, jam patriot!

Një nga më të mirët në dy miqësoret që Kombëtarja shqiptare zhvilloi, ishte Mario Mitaj.…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Zbulohet kush pagoi 1 milion euro për të liruar Dani Alves nga burgu, nuk është Neymar

Ish-shoku i skuadrës i Dani Alves te Barcelona, Memphis Depay, thuhet se i ka paguar…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Sokol Kushta: Kombëtarja dhe trajneri dje fituan Brojën, Sylvinho tregoi se di të ndryshojë

Sokol Kushta, legjenda e futbollit kuqezi, në një reagim në rrjetet sociale, vlerësoi lojën e…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Mbi 20 mijë bileta të shitura/ Sylvinho tenton të ndryshojë ujërat, Statistikat flasin për suedezët

Shqipëria do të zhvillojë sonte në mbrëmje testin e dytë miqësor kundër Suedisë në Stokholm.…

LEXO ME SHUME