Lionel Messi nuk bën mrekulli vetëm në fushë, por edhe në jetën e përditshme. Në vitin 2007 ylli argjentinas ka krijuar fondacionin e tij, nëpërmjet të cilit ka arritur të bëjë shumë bamirësi dhe të ndihmojë njerëzit në nevojë. Megjithatë “pleshti” nuk kërkon të ndalet me kaq, pasi fondacioni i tij ka si synim të ndërtojë një spital, që do i dedikohet fëmijëve të sëmurë me kancer.
Kjo qendër do të jetë më e madhja e llojit të saj në Evropë. E gjithë kjo vepër do të kushtojë 30 milionë euro dhe do të ngrihet në qytetin e Barcelonës. Në ceremoninë e nisjes së punimeve ishte edhe Leo Mesi, i cili mbajti një fjalim të shkurtër.
“Është një moment shumë i lumtur, është e jashtëzakonshme të jesh pjesë e këtij projekti dhe të shohësh teksa realizohet. Falënderoj njerëzit, që ndihmuan për të bërë të mundur gjithë këtë. Shpresoj që pas kësaj, fëmijët të mund të luftojnë më me forcë këtë sëmundje mizore dhe në të mund t’i ndihmojmë ato. Ndihem shumë i lumtur që kam arritur të bashkëpunoj në realizimin e kësaj ëndrre”, u shpreh ylli argjentinas.