Categories Sport

Moisi Dalipi: Përparim Kovaçi , ikona e futbollit beratas

Gazeta TELEGRAF Në një ceremoni  të zhvilluar  në Berat  më 20 maj 2018  me rastin  e dekorimit të personaliteteve të shquara të sportit  Presidenti i Republikës zoti Meta, për të përshëndetur  ikonën  e futbollit beratas Përparim Kovaçi ka zgjedhur  ndër të tjera  fjalët:  “Jani Kaçi ,  Jani Kaçi  prite se po të  vjen  Përparim Kovaçi”-. Kaq ka mjaftuar që salla e tejmbushur të shpërthejë fort në një etusiazëm të madh,  duke përshëndetur idhullin e tyre të top këmbës .

Një vlerësim i merituar ky me titullin “Mjeshtër i Madh” për Përparim Kovaçin të njohur ndryshe në opinionin   sportiv shqiptar si “pantera e zezë “ e fushave të blerta .  Dhe   me titullin “Mjeshtër i Madh” atë ditë  në Berat , përveç futbollistit model  të viteve 1972-1990 Përparim Kovaçi, do të dekoroheshin dhe pingpongisti Ilir Shabanaj , volejbollistia Ollga Gjoku, dhe peshëngritësi Vasil Hoco.

Takimi me këtë figurë të  futbollit beratas dhe jo vetëm, nuk është i vështirë për t’u realizuar. Pas seancës të stërvitjes me ekipin  e U-15  të Tomorrit , të cilin ka disa muaj që  e ka marrë për ta trajnuar, Rim Kovaçi është i disponueshëm të rrëfejë gjithçka për karrierën e tij  18 vjeçare si futbollist. Por , që në kontaktin e parë ai merr një qëndrim serioz  duke e shëtitur vështrimin e tij tek kodrat dhe malet që rrethojnë qytetin e “një mijë dritareve” , Beratin e tij të dashur.-

“Emrin skuadra jonë e ka Tomorr , si ai mali aty në horizont, që është  hijerëndë dhe shumë  krenar. Dhe e tillë ka qenë dhe skuadra jonë në ato vite.Tani  që kemi disa vite  kemi luajtur  në  nivelet e Kategorisë  së Dytë dhe  të Parë. Nuk  gjej  dot as një kodër dhe jo më mal si ai i Tomorrit për ta krahasuar”.

Kur i thotë këto fjalë, Përparim Kovaçit i lagen sytë nga nostalgjia e moshës. Dhe ka shumë të drejtë. Me ekipin e futbollit të qytetit të tij “Tomorri ‘, ai ka kaluar vitet më të bukura të jetës. Dhe ka qenë vetëm  8 vjeç , aty në lagjen e tij “Kushtrimi” , kur i harruar për orë të tëra pas lojës të topkëmbës  do niste rrugën e bukur të futbollit. Trajneri tij i parë Zoi Konomi do ta bënte pjesë të ekipit të “Shtëpisë të Pionierit”.

Edhe pse vinte nga një familje punëtore dhe me shumë anëtarë në përbërje , Përparimi nuk do t’i ndahej  topit të futbollit . Nga ekipi i të rinjve me trajner Filip Lecin në moshën 17 vjeçare do bëhet pjesë e  ekipit të  parë. Trajneri Mon Xhamo do t’i besojë këtij talenti me të ardhme vendin e titullarit në skuadër.

Në  fanellë zgjedh numërin 10, që dikur e mbante Teli Zaho, Bajram Qole dhe Luke Hodo. I shpejtë , teknik dhe golashënues i aftë do ishte Përparim Kovaçi. Dhe pikërisht kur ishte vetëm  20 vjeç , në vitin 1976  në prag të ndeshjes Skënderbeu-Tomorri  ka lindur  togfjalëshi i tifozerisë të zjarrtë beratase :” Jani  Kaçi , Jani Kaçi , po të vjen  Përparim Kovaçi”. Dhe fati e donte që Rim Kovaçi të shënonte gol dhe në atë ndeshje edhe pse ekipi i tij nuk fitoi.Të pashlyera do mbeten  në kujtesën e tij ndeshjet “derbi” midis Tomorrit dhe Naftëtarit  të Kuçovës.

Vetëm 20 kilometra e ndajnë Beratin nga Kuçova , por ndeshjet  ndizeshin  “flakë” jo vetëm në fushën e lojës, por dhe në tribuna. Në fushë Përparim Kovaçi- Vladimir Skuro  do ishin protagonistët e çdo ndeshje.Tomorri i drejtuar nga trajnerët Andrea Xheblati dhe Guxim Mukli me futbollistë të tillë  në skuadër si Bashkim Polovina, vëllezërit Robert dhe Arben Kokalari, Petrit Cilingiri dhe dy vëllezërit e tij , Agim Matrapazi, Kiço Mile,Theodhor Arbëri e të tjerë  do  formatonin një skuadër që rivalizonte me dinjitet dhe me ekipet elitare.

Në sezonin 1979 -1980 , sulmuesi potent Pëparim Kovaçi do shpallej dhe golëshënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar  me  18 gola, duke shënuar emërin e tij përkrah Muratit, Përnaskës , Bizit dhe  sulmuesve të tjerë të atyre viteve. Dhe vlerësimet atë vit për Përparim Kovaçin nuk mungojnë , por  trajnerit të ekipit kombëtar Loro Boriçi nuk i hyn shumë  në sy , ky sulmues  robuz me arsyen se është shtatshkurtër.

Gjithsesi , sulmuesi që  si profesion pune kishte zgjedhur atë të mekanikut në  ish ndërmarrjen e  ujsjellësit të qytetit , do t’i besoj fort këmbëve të tij në fushën e lojës. Portierët  e atyre viteve si Musta , Luarasi, Sare, Sharra, Kaçi e të tjerë do  njohin mirë aftësitë e shënimit të golit nga Përparim Kovaçi.Mbrojtësit Çoçoli e Targaj , Berisha dhe Cani ,Taho dhe Cipi .

Kapedani dhe Ciko, do ishin të kujdesshëm në mbulimin e tij në ndeshjet me Tomorrin . Dhe atë që nuk bën ekipi kombëtar për Kovaçin e bën Flamurtari në  Kupat Ballkanike në  sezonin   1981-1982 ku vlonjatët  kanë në grup A.E.K.te Athinë dhe Mostar –Velezh. Ndeshjet e zhvilluara  me vajtje –ardhje  japin këto rezultate: A.E.K –Athinë 3-2 Flamurtari Vlorës (golat për vlonjatët Spiro Curri  15` Shemsi Zilja 35`, Flamurtari  2-1 Velezh –Mostar (golat për vlonjatët Spiro Curri 43` dhe Ferdinat Lleshi 55`. ,Flamurtari 2-1 A.E.K Athinë (golat për vlonjatët Spiro Curri 20` , Përparim Kovaçi  50`) , dhe Velezh –Mostar 4-1 Flamurtari (golin për vlonjatët  Përparim Kovaçi  79`). Kështu  arshivës të golave të shënuar në karrierën e tij (që askush nuk e di të saktë numërin e tyre) do t’i shtohen dhe këta gola ballkanikë.

Dhe për të gjithë atë karrier të pasur sportive Përparim Kovacic është trajtuar me kryerjen e shërbimit ushtarak në fshatin Uznov –Berat  dhe një hyrje banimi  një dhomë+guzhinë. Paradoksi i kohës për këto „privilegje“  shumë të merituara për ata që kanë ngritur lart emrin e qytetit të tyre edhe në sport. Dhe i tillë  ka qënë për 18 vjet rresht 1972-1990  për  qytetin e Beratit dhe tifozërinë e tij  sulmuesi Përparim Kovaci.

Dhe „lamtumira“ me futbollin e luajtur do vijë në vitin  1990 , kur në një ceremoni të thjeshtë , të bukur, të duartrokitur gjatë nga tifozët , ai „pantera e zezë“ ose „Maradona  i Beratit“ do  t’i dorëzojë fanellën me numër 10 –të  sulmuesit dhe golshënuesit të njohur Kliton Bozgo.

Do të largohej  nga futbolli, por jo nga dashuria e tij e madhe e topkëmbës që i shërben ende dhe sot që është 63 vjeç.“Me futbollin  jeta  bëhet më e bukur, më fisnike dhe me më shumë motiv“ – thotë  Përparim Kovaçi.Në bisedën e tij kupton qartë se  ai ndihet mirë që në këto vitet kur ai ka lënë futbollin  skuadra e Tomorrit ka përgatitur djem që dinë të jenë dhe  shënues të mirë të golit si Kliton Bozgo, Arben Arbëri, Klodian Arbëri dhe tani së fundi Myrto Yzuni.

Dhe si për t’u ndier  i vlerësuar për atë që i ka dhënë ekipit të futbollit Tomorri , sulmuesi i njohur Përparim Kovaçi krenohet me titullin „Mjeshtër i Merituar „ , por në veçanti me  vlerësimin që bëri më 18 maj 2018  Presidenti i Republikës zoti Ilir Meta  duke i dhënë titullin e lartë „Mjeshtër i Madh“.

Por vetëm kaq, sepse Bashkia e Beratit   ka harruar që në qytetin e tyre jeton  një  ish futbollist dhe tani trajner i ekipeve të moshave me emrin Përprim Kovaçi që meriton me  plotësisht të  drejtë  titullin   „Qytetar Nderi“. Por këtë Përparim Kovaçi e ka harruar dhe F.SH.F për ta vlerësuar për  atë që i ka dhënë futbollit shqiptar. Gjithsesi, ai pret aty në qytetin e tij Berat, duke trajnuar  futbollistët e ardhshëm që dikush të kujtohet e  t’i japë atë vlerësim moral që  i takon për  vitet e rinisë , për  djersën e derdhur në fushat e futbollit.
Skeda  e Përparim  Kovaçit

Lindur:  Në Berat, më 8 janar 1956 Karriera në futboll: Me Tomorrin në vitet 1972-1990
Roli në  skuadër: Sulmues Numri i fanellës: 10 Ndeshje ndërkombëtare: Dy ndeshje në Kupat Ballkanike  në vitet 1981-1982 me Flamurtarin e Vlorës Vlerësimet: Golashënuesi më i mirë me 18 gola në sezonin 1979 -1980, “Mjeshtër i Merituar” në vitin 1992 dhe “Mjeshtër i Madh” në vitin  2018 .

                                               Skeda  e Përparim  Kovaçit
Lindur:  Në Berat, më 8 janar 1956 Karriera në futboll: Me Tomorrin në vitet 1972-1990
Roli në  skuadër: Sulmues Numri i fanellës: 10 Ndeshje ndërkombëtare: Dy ndeshje në Kupat Ballkanike  në vitet 1981-1982 me Flamurtarin e Vlorës Vlerësimet: Golashënuesi më i mirë me 18 gola në sezonin 1979 -1980, “Mjeshtër i Merituar” në vitin 1992 dhe “Mjeshtër i Madh” në vitin  2018 .

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Sport

Gjimshiti: Krenari dhe lumturi, e merituam kualifikimin ndaj Liverpoolit

Atalanta shkroi historinë përballë Liverpoolit. Skuadra e Gasperinit eliminuan skuadrën e Klopp, duke siguruar një…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Mario Mitaj flet me zemër: Kam lindur në Athinë, por s’jam grek, E dua Shqipërinë, jam patriot!

Një nga më të mirët në dy miqësoret që Kombëtarja shqiptare zhvilloi, ishte Mario Mitaj.…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Zbulohet kush pagoi 1 milion euro për të liruar Dani Alves nga burgu, nuk është Neymar

Ish-shoku i skuadrës i Dani Alves te Barcelona, Memphis Depay, thuhet se i ka paguar…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Sokol Kushta: Kombëtarja dhe trajneri dje fituan Brojën, Sylvinho tregoi se di të ndryshojë

Sokol Kushta, legjenda e futbollit kuqezi, në një reagim në rrjetet sociale, vlerësoi lojën e…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Mbi 20 mijë bileta të shitura/ Sylvinho tenton të ndryshojë ujërat, Statistikat flasin për suedezët

Shqipëria do të zhvillojë sonte në mbrëmje testin e dytë miqësor kundër Suedisë në Stokholm.…

LEXO ME SHUME