Sport

Peshëngritja në zi, ndahet nga jeta Vehap Xhindoli

Lamtumirë Vehap Kampioni! Shqipëria u gdhi pa legjendën e vet të sportit të peshëngritjes Vehap Xhindoli. Beteja me virusin tinzar Covid 19 ishte e vetmja që humbi dje i pamposhturi i shtangave shqiptare… Kush ka pasur rastin e mirë ta njohë nga afër Vehap Xhindolin, ka pasur fatin të njohë nga afër një njeri të rrallë.

Punë prej titani dhe vullnet i jashtëzakonshëm ka qenë e gjithë jeta e tij deri dje kur u largua prej nesh duke na lënë pas një zbrazëtirë dëshpëruese… Punë, mund dhe djersë për të thyer rekorde e për të fituar medaljet e kampionit në sportin e rëndë të peshëngritjes, atëherë kur filloi ky sport në Shqipëri…

Përmbi një dekadë kampion absolut në këtë sport burrëror. Si themeluesin e Cirkut në Elbasan do ta kujtojnë bashkëkohësit e tij. Ç’ishin më të rëndat dhe më të vështirat, të gjitha mbi krahët e fuqishëm të Vehap Xhindolit do ta mbajnë mend përherë ata që ndoqën shfaqjet e tij të guximshme… Thuhet se, për të qenë i suksesshëm në sport apo art, tri gjëra janë të domosdoshme në jetë: TALENT, PUNË dhe FAT.

Nga këto, njeriu ka në dorë vetëm njërën: PUNËN. Të tjerat i ka në dorë tjetërkush. Natyra ose Zoti. Por Vehap Xhindoli me shembullin e tij e shpërfilli këtë aksiomë. Ai, megjithëse edhe FATIN e pati kundër për gjatë gjithë jetës, përsëri triumfoi. Triumfoi dhe arriti majat vetëm me punë e me djersë, se vetëm atë, punën dhe vetëm punën nuk e reshti për asnjë çast. Bota e sportit të peshëngritjes humbi një nga arbritrat e saj më të aftë e të ndershëm, ndërsa Shqipëria, me largimin nga kjo jetë të Vehap Xhindolit, humbi të vetmin “Arbitër Ndërkombëtar”.

Në sallat e garave të peshëngritjes, do të ndjehet mungesa e modelit të një gjyqtari si ai. Talentin e tij të lindur ai nuk u lodh kurrë ta vaditte me djersë. Deri në fund, me punë e vetëm me punë, ashtu i vetëm, si në sportin individual të peshëngritjes, kampioni dhe rekordmeni i dikurshëm, i pamposhturi Vehap Xhindoli nuk reshti për asnjë çast të na japë vlera të çmuara edhe në fushën e përkthimeve.

Duke bërë punën e “hamallit” për të sjellë në shqip kulturën botërore, urtësinë e qytetërimeve franceze, apo angleze, “Mjeshtëri i Merituar i Sportit”, “Qytetari i Nderit të Elbasanit”, “Mjeshtri i Madh” Vehap Xhindoli, megjithëse kishte hyrë në dekadën e tetë, përsëri aktiv e i papërtuar.

Edhe në fushën e dijes e të letrave të cilës nuk iu nda për asnjë çast, ai zgjodhi të kapë pjesën më të rëndë “të shtangës”, më të lodhshmen, atë të përkthimeve. Për këtë dhe vetëm për këtë, gjithë ne bashkëkohësit i kemi borxh një FALEMINDERIT atij.

Mirënjohja më e madhe e shoqërisë për këtë legjendë të sportit shqiptar, veç kënaqësive të vlerave edukative, si edhe atyre të padiskutueshme morale që mbart në vetvete sporti, duhet t’i drejtohet Vehap Xhindolit edhe për modelin që u la pas më të rinjve.

Prandaj, me plot gojën, Vehap Xhindoli i pavdekshëm, mund të quhej ndryshe edhe Vehap PUNA, Vehap VULLNETI apo Vehap KAMPIONI. Lamtumirë Vehap Kampioni! * Nga Ilir MBORJA

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: