
Është luajtur pasditen e sotme sfida e vlefshme për javën e 12-të në Premier League-n angleze mes Chelsea dhe Manchester City. Ndeshja në “Stamford Bridge” ishte epike pasi u shënuan 8 gola, por në fund nuk festoi asnjëra pas përfundoi 4-4.
Haaland ishte i pari që shënoi dhe zhbllokoi takimin duke kaluar “The Citizens” në avantazh në minutën e 25′ nga pika e penalltisë. Por reagimi i bluve të Londrës ishte i menjëhershëm pasi në minutat 29′ dhe 37′, Thiago Silva dhe Sterling përmbysën rezultatin. Pak para përfundimit të 45 minutave të para mbrojtësi i miqve, Akanji riktheu baraspeshën.
Me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, ishte sërish Haaland që riktheu City-n në avantazh. Nuk vonoi kundërpërgjigjja e Chelsea me sulmuesin Jackson në të 67-tën.
Katër minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, mesfushori Rodri shënoi sërish për skuadrën e Guardiolës, duke e çuar sfidën në 3-4. Në të 89-tën u aktivizua edhe sulmuesi kuqezi i Chelsea Armando Broja me shpresë për të fituar 1 pikë.
E kur dukej se gjithçka po mbaronte me fitoren e Manchester City, skuadra vendase fiton një penallti falë Armando Brojës që u përplas në mes të zonës. Nga pika e bardhë Palmer nuk gaboi duke barazuar sërish në minutën e 95′.
Ky barazim mban City-n në vendin e parë me 28 pikë, 1 më shumë se Liverpool. Ndërsa Chelsea mbetet ende në mes të tabelës së renditjes me 16 pikë.