Categories Sport

Vendimi i UEFA-s/ Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Rusia refuzojnë të luajnë ndeshje zyrtare me Kosovën

Kombëtarja dhe ekipet e Kosovës në futboll, në kuadër të garave kualifikuese në ligat evropiane, por edhe kualifikimet për kampionatet evropiane, nuk do të mund të zhvillojnë ndeshje si nikoqir apo mysafir ndaj Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Rusisë, thonë zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës. Sipas tyre, ky është vendim i Federatës Evropiane të Futbollit – UEFA dhe ai është i vlefshëm, përveç në rastet kur përfaqësueset e këtyre vendeve ose ekipet e tyre arrijnë në fazën eliminatore ose finale të ndonjë gare apo kampionati.

Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që ndeshjet eventuale të ekipeve të Kosovës me ekipet e këtyre tre vendeve, në rast se arrijnë në fazën e eliminatoreve ose finaleve, do të luhen në terrene neutrale. Ndërkaq, në rastin e kombëtareve, për kualifikimet për kampionate evropiane, UEFA do të kujdeset që të shmangë pjesëmarrjen e tyre brenda një grupi garues.

“Në mënyrë juridike, këto nuk janë rregulla, por përjashtime, për arsye se në fillim, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë kërkuar me shkrim që të evitohen takimet e ekipeve, por edhe përfaqësueseve të Kosovës në ndeshjet kualifikuese. Pra, qoftë për përfaqësuese, qoftë për ekipe. Pastaj, në momentin e fundit edhe Rusia ka kërkuar ngjashëm. Me një vendim të Komitetit urgjencë të UEFA-s, është vendosur që edhe Rusia të mos luajë me ekipet e Kosovës në vend të vet, por të paktën në terrene neutrale. Ky është edhe një përjashtim tjetër”, ka thënë Salihu.

Ai ka shtuar se deri në fazën finale të garave do të veprohet kështu, por në fazën finale të kampionateve evropiane, takimet nuk mund të evitohen, sepse konsiderohet që po luhen në terrene neutrale.

“Nëse është kampionat evropian apo kampionat botëror, sigurisht që do të luhet sipas agjendës që është përcaktuar, sepse askush nuk mund të lëvizë aty më. Por, nëse është për garat ekipore, që nuk mund të evitohet më në fund, atëherë sigurisht do të luhet në terren neutral ose vajtje –ardhje, nëse eventualisht ekipet pajtohen. Pra, këto janë opsione që pritet të shihen, por është e sigurt që në fazën finale nuk mund të evitohen takimet e tilla”, u shpreh Salihu.

Arbnor Morina, trajner i futbollit i licencuar nga UEFA, vlerëson që vendimi i kësaj organizate të futbollit që ekipe apo përfaqësuese të vendeve të caktuara të mos zhvillojnë takime, përveç në fazën e eliminatoreve dhe finaleve, është për arsye politike, Kjo sipas tij, është një problem i instaluar për ta ruajtur qetësinë politike në mes të shteteve të ndryshme, por që bie ndesh me parimet e UEFA-s.

“Postulati i parë në dokumentacionet e UEFA-s thotë ‘përhape demokracinë’ dhe nuk thotë bëhu pjesë e fushatave politike. Si e tillë, është shumë e dëmshme sa i përket futbollit në përgjithësi, si një vlerë universale. Mirëpo, ky është një vendim politik, i cili merret në një organizatë të futbollit, e cila vetvetiu quhet organizatë e futbollit, por në prapaskenë ka edhe politikë. Aty ne nuk jemi shumë të fuqishëm për të bërë diçka më tepër, sepse këto vendime merren në qarqe të caktuara për njëfarë qetësie brenda të gjithë atyre, të cilët janë pjesë e UEFA-s dhe e FIFA-s”, tha Morina.

Por, sa janë reale parashikimet se do të shkaktoheshin probleme dhe incidente në vendet përkatëse, në rast se ato do të ishin nikoqire të Kosovës apo edhe anasjelltas?

Morina, shpreh mendimin që ato janë reale, por jo në rastin e Kosovës.

“Mund të them me plot përgjegjësi që problemet më të mëdha do të dilnin në Serbi apo në Republikën Serbe (Bosnjë e Hercegovinë). Në vendet tjera po luhen ndeshjet dhe nuk ka incidente dhe nuk do të kishte. Për Kosovën, garantoj me përgjegjësinë më të madhe që nuk do të kishte pasur incidente, sepse policia e jonë e ka dëshmuar se po i organizon ndeshjet (sigurinë) në mënyrën më të mirë. Mendoj që edhe në këtë rast do ta jepte provimin e vet. Do ta dëshmonim që jemi të qytetëruar dhe si të tillë duam të jemi pjesë e Evropës futbollistike”, tha Morina.

Sidoqoftë, zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, aktualisht nuk presin që ekipet nga Kosova të kenë ndonjë sfidë në garat e kampionateve evropiane me ekipet nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Rusia. Sipas tyre, ekipet nga Kosova ende nuk janë mjaftueshëm të fuqishme për t’u plasuar në xhirot e mëvonshme kualifikuese. Ndërkaq, në garat e përfaqësueseve për kualifikimet për kampionatin evropian për grupmoshat U 19, rreth një javë më parë, Kosova ka zhvilluar takimin me Rusinë. Takimi është zhvilluar në Uells dhe ka përfunduar me rezultat të barabartë, një me një./REL/

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Sport

Mario Mitaj flet me zemër: Kam lindur në Athinë, por s’jam grek, E dua Shqipërinë, jam patriot!

Një nga më të mirët në dy miqësoret që Kombëtarja shqiptare zhvilloi, ishte Mario Mitaj.…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Zbulohet kush pagoi 1 milion euro për të liruar Dani Alves nga burgu, nuk është Neymar

Ish-shoku i skuadrës i Dani Alves te Barcelona, Memphis Depay, thuhet se i ka paguar…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Sokol Kushta: Kombëtarja dhe trajneri dje fituan Brojën, Sylvinho tregoi se di të ndryshojë

Sokol Kushta, legjenda e futbollit kuqezi, në një reagim në rrjetet sociale, vlerësoi lojën e…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

Mbi 20 mijë bileta të shitura/ Sylvinho tenton të ndryshojë ujërat, Statistikat flasin për suedezët

Shqipëria do të zhvillojë sonte në mbrëmje testin e dytë miqësor kundër Suedisë në Stokholm.…

LEXO ME SHUME
Categories Sport

“E dimë forcën tonë, jemi të bashkuar”, Sylvinho dhe Ramadani flasin para ndeshjes me Suedinë

Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e dytë miqësore të muajit mars ndaj Suedisë. Trajneri…

LEXO ME SHUME