Vllaznia vijon rrugëtimin perfekt në kampionat, duke marrë një fitore spektakolare në “frymën e fundit” kundër Tiranës në klasken e futbollit shqiptare. Në “Loro Boriçi” kryendeshja e javës së tretë u mbyll në shifrat 3-2. Herad Marku zhbllokoi ndeshjen nga pika e bardhë në minutën e 28-të. Kundërpërgjigja e bardhebluve erdhi në fillimin e fraksionit të dytë me talentin Muçi.
3 minuta më pas, Herald Marku shënoi një gol të bukur me një goditje nga distanca. Shkodranët nuk arritën që të ruanin sërish rezultatin, pasi në minutën e 63-të, portieri Zogovic, i dha mundësinë Sasrakut që të vendoste baraspeshën. Gjithsesi emocionet nuk përfunduan këtu, pasi në minutën e 7-të shtesë, Dunga shënoi golin e fitores së tretë, në po kaq ndeshje në kampionat. Në dy ndeshjet e tjera Partizani-Laçi dhe Teuta-Kukësi nuk do të kishte gol, me verilindorët që marrin pikën e parë dhe mbeten të fundit në renditje.