Sport

Zbulohet oferta që Barcelona do t’ia bëjë PSG-së për Neymarin

Barcelona ka filluar të negociojë edhe formalisht me Paris Saint-Germainit për të arritur marrëveshje për transferimin e Neymarit gjatë këtij afati kalimtar. Drejtuesit e dy klubeve po mbajnë takime sot. Barcelona është e përgatitur t’ia ofrojë kampionit francez 100 milionë euro dhe Philippe Coutinhon e Ivan Rakiticin në shkëmbim për Neymarin. Megjithatë, Barcelona fillimisht duhet ta bindë Rakiticin për ta pranuar këtë shkëmbim. Deri më tani, Barcelona kishte shpresuar se do të mundë të negocionte marrëveshje pa përfshirë para fare, vetëm përmes shkëmbimit me lojtarë. Përveç Coutinhos e Rakiticit, kampionia spanjolle ishte e gatshme ta sakrifikojë edhe Ousmane Dembelen, mirëpo jo edhe Nelson Semedon, të cilin po e kërkon PSG-ja. Megjithatë, burimet i kanë thënë ESPN-it se PSG-ja nuk është e kënaqur me Rakiticin, por është e interesuar për Coutinhos. Por, francezët po insistojnë që në marrëveshje të përfshihet edhe Semedo.

Në këto negociata, delegacioni i Barcelonës po drejtohet nga drejtori Javier Bordas, ndikimi i së cilit te kampionia e La Ligës është shtuar pas dorëheqjes së zëvendëspresidentit sportiv, Jordi Mestres. Në mesin e zyrtarëve që udhëtuan në Paris është edhe ndërmjetësi brazilian, Andre Cury, i cili kishte qenë personi kryesor në transferimin e Neymarit nga Santosi në Barcelonë në vitin 2013 dhe nga Barcelona në PSG para dy vjetësh.

Oferta e parë në vlerë prej 60 milionë eurosh dhe Coutinhon u refuzua menjëherë nga PSG-ja dhe Barcelona tani është gati t’i bëjë ofertë më të mirë për parisienët, pasi që i frikësohen rivalit të tyre, Real Madridit. Këto dy klube kanë më së shumti gjasa për ta transferuar Neymarin, i cili po e kërkon kthimin në Spanjë. Tani, dy rivalët janë duke luftuar për t’i siguruar shërbimet e brazilianit për sezonin e ardhshëm.

Neymari do të preferonte t’i bashkohej Barcelonës sërish, pasi që aty i kishte kaluar katër sezone të lumtura, duke luajtur përkrah Lionel Messit dhe Luis Suarezit. Megjithatë, ai raportohet se do ta pranonte një transferim në “Santiago Bernabeu” nëse katalonasit s’arrijnë marrëveshje me PSG-në. Tifozët e Paris Saint-Germainit i bënë të qarta ndjenjat e tyre për Neymarin gjatë ndeshjes hapëse të Ligue 1 të klubit, kundër Nimesit të dielën. Tifozët u incizuan duke brohoritur: “Neymari, bir b*shtre”, përderisa e mbajtën lart edhe një pankartë ku e shanin brazilianin.

Vetëm rreth 24 orë më vonë, të hënën, avokati i Neymari u pa duke hyrë në zyrat e “Camp Nou”, mes spekulimeve që e lidhin klientin e tij me një kthim në Barcelonë. Mediave spanjolle u është thënë se avokati nuk ishte aty për të diskutuar për Neymarin, mirëpo prezenca e tij në këtë periudhë i ka ngritur dyshimet.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button