Turizëm

Anijet turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit/ “12 mijë turistë vendas e të huaj gjatë këtij sezoni”

Sazan-Karaburuni, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në Vlorë është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës. Me një shtrirje detare rreth 1,9 km edhe këtë vit anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar organizonin udhëtime drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “që pas heqjes së izolimit anijet turistike në portin detar nisën udhëtimet drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Prej heqjes së izolimit për shkak të pandemisë deri në fund të shtatorit drejt Sazan-Karaburunit udhëtuan mbi 12 000 turistë vendas e të huaj”. Sipas tij, 2 mijë kanë qenë të huaj nga vende si Polonia, Bjellorusia, Gjermania, Serbia, etj, ndërsa 10 mijë turistë vendas dhe nga Kosova.

Drejtori i portit të Vlorës u shpreh se “operatorët turistikë që zgjodhën të nisen nga Porti i Vlorës drejt destinacioneve atraktive si Karaburuni dhe Sazani, operuan me 7 anije turistike, një numër më i ulët krahasuar me vitin e kaluar kur ishin 13 të tilla, kjo edhe për shkak të pandemisë COVID-19”, – tha Malaj.

Malaj theksoi se turistët gjatë udhëtimit me anije zbatuan masat duke përdorur maskat dhe qëndruar në distancë nga njëri tjetri. Udhëtimi ma anije iu ofron mundësi reale turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë. Sazani dhe Karaburuni janë kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: