Categories Turizëm

Turizmi 2022, një hap drejt normalitetit

Turizmi vijoi rikuperimin nga pandemia vitin e kaluar. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të nëntorit, 5.4 milionë shtetas të huaj hynë në territorin shqiptar, shumica për arsye turizmi. Ashtu si në vitin kur kulmoi COVID-19, edhe në vitin pasardhës, mbështetja kyçe e sektorit ishte turizmi patriotik. Kosova shënoi rritje të numrit të vizitorëve, edhe me periudhën e para-pandemisë. Nga vendi fqinj kanë hyrë gjithsej për janar-nëntor 2021, 2.6 milionë shtetas, me rritje prej 18% në krahasim me 11-mujorin e 2019-s.

Për të njëjtën periudhë, hyrjet nga Maqedonia e Veriut shënuan rënie prej 26%, nga Italia po me 26%, ndërsa tkurrja më e thellë është shënuar nga Greqia, me 55%. Shtetasit nga Kosova kanë kompensuar dukshëm tkurrjen e turistëve nga vendet e tjera. Për 11-mujorin 2021, hyrjet e turistëve nga Kosova përbënin 47.3% të totalit, nga 35.4% në janar-nëntor 2019.

Pritshmëria për vitin 2022? Pozitive

Tur-operatorët e cilësojnë vitin 2022 si një hap më shumë drejt normalitetit. Rritja e numrit të të vaksinuarve dhe lehtësimi i kufizimeve në udhëtim pritet të jenë faktorët kryesorë që do ta bëjnë turizmin e këtij viti të jetë edhe më afër asaj që njihnim para COVID-19.

Por ata shprehin sërish rezerva, pasi nëse ka diçka që kemi mësuar nga kjo pandemi, është vështirësia për të parashikuar. Varianti i ri Omicron ka vënë alarmin mes vendeve globalisht, por sipas deklaratave të imunologëve, ky variant është më i lehtë dhe ndoshta mund të jetë fillimi i fundit të pandemisë, çka le të kuptohet se në pranverë, gjërat mund të jenë më të lehta për t’u parashikuar.

“Një gjë është e qartë: BE nuk pranon të mbyllet përsëri plotësisht, pasi dëmet do të ishin të pariparueshme. Po tentohet drejt vaksinimit total (dhe me doza përforcuese) dhe hapjes graduale të aktiviteteve masive në vende të hapura, duke përdorur si masë parandaluese, Passport Covid free. Parashikimet e vitit 2022 janë për një kthim në normalitet të të gjithë sektorëve të Industrisë së Turizmit e Udhëtimit, por pa arritur të ardhurat e vitit 2019” – shprehet Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelierëve.

Pavarësisht hapave që do të bëhen drejt normalitetit, gjurmët e pandemisë nuk do të jenë të lehta që të fshihen, madje disa gjëra të saj do të mbeten aty, për një kohë më të gjatë. Kjo do të thotë se distancat dhe shmangia e grumbullimeve do të vazhdojnë të mbeten si tendenca edhe gjatë këtij viti.

“Pandemia COVID-19 ka rihapur debatin se si duhet të jenë destinacionet e udhëtimit në të ardhmen, pra turizmi pas 2022. Ndërsa në shekullin XIX, pandemitë e murtajës dhe kolerës çuan në zgjerimin e rrugëve, ekspertët besojnë se kriza aktuale shëndetësore do të rezultojë në një angazhim më të fortë për mjedisin dhe këmbësorizimin e qyteteve. Trendi më i ri është rikuperimi i hapësirës për këmbësorët. Qyteti “Antropocentrik”, njerëzor ose i ecshëm, duke promovuar si thelbësore që qytetarët dhe turistët të kenë hapësira për të ecur. Një qytet i ecshëm dhe i gjelbër përmirëson shëndetin e atyre që ecin nëpër rrugët e tij, duke shmangur një mënyrë jetese ulur, duke ulur ndotjen dhe duke kufizuar hapësirën për makinat” – pohon Topuzi.

Shqipëria, gati për tregjet që i munguan në pandemi

Polakët ishin i vetmi grup turistësh të organizuar që prej vitesh frekuentonin bregdetin shqiptar, përmes turizmit të organizuar dhe nuk munguan edhe gjatë pandemisë. Tregje të tjera të Europës Lindore iu bashkuan këtij grupi, si ukrainasit dhe bjellorusët, ndërkohë që grupet e turistëve nga Rusia dhe Serbia u rritën gjithashtu në dy vitet e fundit.

Nordikët, gjermanët dhe disa grupe të tjera, që po krijonin traditë me turizmin e organizuar në zonën e Golemit, por edhe në Sarandë, për shkak të kufizimeve në udhëtim nga COVID-19, munguan si në 2020, edhe në 2021. Megjithatë tur-operatorët shprehen optimistë se ndoshta ky vit do të jetë ndryshe. “Kontratat janë mbyllur gjatë korrikut dhe gushtit të vitit të kaluar për vitin 2022 dhe të parët që i rinovuan janë polakët. Agjencitë tona partnere kanë bërë vërejtjet e tyre për sa i takon sezonit që lamë pas, por më së shumti kanë qenë të kënaqur, gjë që ka rritur volumin që përfshijnë kontratat.

Përveç polakëve janë mbyllur edhe kontratat me çekët, ukrainasit, rusët me të cilët jemi në diskutime për rritje të numrit, si dhe izraelitët dhe nordikët, që gjithashtu kanë mbyllur kontratat për këtë vit. Mendoj se turistët gjermanë dhe zviceranë do të rikthehen me numra më të lartë” – pohoi për “Monitor” z. Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar.

Parashikimi bëhet edhe më optimist, po të kemi parasysh se vitin e fundit, turizmit shqiptar iu shtua edhe një treg tjetër me potencial në rritje, siç ishte ai nga vendet e Lindjes së Mesme dhe kryesisht nga Emiratet e Bashkuara. Është një treg që ka shfaqur interes dhe shpenzon, por sipas njohësve të sektorit Shqipëria duhet të përshtatë shërbimet edhe për këtë treg, i cili është më specifik, pasi në sezonin e kaluar u gjet e papërgatitur.

“Vendi u gjet i papërgatitur për kontingjentin e madh të turistëve të ardhur nga vendet arabe nëpërmjet korridoreve ajrore, Dubai, Arabi Saudite, Egjipt për arsye të kërkesave specifike që kanë këta turistë (në restorante apo shërbime specifike në dhomë, etj.)” nënvizon z. Topuzi nga Shoqata e Hotelierëve.

Por teksa pritet që turizmi të kthehet drejt normalitetit dhe të kemi një rritje të numrit të vizitorëve në vend, detyra më e madhe u takon institucioneve për të marrë masat e nevojshme në funksion të mbarëvajtjes së sezonit. Këto masa lidhen me ndarjen e hershme të stacioneve të plazhit, duke shmangur konfliktet në pikun e sezonit, menaxhimi më i mirë i trafikut, i cili në vitin e shkuar ishte një nga problemet kryesore dhe ku turistëve u duheshin orë me radhë për të përshkuar distanca të shkurtra. Ka nevojë për më shumë vëmendje sa i takon menaxhimit të mbetjeve. Në 2021, problematika e krijuar në disa bashki të vendit bëri që fotot me “male” mbetjesh të bënin xhiron në rrjet nga turistët e huaj, të cilët e shihnin me habi këtë situatë në pikun e sezonit.

PANDEMIA KTHEU VËMENDJEN TE TURIZMI I GJELBËR

Pandemia solli një kulturë pozitive drejt turizmit të aventurës dhe në 2021 ishim dëshmitarë për një kërkesë në rritje drejt këtij turizmi, duke qenë se, njerëzit e lodhur nga karantinimi, kërkuan natyrën, aventurë dhe ajër.

Blerina Ago, eksperte turizmi dhe anëtare ekzekutive e Federatës Botërore të Rafting, pohon se, një nga ndikimet e pandemisë në industrinë e turizmit është kthimi i vëmendjes së operatorëve turistikë dhe udhëtarëve drejt turizmit të gjelbër, përvojave të lidhura me natyrën. Sipas saj, turizmi i aventurës është lloji i turizmit, i cili po kthehet më shpejt me hapjen graduale të lëvizshmërisë.

“Duke shpresuar se do të ketë një kontroll të pandemisë, të paktën në nivelin europian, pra kontinenti i Europës të ketë shembuj të mirë me vaksinime të shpeshta, të kontrollohet deri diku shpërndarja e virusit, mendoj se, Shqipëria ka një mundësi të jashtëzakonshme që të kthehet në destinacionin e gjelbër më të kërkuar mes turistëve europianë. Tendenca tani është që, kërkohen më tepër destinacione të cilat nuk janë shumë masive, jo të populluara, duan t’u shpëtojnë radhëve. Ndaj besoj se do t’i kthejnë sytë nga Shqipëria ose nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Është një shans për ne, por duhet të jemi të aftë që të kemi mundësinë që t’ia komunikojmë turistit europian” – thotë znj. Ago.

Europa është, padyshim, tregu më i madh ku bazohet turizmi ynë, ndaj duhet lobuar më shumë për mundësitë që ka Shqipëria dhe arsyet se pse duhet të vijnë të vizitojnë vendin tonë, shton më tej znj. Ago. “Shpresoj shumë që njerëzit të vazhdojnë me të njëjtat hapa vaksinimi, sepse është shumë e rëndësishme që të jemi të mbrojtur vetë, të mbrojmë stafin tonë të punës dhe paralelisht, edhe t’u tregojmë vendeve dhe tregjeve që na interesojnë që Shqipëria është një vend i sigurt dhe e ka të kontrolluar pandeminë. Në këtë rast, mendoj se mund të jemi një ndër destinacionet e turizmit të gjelbër e të aventurës, rural dhe agroturizmit” thotë në fund ajo.

Neritan Ibi, nga “My Albania Nature Explorers”, shprehet se fillimi i këtij viti nuk ka qenë shumë i favorshëm sa u përket kushteve atmosferike, përveç hezitimit të shqiptarëve për shkak të COVID. Sipas tij, tejkalimi i situatës ka ardhur përpara sezonit veror dhe gjatë tij. Vitin 2022 e sheh më me optimizëm, duke qenë se vaksinimi është rritur dhe kërkesa për aventura dhe turizëm të gjelbër është shtuar. “Njerëzit duan shumë të udhëtojnë, sidomos të marrin nga përvoja që jep turizmi i aventurës, t’u largohen përjetimeve nga COVID. Vitin 2022 e shohim me optimizëm, ndonëse sfidat mbeten ende”- përfundon ai.

Kantinat e verës e vlerësojnë vitin që lamë pas si një vit të artë prodhimi, teksa ecuria e mirë e turizmit i ndihmoi ato të rikuperonin disi goditjen e marrë në vitin 2020, për shkak të pandemisë. Por edhe pse ka një rritje të kërkesës për verën shqiptare, viti 2021 nuk ishte aq i lehtë dhe si shumica e sektorëve të ekonomisë, edhe kantinat e verës u përballën me kosto të reja. Segmente të tilla si etiketat, qelqi apo transporti u shtrenjtuan dhe nëse kjo rritje do të jetë afatgjatë edhe në vitin aktual, kantinat do të jenë të detyruara të rrisin çmimet.

Viti 2021, pozitiv sa i takon prodhimit

“Si vit prodhimi ka qenë shumë i mbarë, sepse rrallëherë ndodh që bashkohen cilësia e rrushit me sasinë dhe mund ta quaj me bindje si një vit i artë për sektorin tonë. Në vitin 2021, Kantina Arbëri e shtoi kapacitetin e prodhimit deri në 2-3% krahasuar me vitet e kaluara” – pohoi Rigers Kaçorri nga Kantina Arbëri. Shumica e kantinave e bazojnë prodhimin te vreshtat e tyre, sipërfaqet e të cilave janë rritur nga viti në vit. Një shembull të tillë ka ndjekur edhe Kantina Çobo, që në vitin 2021, shumicën e rrushit e siguroi nga vreshtat e veta.

“Ne kemi nisur në fillim prodhimin e verës me rrushin e vreshtit tonë dhe duke u zgjeruar arritëm në një pikë ku 90% të rrushit e merrnim nga të tjerë. 5-6 vite më parë morëm me qira 37 hektarë toka, ish-vreshta që ishin bërë pyje dhe kemi mbjellë vreshtat tona. Në vitin e shkuar, rreth 60-70% e rrushit ka qenë nga vreshti ynë” – tha Muharrem Çobo.

Përfaqësuesit e kantinave raportojnë për një rritje të kërkesës në treg për verë, diçka që vjen më e theksuar në fundvit sikurse ndodh tradicionalisht me festat, por oksigjeni i vërtetë i këtij viti ishte turizmi.

“Viti 2021 ka qenë pozitiv dhe rol kyç në këtë aspekt ka luajtur turizmi. I lidhur ngushtë me sektorin tonë, turizmi nxiti konsumin si në bare e restorante, por edhe në kantinat tona, ku ofrohen paketa degustimi. Mund të them se, në tërësi, sektori shënoi rimëkëmbje dhe këtë e tregon më së miri rritja e porosive në kantina, rritja e likuiditetit. Mund të them se kemi hyrë në rrugën e normalitetit para pandemisë” theksoi Levent Nurellari nga Kantina Nurellari.

Në vitin 2022, shpresa te turizmi

Muharrem Çobo, nga Kantina Çobo, shprehet se turizmi është sektori kyç që ndikon aktivitetin e tij dhe u desh një situatë si ajo e pandemisë dhe kufizimeve për të kuptuar peshën që ka tregu i huaj në tërësi në biznesin e tij. “Në 2020-n kemi pasur gjysmën e xhiros dhe me keqardhje kuptova sesa produkti im konsumohet nga shqiptarët dhe më rezultoi që vetëm gjysma. Gjysmën tjetër e pinë të huajt” – pohon ai.

Ndaj pritshmëria e tij për vitin aktual lidhet ngushtë me ecurinë që do të ketë ardhja e të huajve. “Viti 2022 mendoj se do të jetë vazhdim i përmirësimit që nisi në vitin 2021 dhe këtu nënkuptoj turistët e huaj. Në vitin 2021, ne kemi pasur më pak turistë në kantinë. Por xhiroja është më e lartë, që do të thotë se ata që kanë ardhur kanë marrë paketa më të mira, apo më të shtrenjta degustimi dhe kanë blerë më shumë produkte.

Turistët e huaj të pranishëm me numra të konsiderueshëm janë ata nga tregu lindor si Rusia, Ukraina, Bjellorusia, Polonia e Çekia. Më herët tek ne dominonin tregjet perëndimore, me gjermanët, nordikët. Presim që edhe 2022-shi të vazhdojë me këtë trend sektori, nëse do të mbështetet edhe me më shumë lehtësime në udhëtim, duke lejuar që edhe tregje që nuk kanë qenë gjatë pandemisë të vizitojnë sërish Shqipërinë dhe kantinat” nënvizon z. Çobo.

Ndërsa Rigers Kaçorri nga Kantina Arbëri shprehet se fokusi i këtij viti duhet të jetë zgjerimi në tregje të reja i markës “Made in Albania”. “Besoj se viti 2022 do të jetë premtues për tregun vendas dhe atë të huaj. Trendin ku verërat shqiptare po përqafohen edhe më shumë nga konsumatorët tanë e shoh si një mundësi zgjerimi në treg. Synim i përhershëm ngelet penetrimi në tregun e jashtëm ku gjithmonë është provuar që verërat ‘Made in Albania’ kanë krijuar interes për të huajt” – nënvizon ai.

Nga Kantina Nurellari presin që viti 2022 të jetë vazhdim i rritjes së nisur vitin e shkuar. “Ne presim që këtë vit të vijojë rritja dhe ndoshta të jemi diku mes 5-10% rritje. Kjo do të varet shumë nga situata e pandemisë dhe kufizimet, por edhe nga sektori i turizmit që ne e kemi të lidhur ngushtë aktivitetin” – pohon Levent Nurellari.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Turizëm

“Shqipëria princeshë e re e Lindjes”, Rama: Revista në aeroportin e Parisit mban emrin e Shqipërisë!

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale disa faqe të një reviste që gjendet në…

LEXO ME SHUME
Categories Turizëm

Brenda ishullit Sazan: Bunkerët dhe tunelet e Shqipërisë komuniste

Për shumëkënd ishulli Sazan në Vlorë të Shqipërisë ishte mister për dekada. Aty dihej se…

LEXO ME SHUME
Categories Turizëm

Në Vlorë turistët e huaj nisin plazhin: Ejani shijojeni, është me bukur se Spanja!

Jemi në javën e fundit të muajit mars, por në Vlorë për turistët e huaj…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme Turizëm

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës pritet të jetë gati pranverën e ardhshme

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati…

LEXO ME SHUME
Categories Turizëm

Mediat prestigjoze britanike i bëjnë jehonë turizmit në Vlorë

Daily Express shkruan se Shqipëria pritet për më shumë turistë, The Guardian e liston mes…

LEXO ME SHUME