
Pandemia ka nxitur shqiptarët që të pushojnë më shumë brenda vendit duke bërë kështu që në strukturat akomoduese numri i tyre në tremujorin e dytë të vitit të jetë në rritje në raport me të njëjtën periudhë në vitin 2019 kur COVID-19 ende nuk ishte shfaqur.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë disa nga tendencat që po shoqërojnë këtë vit reflektuar kjo në shifrat e mbledhura nga strukturat akomoduese. Kështu numri i rezidentëve në strukura akomoduese u rrit me rreth 11 për qind ndërkohë që numri i jorezidentëve që shënoi nivelin 97 mijë në tremujorin e dytë mbetet pak më shumë se gjysma e asaj të vitit 2019. Sigurisht në raport me vitin 2020 kur Shqipëria ishte nën efektin e karantinës dhe kufizimeve shifrat e 2021 sa i takon tremujorit të dytë janë dukshëm të larta.
“Në tremujorin e dytë 2021, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, paraqiten si më poshtë: Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 3,9 herë, në krahasim me tremujorin e dytë 2020. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezident është rritur me 2,4 herë; numri i vizitorëve jo-rezident është rritur me 8,9 herë;
Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 3,9 herë, në krahasim me tremujorin e dytë 2020. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i netë qëndrimeve nga rezident është rritur me 2,1 herë; numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident është rritur me 9,7 herë” thuhet në publikimin e INSTAT.
I njëjti nënvizon se sa i takon vizitorëve gjatë tremujorit të dytë 2021, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 3,9 herë, krahasuar me tremujorin e dytë 2020. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritjen më të lartë prej 6,6 herë. Në Zonat Jo-bregdetare ky tregues është rritur me 5,1 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve rezident të cilët janë akomoduar në “Akomodime për pushime dhe të tjera akomodime kolektive” ka shënuar rritjen më të lartë prej 5,7 herë.
“Në tremujorin e dytë 2021, numri më i lartë i vizitorëve rezulton: sipas rajoneve në “Rajonin e Qendër“ (43,1 %); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (63,4 %); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (96,2 %)” thuhet në publikim.