Vlora nuk të ofron vetëm detin, nuk të ofron vetëm plazh. Me dhjetëra turistë të huaj, zbarkojnë edhe përgjatë dimrit në qytetin bregdetar. Ata vijnë për të shijuar qetësinë që të ofron qyteti, klimën e favorshme. Turistët e huaj, të cilët vijnë kryesisht nga vendet e Europës Perëndimore siç është edhe Belgjika, thonë se vijnë për të mësuar më tepër për historinë e vendit tonë. Për këtë arsye ata i përqendrojnë vizitat e tyre kryesisht tek sitet arkeologjike dhe historike për të takuar nga afër një pjesë të historisë sonë kombëtare. Për ta Shqipëria është një vend aq sa i bukur por edhe i panjohur.
“Unë vij nga Belgjika. Jam për herën e parë në Vlorë dhe në Shqipëri gjithashtu. Zgjodhëm Shqipërinë sepse për shumicën prej nesh është një shtet i panjohur dhe për pak vite do të jetë pjesë e Europës, kështu që ne donim ta vizitonim këtë vend dhe të mësonim prej tij.
Zgjodhëm këtë periudhë për pushime për shkak se nuk është shumë nxehtë dhe nuk ka shumë njerëz, shumë pushues turistë dhe temperaturat janë të favorshme. Ne na pëlqen që të vizitojmë çdo gjë këtu, detin, dyqanet etj. Na pëlqen shumë arkitektura, dhe historia e këtij vendi. Ne jemi si grup, vizitojmë vende të ndryshme dhe kemi një djalë i cili na tregon çdo gjë se çfarë ka ndodhur, që i përket historisë së Shqipërisë”, thotë një turist belg.
“Ne vijmë nga Belgjika. Jemi të gjithë prej andej.Kemi ardhur këtu si një grup i vetëm. Për herën e parë jemi në Vlorë. Na pëlqen shumë qyteti. Ju keni detin dhe qytetin e bukur dhe është ok për ne. Qyteti është totalisht i ri për ne, ne po vizitojmë çdo gjë në qytet, është bukur.
Ne po vizitojmë çdo vend që tregon historinë gjithashtu edhe në kala, në male dhe në natyrë, për të parë gjithçka. Ne zgjodhëm Shqipërinë këtë herë, pasi ne nuk dimë asgjë për këtë vend, dhe duam të mësojmë diçka të re për botën, të shikojmë gjithçka. Unë do ta rekomandoj Shqipërinë”, shprehet një turiste belge.
Në Vlorë madje nuk mungojnë as turistët nga vendet e largëta, sic është edhe Kina.Turistët nga Kina udhëtojnë në grupe, duke marrë me vete edhe një guidë turistike e cila është udhërrëfyesi i tyre. Sipas guidës që i shoqëron, turistëve nga Kina në qytet i pëlqen shumë edhe arkitektura teksa kureshtja për këtë vend, për kulturën dhe historinë i ka shtyrë që të vizitojnë vendin tonë.Vlora i ka lënë vërtetë mbresa ku pohojnë se do të kthehen sërish
“Unë vij nga Kina. Për mua nuk është hera e parë që e vizitojë Shqipërinë, është hera ime e tretë, por hera e parë që vij në Vlorë. Vij këtu për herën e tretë sepse jam ajo që drejtoj grupet me turistë.
Mendoj se ka mjaftë interes nga shtetasit kinez të vijnë në Shqipëri. Për shkak se dy kombet tona kanë një histori miqësie, dhe kjo i shtynë shumë qytetarët e Kinës të vijnë këtu, ta vizitojnë dhe zbulojnë Shqipërinë.
Kemi vizituar disa vende, na pëlqen historia dhe arkitektura këtu. Dje vizituam dhe syrin e kaltër në Sarandë, ishte shumë i bukur, i ngjan liqeneve në Kinë.
Kemi vizituar gjithashtu malet por edhe detin. Kemi zgjedhur dimrin për tur në Shqipëri, sepse më parë kishim punë. Shqipëria është një vend i bukur, e duam. Sigurisht që do të kthehem këtu sërish”, shprehet një turiste kineze.
Në vendet që tregojnë historinë e Vlorës dhe Shqipërisë, mund të takosh sot turistë nga vende të ndryshme.
Mbizotërues sigurisht që janë ata që vijnë nga Europa Lindore dhe Perëndimore, por nuk mungojnë as vendet e largëta si Kina, Japonia, Australia dhe SHBA.
