Gjykata e Tiranës ka dënuar me 16 vite burg autorin e vrasjes së të miturit Martin Canit, në vitin 2024 pranë shkollës Fan Noli.
Babai i Martin Canit tha se ky vendim është rreze drite për familjen e tij. Si autori, ashtu edhe viktima ishin nxënës të shkollës 9-vjeçare Fan. S. Noli në kryeqytet, ndërsa ngjarja tronditi opinionin publik.
Autori i dyshuar pretendon se e kishin lënë të sqaroheshin të hënën, ditë kur edhe ndodhi vrasja, në një rrugicë pak metra larg shkollës. Tre ditë para se të vritej gjatë një sherri pas përfundimit të mësimit, Martin Cani dhe i dyshuari, kishin pasur një konflikt brenda shkollës, i cili në dukje u mbyll, por u neglizhua edhe nga vetë oficerja e sigurisë së “Fan Nolit” duke mos u raportuar në drejtori apo tek prindërit e fëmijëve. Skena tragjike ndodhi pas mësimit. Ata u takuan jo shumë larg shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.
