Lajme

Skandali me fajdet në Shkodër, shtyhet vendimi për 12 të arrestuarit. Zbardhet dëshmia e njërit prej tyre

Prokuroria në Shkodër gradualisht ka nisur që të tërhiqet nga akuzat e rënda për personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Maranaj” të cilët dyshohen për dhënie fajdesh ndaj djemve dhe vetë ish prefektit të Shkodrës Paulin Radovani.

Në fund të seancës që u zhvillua për 4 orë me radhë në gjykatën e apelit në Shkodër, prokurori i apelit Brahim Dragjoshi pranoi para gjykatës që të paktën për tre të dyshuar të lehtësohet masa e sigurisë “arrest me burg” dhe pikërisht për shtetasit Naim Ahmeti, Adri Bala dhe Lulzim Sylja. Për 9 të tjerët i qëndroi kërkesës për “arrest me burg”.

Gjykata e apelit e shtyu për ditën e nesërme vendimin e saj për 12 të arrestuarit. Thuajse të gjithë të dyshuarit kanë dhënë dëshmitë e tyre në një seancë që u zhvillua me dyer të hapura. Bërhan Alija u përfaqësua nga avokati i tij. Avokati mbrojtës mohoi se klienti i tij i ka dhënë para me fajde ish-prefektit apo dy djemve të tij. E vetmja gjë është blerja e një makine.

Avokati mbrojtës tha se në mënyrë të padrejtë dhe të jashtëligjshme janë sekuestruar të gjitha makinat që ndodheshin tek servisi që posedon në hyrje të qyteti. Më pas radha ishte për ish-kancelarin e gjykatës Artan Dragani. Avokati mbrojtës u shpreh se klienti i tij duke pasur lidhje miqësore me djemtë e ish-prefektit i ka dhënë një shumë parash për t’i ndihmuar në situatën e vështirë ekonomike por jo me shtesë ose siç quhen me fajde.

Një i arrestuar tjetër, Edi Memçaj dha dëshminë e tij duke thënë se nuk është e vërtetë se i ka dhënë para me fajde djemve të ish-prefektit. Memçaj u shpreh se i ka blerë një tokë djemve të tij në Velipojë në shumën 10 milion lekë dhe një dyqan motrës të ish prefektit Radovani. “Jam munduar të shtoj bizneset sepse më ka lënë pasuri babai dhe i kam trashëguar dhe jo si Paulin Radovani që i çon djemtë te droga, kumari apo i përdor paratë për blerje votash. Sa borxhe ka ish prefekti nuk e nxë as burgu i Shën Kollit dhe s’do ketë burg që e nxë. Unë nuk e di me kë jam në grup se nga të ndaluarit veç dy tre kam një njohje dhe asgjë më shumë.

Paratë i kam kaluar me banka dhe jo si Paulini që i ka fshehur. E dini ju se ka futur një djalë jetim të marrë në emrin e tij 250 mijë euro kredi në bankë. Janë fotot e djemve të ish prefektit duke marrë drogë, duke luajtur kumar, çfarë faji kam unë se i kam blerë pronat”.Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati mbrojtës i Marjan Bregut i cili e quajti atë që ka bërë ish prefekti si një skemë piramidale. Marjan Bregu, mësues në shkollën e mesme “Jordan Misja”, peshëngritës i Vllaznisë i ka pasur shokë djemtë e ish prefektit tha avokati mbrojtës dhe sot është i arrestuar dhe ata që kanë mashtruar janë të lirë.

Duke patur lidhje shoqërore i ka ndihmuar duke i dhënë para borgj por asnjëherë me fajde. Përgjimet ambjentale të pretenduar janë të jashtëligjshme sepse ish prefekti herë e ka mbajtue ndezur regjistruesin herë e ka fikur sipas dëshirës. Lulzim Sylja, një tjetër i ndaluar u përfaqësua nga avokati mbrojtës.

Ky i fundit tregoi se shtetasi Lulzim Sylja i ka dhënë një borxh prej 120 mijë euro. Është e pavërtetë që Lulzim Sylja ka kërcënuar ish prefektin siç pretendohet. Pasi Lulzim Sylja i ka kërkuar lekët e borgjit ish prefekti i ka ofruar një tokë të një ish fabrike në Pukë për t’ia shitur duke marrë parasysh edhe shlyerjen e borxhit. Lulzim Sylja ka thirrur një mik të tijin, shtetasin Naim Ahmeti duke i treguar për këtë rast dhe ky i fundit ka rënë dakord për ta blerë atë tokë.

Pasi është bërë kontrata në drejtorinë e tatimeve ka rezultuar një shumë prej 45 milion lekësh të vjetër tatim-taksa që duhej paguar. Ish prefekti s’ka pranuar ta paguaj atë shumë që i detyrohej shtetit dhe kështu marrëveshja mes tyre është prishur për shtijen e tokës duke i mbetur sërish borxh prej 120 mijë euro.

Edhe avokatët e Naim Ahmetit u shprehën të shokuar se si ka mundësi që për një person si klienti i tyre që thirret nga një mik për të blerë një tokë merret masë sigurimi në mungesë “arrest me burg”. Ilir Sokoli, ish drejtori i patentave në Shkodër dha dëshminë e tij para gjykatës së apelit duke treguar ai dhe avokati se si ky shtetas ka qenë mik shumë i ngushtë me dy djemtë e ish prefektit Radovani dhe miq edhe familjarisht.

Avokati mbrojtës u shpreh se është qesharake që prokuroria ngre këto akuza me qëllim që të justifikojë masat e sigurisë, një histori që përsëritet prej 30 vitesh. Organi i akuzës s’ka bërë hetim gate tha avokati i Ilir Sokolit dhe tregoi se 25 mijë euro ia ka dhënë borxh për të paguar pagat e punëtorëve të fabrikës. Vetë ish drejtori Sokoli dëshmoi se përveç faktit se i ka patur miq Robbert dhe Elton Radovanin tregoi se e ka takuar ish prefektin duke i thënë se çfarë do që të bëjë me ata që familja Radovani i ka borxhe. Ilir Sokoli tregoi se ka qenë vetë ish prefekti që i ka kërkuar të futet si ndërmjetës tek shtetasi Vinko Nikprelaj në mënyrë që ky i fundit të blente një tokë që kishte familja Radovani tek fabrika e tyre. Ilir Sokoli tregoi se e ka ditur se është në përgjim ndërsa edhe pas dy muajsh e ka mbajtur po të njëjtin nummër celulari sepse s’kam patur arsye ta ndërroj sepse ishim miq.

Nga ana tjetër për shtetasin Vinko Nikprelaj avokati mbrojtës tregoi historinë se si përgjimet ambjentale të ish prefektit janë të paligjshme dhe u shpreh se në fabrikën e tij ku janë regjistruar të ndaluarit kanë shkuar edhe deputet për ta takuar, edhe Presidenti aktual i Republikës dhe shumë personazhe të tjerë. Avokati i Nikprelaj tha se klienti i tij i ka blerë një tokë prej 140 mijë euro dhe paratë ia ka kaluar me bankë dy ditë para se të ndalohej.

Është i pavërtetë pretendimi i ish prefektit se në aktshitje është shkruar 140 mijë euro dhe jo 240 mijë euro sepse 100 mijë të tjera kanë qenë fajde në favor të Nikprelaj. Avokati tha se klienti i tij ka marrë kredi për të shlyer këtë shumë me të cilën ka blerë tokën. Vetë Nikprelaj dëshmoi se është takuar disa herë me ish prefektin dhe se ky i fundit e ka marrë disa në telefon.

Trego më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button