Një 23-vjeçare serbe është dënuar me një vit burg pasi është shpallur fajtore për vrasjen e dy foshnjave të saj binjakë. E reja serbe jeton në Zvicër, ku ka dëshmuar para gjykatës se ishte braktisur nga i dashuri i saj serb, kur kishte mësuar për shtatzëninë e saj.
Ajo ka punuar deri në muajin e shtatë dhe zgjodhi të mos abortonte pasi nuk kishte lekë për ta bërë këtë gjë. Por ditën kur asaj i kishin filluar kontraktimet dhe ishte në pritje të dy djemve binjakë, në pamundësi për të shkuar në spital, ajo ka hapur një video në YouTube për të parë sesi lindej, e më pas është futur në një vaskë me ujë.
Pasi ka lindur djalin e parë, ajo ka treguar se ai nuk ka qarë dhe nuk ka lëvizur siç “zakonisht dija që foshnjat qajnë”, dhe nga më pas e ka marrë dhe e ka çuar në lavaman, ku e ka goditur dy herë deri sa ka ndërruar jetë.
Ndërsa foshnjën e dytë pasi e ka lindur e ka mbështjellë me një batanije dhe e ka lënë disa orë vetëm, duke i shkakuar vdekjen për shkak të neglizhencës. Ajo është munduar që t’i fshehë të dyja këto krime të rënda, por çdo gjë është zbuluar.
Prokuroria kërkoi dënimin me 8 vite burg, por gjykata e dënoi me një vit burg, ndërsa një psikiatër i gjykatës, tha se ajo vuante nga një çrregullim mendor.
