Një pjesë e studentëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës janë rikthyer sot në auditore, ndërsa në ambientet e jashtme ka pasur dhe prani të policisë.
Pjesa tjetër që vijon rezistencën, bën thirrje që kolegët e tyre të mos e hanë presionin dhe të frikësohen. Një prej studentëve është shprehur për gazetarin e Fax News, Sokol Dema:
Ne kemi zgjedhur si studentë që të bojkotojmë mësimin në mënyrë paqësore, deri në arritjet e objektivave dhe kërkesave tona. Iu kërkoj studentëve që të mos kenë frikë, pedagogët janë në anën tonë, nëse ne nuk shkojmë në mësim asgjë nuk do të ndodhë. Ardhja e policëve këtu ka qenë e panevojshme, gjë që ka frikësuar një pjesë të studentëve.
Kujtojmë se mëngjesin policia ka paralajmëruar 3 studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës se do t’i shoqërojë në Komisariat, pasi i kanë vënë kyçin portës së Universitetit në shenjë protestë.
Punonjësit e policisë të cilët i thanë disa studentëve se mbyllja e dyerve të institucionit përbën vepër penale dhe ata mund të shoqërohen në Komisariat.
“Ti mund të dalësh të protestosh, por nuk mund të vendosësh kyçin këtu. Sepse mbyllja e derës do të thotë se t’i kalon në ndjekje penale”- thotë punonjësi i policisë, ndërsa kërkon emrat e studentëve.
“Kyçin e kemi vendosur të gjithë në mënyrë simbolike. Jemi pa parti”– thotë një nga studentët e pranishëm
Protesta edhe pse në numër të kufizuar pritet të vijojë sot përpara kryeministrisë./faxweb.al