Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen 15 janarit në Durrës, te Ura e Dajlanit. Rreth orës 22:15 një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura.
Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit, 26 vjeç banues në Fier, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, nën kujdesin e bluzave të bardha tashmë janë edhe 2 këmbësorë të dëmtuar nga aksidenti.
“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve,- njofton policia.
Media solli edhe pamje nga vendi i ngjarjes, ku duket makina e bërë ‘palë’ nga përplasja e fortë, aq sa është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e dy të rinjve që ndodheshin brenda automjetit.
I riu ka humbur kontrollin e automjetit dhe as mbrojtëset metalike të aksit rrugor nuk e kanë ndalur dot mjetin, i cili ka përfunduar poshtë Urës së Dajlanit.
Mësohet se në një pjesë të mbikalimit të Urës së Dajlanit janë duke u kryer punime në njërën korsi, ndërsa rruga ka qenë e pajisur me sinjalistikë dhe tabela paralajmëruese. Nuk dihet ende nëse këto nuk janë dalluar nga drejtuesi i mjetit, duke çuar në një manovër të gabuar, apo nëse ka pasur rrethana të tjera që kanë ndikuar në aksident. Gjithsesi do të jetë grupi hetimor që do të zbardhë rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

