Aktorja e njohur shkodrane, Drande Xhaj, partnerja në skenë e Zef Dedës, mes lotësh ka treguar takimin e fundit me aktorin, i cili ndërroi jetë sot pasi një beteje me një sëmundje të rëndë.
Aktorja, e cila ka qenë partnere e tij në skenë, rrëfeu se pavarësisht se u diagnostikua me sëmundjen Zef Deda nuk pranoi të rrinte në shtrat, por dilte dhe bënte shëtitje.
Drande Xhaj u shpreh se dy muajt e fundit aktori i ndjerë ka qëndruar në shtëpi pasi nuk lëvizte dot. Ndërsa tregoi se e takoi për herë të fundit dy ditë më parë për t’u interesuar për shëndetin e tij.
Ajo u shpreh se largimi nga jeta i aktorit Zef Deda i ka shkaktuar dhimbje të madhe.
“Para dy netësh shkova e takova, kemi shkuar më përpara, jemi interesuar për shëndetin e tij. Ishte i ri për tu larguar nga jeta, na la një dhimbje të madhe. Është Chaplin shqiptar, është aktor fenomen. E kemi dashur, kemi ndarë gjithçka me të, na mungon jo vetëm si artist, por edhe si njeri.
Ka dy muaj që ishte në shtëpi dhe nuk lëvizte, është konstatuar gati një vit më përpara. Por nuk pranoi të rrinte në shtrat, ka dalë ka lëvizur, e kemi takuar. Ka shëtitur edhe pse ishte i lodhur, Shpirti i tij prej artisti nuk e pranoi, ai s’ka ikur, do jetë përjetësisht në familjet shqiptare”, tha aktorja Drande Xhaj për News 24.
Rita Gjeka, drejtoresha e teatrit Migjeni në Shkodër ka reaguar në lidhje me lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Zef Deda.
Në një lidhje telefonike për News24, Gjeka ta se Deda ishte një drita e një epoke të ndritur për teatrin Migjeni.
“Edhe pse diferenca në moshë me Zefin nuk është e madhe, e kam pasur idhull. Ai ka qenë një aktor jo vetëm i madh, por fenomeni Zef Deda. Ka lënë një epokë. Ne kemi jetuar atë epokë dhe ai ka qenë drita. Ai e donte shumë estradën dhe ndenja që ai kishte, e kishte që të ngrihej sa më shumë. Amaneti që ka lënë, do të bëhet realitet. Edhe në drejtimin e teatrit e ka marrë Kuliçi. Do të plotësohet amaneti i Zefit. Iku në një moshë krejt të re. Edhe në rini ka pasur disa probleme me këmbët, por i kapërcente me humorin e tij. Tani e këputi sëmundja e keqe. Nuk kam shkuar ta takoj, pasi kisha qejf që ta mbaja mend Zefin ashtu siç më parë. Zefin e ka dashur gjithë populli, të gjithë e kanë vlerësuar. Edhe opozita dhe pozita, mendoj se është shpërblyer. E ka marrë dhe pensionin e veçantë, të paktën nuk ngeli fukara. Ka pasur të ardhurat e veta, edhe pse kishte dy djemtë të mrekullueshëm. Shokun Xhemal, atë e veçoj si rol.”, tha ajo.
