Armë, plumba dhe karikatorë u gjetën në shtëpinë e shqiptarit Dhimitër Meçi, i njohur si “Dhimos”, njërit prej të akuzuarve si pjesë e organizatës së vrasësve me pagesë që dyshohet se u përpoqën të eliminonin Giannis Lalas në maj 2025.
Armët u gjetën në shtëpinë e Dhimos në një fshat në Shqipëri. I akuzuari ka precedent të shumtë penal pasi është akuzuar në të kaluarën për vrasje dhe atentate.
Ai konsiderohet si një nga kriminelët më mizorë e të rrezikshëm dhe një hallkë shumë e rëndësishme në të ashtuquajturën Mafia Greke.
Sipas dosjes së hetuesve grekë, “Dhimos” dyshohet se qëlloi dhjetëra herë nga një motoçikletë drejt Mercedesit të zi në të cilin ndodhej mafiozi grek, i cili arriti të shpëtojë për shkak se mjeti ku udhëtonte ishte i blinduar.
Përveç Dhimos, FBI-ja greke arrestoi edhe 3 shqiptarë dhe dy grekë disa ditë më parë në këtë çështje.
Siç doli nga hetimi, të pandehurit, në kuadër të zbatimit të planit të tyre për të ekzekutuar Lalën, përdorën një Yaris të bardhë i cili u gjet nga policia.
Në të njëjtën kohë, katër nga të përfshirët janë gjithashtu përgjegjës për zjarrvënien e një pike karburanti, ngjarje që ndodhi më 23 shkurt 2025 në Argyroupoli.
Në atë kohë, autorët e krimit i ishin afruar pikës së karburantit me dy motoçikleta, njëri prej të cilëve mbante një kallashnikov. Ata hodhën lëndën djegëse që kishin në një bidon dhe u larguan.
