E mbani mend dashurinë e parë? Kur ka ndodhur? Ku është ajo?
Më vjen keq t’ju zhgënjej por nuk kam patur ndonjë dashuri të parë, nga ato të fortat që ca e ca i përjeton si tërmete të paharrueshme. Ndjenja zemër rrahëse kam patur që fëmijë nga kopshti, në shkollën fillore dhe mund të përfytyroni se çfarë është bërë më tej…
Ndoshta në klasë të tetë, tani që po më shtyni të gërmoj kujtesën. Kam pasur njohur një vajzë një vit më të madhe se unë që quhej Dhurata. Më bënin shumë përshtypje sytë e saj të thellë dhe mënyra se si vishej në të bardha. Shumë vite më pas, e kam ndeshur në disa rrethana të afërta. Dhe më ka ardhur thellësisht keq, sepse simbas perceptimit tim, meritonte një “Fat” më të mirë…
Po të fundit, apo e para është edhe e fundit?
Me të fundit, por të qëndrueshme rekord në kohë, jam i martuar. Asnjeri nga ne të dy, as unë dhe as Klodi, nuk mund ta përfytyronim që do të mund të zgjaste kaq shumë. Dhe besoj që do të zgjasë edhe më.
Çfarë kanë biondet që brunet s’e kanë?
Biondet, më së shumti janë më pak natyrale. Por pikërisht për këtë dhe kur kanë sy me ngjyrë të çelët, të kaltër apo jeshilë, janë më tërheqëse për ne shqiptarët. Kur jetoja në Romë kam patur një “colpo di fulmine” (një goditje rrufeje) siç edhe thonë italianët, me një gjermane fantastike nga Shtutgarti. Një njohje e rastësishme 24 orëshe në Sheshin e Shën Pjetrit. Isha 29 vjeç dhe ajo, jo më shumë se 20. Flisnim anglisht dhe bëmë një bredhje shumë orëshe rrugëve magjike të Romës. Të neërmen lamë takim përpara se ajo të largohej për në Gjermani, por unë nuk mbërrita dot në kohë. Dhe u humbëm, përgjithmonë.
Por kur kam vizituar më pas Holandën, Gjermaninë, San Petersburgun apo Suedinë, dola në përfundimin se njeriu pëlqen më shumë, atë që gjendet me pakicë. Biondet në Shqipëri dhe në Mesdhe, janë më të rralla. Dhe si të tilla, janë më tërheqëse.
Kur dëgjoni është ‘një grua e mirë’ çfarë u vjen në mend? Një grua, e kuruar apo e duruar?
Një grua e mirë, simbas botëkuptimit tim, është një grua që ka respekt për dashurinë dhe për trupin e vet. Mund të jetë e mirëmbajtur dhe e hijshme, por njëkohësisht e vetëpërmbajtur dhe dinjitoze.
Ç’do të thotë për një burrë ‘dashuria kalon nga stomaku?
Mua kjo shprehje nuk më përfshin. Gruan nuk e kam këmbyer kurrë me një kuzhiniere, ndonëse do të më pëlqente të gatuante mirë. Kjo shprehje vjen ndoshta nga kohërat e varfërisë, në Shqipëri apo në Europë, kur gruaja, duhet të aromatizonte shtëpinë edhe me erë të mirë gjellësh. Me gruan që dua, ndaj me kënaqësi një restorant të shtrenjtë dhe një dhomë të pastër hoteli, mundësisht me pamje nga deti.
Martesa, zgjedhje apo zgjidhje?
Deri në moshën 40 vjeç kam menduar se nuk do të martohem kurrë. Mendoja se nuk isha i prerë për martesë. Dyshoja se martesa do të më “vriste” me mërzinë e saj. Tani mbas shumë vitesh martesë, jam gjallë. Ndoshta kam qëlluar në shenjë. Ndonëse në mënyrë të rastësishme. Se me gruan që kam sot, nuk kam pasur piketuar ndonjë martesë në kuptimin racional të fjalës. U martuam sepse martesa është forma më klasike, për të qëndruar bashkë.
Tradhtia, pashmangshmëri e natyrshme apo devijim i paparashikueshëm?
Mendoj se martesa nuk është në vetvete një institucion i natyrshëm. Asnjë mashkulli nuk i mjafton një femër dhe asnjë femre nuk i mjafton një mashkull, në kuptimin instiktiv të fjalës. Edhe brenda lidhjeve ka shpesh e më shpesh tradhti. Ndryshe nga shumë të tjerë, mendoj se tradhtia, herët a vonë, të çon aty ku natyra dhe instinkti të ka paracaktuar vendin. Në partneren apo partnerin, që plotëson në mënyrën më harmonike të mundshme, dëshirat, kënaqësitë apo përkëdhelitë e tua psikologjike apo seksuale.
Divorci, stacion apo ndërprerje e dhimbshme?
Divorci është një zgjidhje e ndershme e një marrëdhënieje serioze. Divorci është shumë kilometra larg tradhtisë dhe zakonisht është një akt respekti për veten dhe për tjetrin.
Kur dëgjoni fjalën ‘grua’, cili është asosacioni i parë: Ajo apo Nëna?
Unë jam i rrethuar nga gra. Kam dy vajza të mrekullueshme. Kam patur një Nënë të magjishme dhe kam një Grua, që e dua ende si një të dashur. Si do të mund të guxoja t’i përgjigjesha kësaj pyetje? Ja pra që nuk guxoj. Jo nga frika. Nga dashuria.
Sikur gruaja të ishte një këngë, cila do të ishte ajo? Po sikur te ishte roman, jeta jote me një grua, ç’titull do të kishte?
Është një këngë e pavdekshme e Adriano Celentanos: “Per avverti”, e cila thotë që për të të pasur, do të bëja gjithçka, do të jepja edhe jetën, por jo vlerësimin që kam për veten time. Kështu kam funksionuar gjithmonë me femrat. U jap gjithçka, përveç vlerësimit që kam për veten.
Po të ishte një roman? Nuk e di. Titullin e një romani e vendos fundi i tj. Unë ndjehem në mes.
Dhurata e fundit që keni bërë për një grua?
Gruas sime i bëj dhurata. Dhe besoj se i kam dhuruar atë çka është është më e shtrenjta gjë në këtë botë dhe në këtë jetë: Kohën.
Koha është gjëja më pa çmim në univers. Nuk blihet. Nuk tjetërsohet. Nuk këmbehet. Nuk ndalon. Nuk kthehet kurrë mbrapsht. Por gjithsesi nuk mungojnë edhe dhuratat që preken, apo dhuratat që duken dhe ato që vezullojnë…
Aventura, ka emrin grua apo shkon përtej saj?
Padyshim që aventura e ka emrin grua në ëndrrat e një burri. Ky dhe është një mister i pandreqshëm dhe dhjetëra mijëra vjeçar në historinë e njeriut. Janë shembur perandori apo janë ndërtuar perandori të reja, mbi idealin femëror të meshkujve. Më duket se piktori krejt i pakrahasueshëm Salvador Dali ka thënë se: “rrumbullakësia e gjoksit femëror më ka bërë ky piktor që jam sot”… e bukur apo jo?
Kur i thoni një gruaje që e doni?
Kur e dua. Asnjëherë më parë dhe asnjëherë më pas.
Emma Bovary, heroinë apo viktimë? (Flober shkroi në hyrje të romanit të vet: ‘Zonja Bovari jam unë”. A je ti një ‘zonja Bovari?’)
Le t’ia lemë Floberit ekskluzivitetin e Bovarisë së tij. Sepse identiteti i çdo njeriu, e aq më tepër identiteti i një shkrimtari të madh, është i pazëvendësueshëm.
Lady Macbeth, fatalitet apo shans në jetën e një burri? Ose e thënë ndryshe, Lady Macberth ose gruaja që të shtyn drejt pushtetit apo suksesit absolut, çfarë i bën një burri?
Ka shumë më tepër se sa mendohet, burra të fortë por të pavendosur. Dhe kanë nevojë për gruan, jo vetëm si busull, por edhe si një lexonjëse të ambicieve dhe ëndrrave të tyre më të thella dhe më të fshehura. Gra, të cilat bërtasin apo thonë me zë të lartë, atë që meshkujt, këta lloj meshkujsh, e pëshpërisin.
Ka meshkuj-“vagona”, që kanë nevojë për një grua që ti udhëheqë si lokomotivë dhe meshkuj, të aftë që të udhëheqin femrat-vagona.
Po t’ju ndodhte të binit në dashuri me një prostitutë, do të vepronit si Richard Gere tek “Pretty Woman”? A do të braktisnit një biznes, karrierën, një betejë për një dashuri?
Jo. “Pretty Woman” është një metaforë e asaj që thuhet se “Dashuria nuk ka kufi”. Por duhet një “prostitutë” si Julia Roberts, në moshën dhe formën e vet më të mirë. Roberts në atë film luante rolin e një zonjushe aksidentalisht prostitutë.
Më mirë një shef apo një shefe?
Varet nga profesionizmi. Nuk kam patur fatin të kem një shefe. Por ndoshta më mirë që nuk kam patur, sepse flirti do të ishte i sigurt dhe puna do të shkonte ose shumë mirë ose shumë keq.
Bota ndryshohet para apo pas martese? Po një burrë?
Bota ndryshohet me revolucion, përpara martesës. Mbas martesës janë të pranueshme vetëm reformat. Për një jetë më të thjeshtë dhe më të sigurt për frytin e martesës që janë fëmijët.
Çfarë konsideroni seksi te një grua?
Gjithçka mund të jetë seksi në një grua. Mënyra se si vishet dhe mënyra se si zhvishet. Mënyra se si pi një kafe, apo harresa e qëllimshme e të lënit hapur të derës së banjos kur bën dush. Por mbi të gjitha, këto kanë efekte në trurin e një mashkulli, kur femra dhe ngacmimi që ajo jep, ka një vatër të lirë dhe të plotë në mendjen e tij. Mashkulli e krijon femrën në trurin e tij dhe besoj që edhe femra bën të njejtën gjë.
Sepse edhe orgazma, e nis rrugëtimin e vet në eksitimin e trurit dhe ka më pas si terminal, apo si stacion të fundit, organet seksuale. Por gjëja më seksuale te një grua, është epshi dhe manifestimi i këtij epshi. Tendosja e trupit dhe drithërimat që e shoqërojnë në paraekstazë.
Nëse do t’i bënit një gruaje një pyetje të vetme, cila do të ishte?
Mund të ishte një pyetje e paturpshme. Më mirë do të heshtja me nder, nëse do të kisha vetëm mundësinë e një pyetje të vetme.
Mendoni se gratë bëjnë shumë pyetje?
Jo. Kurrë nuk pyesin aq sa duhet. Ato e teprojnë më shumë me këshillat dhe me konkluzionet që shpesh janë, në perceptimin tim, shpesh të nxituara. Por te një grua çdo gjë është e falshme, nëse di të të ngrohë ekzistencën me mënyrat e saj të papërsëritshme.
Arkiv Madame Mapo