Një aksion antidrogë është zhvilluar gjatë natës në disa fshatra të Beratit, ku janë kryer kontrolle në sera, njësi shërbimi e bare.
Burime bëjnë me dije se është kapur me doza kokaine, gati për shitje, 19-vjeçari me iniciale H.V., në fshatin Drenovicë.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat mësohet se ka organizuar gjatë natës një aksion antidrogë në fshatrat: Samaricë, Drenovicë e Pobrat, fshatra të ish/njësisë administrative Kutalli në Dimal.
Aksioni policor, ku u bënë bashkë forcat operacionale, forcat Shqiponja, efektivë të sektorit të antidrogës e krimit në DVP-në Berat, sipas burimeve, kishte si qëllim goditjen e kultivimit e shitjes së lëndëve narkotike.
Duke qenë se këtë vit në zonat Pobrat, Samaticë e Rërëz janë gjetur e asgjësuar sera me kanabis, shtëpi bari dhe shumë kilogram droge të presuar, mësohet se aksioni është përqendruar në sera, njësi tregtime e bare.
