Ish-kryeministri Sali Berisha ngre akuza se janë manipuluar shifrat. Ai thekson se janë falsifikuar shifrat për personat e prekur, madje sipas tij, edhe të personave të vdekur. “Fatkeqësia natyrore në Shqipëri, njëlloj si në 170 vende të tjera të planetit, nuk ndoqi ecurinë që ndoqi në 20 vendet e industrializuara, dhe 3 apo 4 vendet e tjera jo të industrializuara në shkallën e të parave. Në bazë të shifrave, Shqipëria rezulton të ketë një vdekshmëri më të lartë se 146 vende të tjera të botës, në raport me popullatën. Në raport me rastet e infektuara, vdekshmëria e Shqipërisë është më e madhe se në 171 vende të tjera. Kjo do të thotë, se menaxhimi i pandemisë në Shqipëri ka qenë i papërshtatshëm, por ajo që është tronditëse është se ky menaxhim u bazua në falsitete të paimagjinueshme, të cilat tani mund të kenë një çmim të shtrenjtë.
U falsifikua në mënyrë të programuar numri i të infektuar. Mbetet e regjistruar në analet e turpit dita kur në Shkodër, ku për 13 raste për Covid-19 u testuan vetëm 18 qytetarë, kur duhet të testoheshin minimumi 180 qytetarë. Nëpërmjet kufizimit të testimeve, u kufizua maksimalisht numri real i të infektuarve. U falsifikua në mënyrë monstruoze numri i vdekjeve. Kam konstatuar se vdekje jo të pakta kanë ndodhur në vatra koronavirusi, ku kanë vdekur qytetarë në shtëpitë e tyre, të cilët nuk dërgoheshin në spital. Kjo valë falsifikimi ka kulmuar me 5 raste që ndërruan jetë në reanimacion në Shkodër.
Të pesta këto raste kanë qenë pozitive me Covid-19, por që Edi Rama i shpalli si raste që nuk kanë ndërruar jetë. Me rastin tjetër në Tiranë, Ministria deklaroi se një rast ishte Covid-19, por nuk vdiq nga koronavirusi. Janë me dhjetëra raste të varrosur me policë ose vetëm nga familjarë. Ka pasur familje, ku të pestë anëtarët kanë qenë pozitivë me Covid-19 dhe katër prej tyre mbijetuan dhe njëri prej tyre vdiq. Familje të tjera me 7 anëtarë kanë pasur të njëjtin fat. Është bërë gjithçka që të shtrohen sa më pak pacientë nëpërmjet 127-ës, e cila ka zbatuar urdhra çnjerëzorë për mashtrimin në spital të të shtruarve”, u shpreh Sali Berisha.
Më tej, Berisha u shpreh se nëse do të kishte qenë ai në drejtimin e vendit, Shqipëria nuk do të ishte kapur e papërgatitur. “Kurrën e kurrës nuk do të ishim të papërgatitur. Pandemitë kanë ligjet e tyre, ato nuk kërkojnë gjëra të sofistikuara për përgatitje, kërkojnë maskën, testin, kërkojnë natyrisht karantinën. Këto masa mund t’i merrte çdo vend, i pasur apo i varfër. Fatmirësisht, Shqipëria nuk klasifikohet sot në grupin e vendeve të varfra. Që më datën 7 shkurt, unë kam ngritur me të madhe çështjen e maskave, mungesën e tyre; kam kërkuar importimin e tyre; kam kërkuar sasinë e mjaftueshme të testeve. Unë konstatova që kongresi i PS u bë edhe pse rastet ishin prezentë. Bota dhe unë e quajtëm “Kongresi i koronavirusit”. Ai kongres u kthye në një bombë biologjike. 3 mijë vetë në një sallë që merrnin spërklat e njëri-tjetrit, përbën një problem shumë serioz për përhapjen e koronavirusit”, tha Berisha ne A2.