Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim emocionues përpara mbështetësve të tij në qytetin e Vlorës, ku prezantoi vizionin e tij për një “Shqipëri Madhështore”, ndërsa sulmoi ashpër qeverinë aktuale dhe premtimet e papërmbushura të saj.
Duke e cilësuar Vlorën si “djepin e madhështisë së shqiptarëve”, Berisha theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të qytetit në identitetin kombëtar dhe bëri thirrje për një ringjallje të vlerave dhe dinjitetit shqiptar.
“Nëse projekti i Shqipërisë Madhështore do të kishte një djep, ai do të ishte Vlora,” deklaroi Berisha. “Këtu ku janë ngritur betejat më të mëdha të historisë sonë, do të nisim ndërtimin e një të ardhmeje të re.”
Berisha premtoi një transformim të thellë ekonomik dhe social për vendin, duke premtuar rroga dhe pensione të ndjeshëm më të larta, si dhe një rikthim të dinjitetit për shtresat e nëpërkëmbura të shoqërisë.
“Nuk do të ketë më shqiptarë në mjerim ekstrem. Çdo shqiptar do të marrë 200 euro, paga minimale do të jetë 500 euro, dhe ajo mesatare nuk do të jetë nën 1200 euro. Mësuesit do të paguhen deri në 1500 euro,” u shpreh ai.
Kreu i opozitës nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë, duke e akuzuar për pasurim të pamerituar dhe shpërdorim të taksave të qytetarëve.
“Ministrat hanë me pjata sa për 15 pensione, hapin shishe sa për 30. Ndërsa shqiptarët e ndershëm marrin më pak se një kafshë shtëpiake në Gjermani,” tha Berisha, duke i cilësuar këto si padrejtësi që do të marrin fund brenda tre muajve të parë të ardhjes së tij në pushtet.
Berisha përfundoi me një mesazh:
“Ne jemi burrat dhe gratë që i bëjmë të pamundurat të mundura. Shqipëria do të shpëtojë nga kjo e keqe, dhe do të ngrihet më e fortë se kurrë.”