Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë po shqyrtohet edhe kandidatura e Ridvan Bodes për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. I pranishëm në Komision, Bode theksoi kontributin e tij në përmbushjen e detyrimeve ligjore të Bankës së Shqipërisë.
“Do të kontribuoj të përmbushim detyrimet ligjore të BSH. Eksperienca ime, kontribut në një debat të dobishëm. E marr ftesën i zhveshur nga të gjitha ngarkesat”, u shpreh ai.
Kujtojmë që Bode u propozua nga vetë kryeministri Edi Rama, për anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shkaktoi jo pak zhurmë, duke e lidhur me faktin se ai ka qenë ish-ministër i Financave, në kabinetin e qeverisë “Berisha”.
Përveç Bodes, Rama propozoi edhe 2 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Suela Popa dhe Edlira Luci.
Ata janë përzgjedhur nga një listë prej 38 aplikantësh. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe ushtrojnë këtë funksion për një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.