Ndërsa shkruaj këto rradhë, përfaqësues shoqatëzash kineastësh të krijuara me qëllimin e vetëm të vënies nën kontroll të financave të brishta kinematografisë përmes kapjes të Këshillave Miratues të Projekteve të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, janë mbledhur në një mbledhje thuajse konspirative për të zgjatur edhe për një katër vjeçar agoninë e mediokritetit e “sistemit kinematografik” kombëtar. Filozofi kanadez Alain Denault në librin e tij “Mediokracia me Politikën e ekstremit të qendrës dhe Qeverisja” analizon sesi njerëz me dije e profil të ulët apo të mesëm, kthehen në dominues të shtetit përmes një klase qeverisëse të ngritur me njerëz mediokër e me qëllime të ngushta individuale.
Në vendin tonë e njëjta gjë ka ndodhur në kinematografi dhe thuajse në të gjitha fushat e artit, duke marrë njerëz pa asnjë dije nga fusha në lidhje me kinematografinë dhe audiovizualin e duke i katapultuar në këtë fushë. Në rastin e ndryshimeve antikushtetuese dhe joligjore përmes rregullores së miratuar nga Kryetari i ri i QKK zoti Makri, mediokriteti e zhvendos fokusin në mënyrë diversive pikërisht aty ku nuk preken interesat e tij përfituese fondesh pa të drejtë apo meritë si prej 15 vitesh.
Duke mos kuptuar se kinematografia si çdo fushë e artit lidhet drejtpërsëdrejti me vokacionin dhe talentin, e duke krijuar idenë fallco se mund të bëhesh nga balerinë producente, apo nga thurja e trikove të tekstilit apo tezgjahët e patateve në skenarist apo regjizor e duke harruar se përshembull, jo çdokush ka të dhëna të lindura e mund të bëhet muzikant (vetëm 6% e popullatës botërore ka vesh melodik apo rritmik për muzikë) siç jo gjithkush ka aftësinë e lindur të riprodhojë përmes gishtit të madh dhe indeksit, një formë apo imazh që sheh me sy të lirë. Katër kryetarët e fundit të QKK e saturuan apo mbingopën qëllimisht sistemin me inflacion shtëpishë filmike (Shqipëria ka shumë më shumë se Franca), shoqatëzash (8 herë më shumë se Franca) por edhe produksionesh të cilat në vetvete kanë cënuar rëndë cilësinë e kinematografisë por edhe sigurinë dhe përgjegjshmërinë financiare e juridike të përdorimit të fondit publik. Ish kryetari i QKK në pesë vjet ushtrimi funksioni publik, deklaronte e printonte katallogë plot pathos e emfazë me shifra tronditëse produksionesh e suksesesh imagjinare që tejkalonin me distancë të madhe edhe vetë produksionin shtetëror pesëdhjetë vjeçar të Kinostudios “Shqipëria e Re”.
Ndërkohë që informaliteti total i tregut kinematografik e audiovizual shqiptar i ushqyer nga mos zbatimi apo zbatimi i keq e i qëllimshëm i ligjeve të vendit, vazhdon i krijon dëme kolosale buxhetit të shtetit, rritjes së prodhimit të brendëshëm bruto por mbi të gjitha njerëzve vërtetë të talentuar të artit dhe kinematografisë Shqiptare të cilët i kanë garantuar e i garantojnë cilësi e sukses kinematografisë sonë kombëtare, gjithmonë me kockat e mbetura financiare pas mbushjes së stomakut të mediokërve me fonde publike. Mbi “zgjidhjet me ndërkombëtarë”, vlen për tu theksuar, se ky ka qënë një propozim që ngjan me shumë nga “shpikjet” mes të cilave spikasin “filmi indipendent apo alternativ” dhe “koproduksionet minoritare”.
Futja e të huajve në KMP do të thellonte krizën akute, për mendimin tim identitare, ku ndodhet sot sistemi ynë inekzistent. Sistemi i përzgjedhjes së projekteve do të ç’kombëtarizonte dhe ç’përgjegjësonte më tej, aspektin dhe detyrimin Kombëtar të Qendrës sonë të Kinematografisë. Projektet kombëtare kinematografike, kalojnë në filtra ndërkombëtarë (Eurimage, Media, Creative Europe, CNC, FFA etj) vetëm pasi kanë kaluar filtrin kombëtar, dhe kjo bën sens dhe është benefike dhe për kineastët shqiptarë dhe për sistemin. Ndërkombëtarët në Republikën tonë, kanë përgjegjësi të kufizuar në raport me përgjegjshmërinë me të cilën duhet të atribuohet fondi publik Shqiptar nga shqiptarët bazuar në interesat e kulturës sonë kombëtare të ndarë në pesë shtete. Veç të tjerash do të rrezikohej më tej edhe gjuha shqipe pasi projektet dhe dosjet e produksionit do të bëheshin vetëm në anglisht duke e kthyer QKK në një zyrë banale përkthimesh e duke rritur thjesht punësimin e përkthyesve të Tiranës.
Me statistika, kudo në Evropë, miratohen projekte të mirë dhe bëhen filma të këqinj dhe anasjelltas miratohen dhe projekte që nuk shkëlqejnë por që bëhen filma brilantë. Kryesisht të huajt, sidomos ata që do pranonin të merrnin pjesë në këtë aberracion shqiptar, pa asnjë precedent në kinematografitë e zhvilluara perëndimore, do të kishin tendencë të tërhiqeshin nga të njëjtat tema egzotike në lidhje me Shqipërinë dhe rajonin të cilat kanë dëmtuar jo pak perceptimin ndaj vendit tonë në botë. Skenaret, historitë dhe ngjarjet duhet të përfaqsojnë këtë vend dhe kulturën e tij.
Interesi dhe identiteti kulturor kombëtar, në kushtet e globalizmit por edhe në terma të universalitetit artistik janë mëse të domosdoshme për tu mbrojtur nga asimilimi kulturor potencial. Në anën tjetër vetëm përmes veçantisë identitare e kulturore, Shqipëria, porsi Rumani, Polonia, Çekia do të kishte vendin e saj të garantuar në hartën e kinematografisë botërore dhe e kundërta ka pak ose aspak gjasa të ndodhë. Zgjidhje e vetme ligjore dhe kushtetuese do të ishte kthimi i sensit inicial e kushtetues të termit Qendër Kombëtare të Kinematografisë. Kosova dhe Shqipëria ndajnë të njëjtën kulturë dhe të njëjtin treg potencial. Për të rritur kapacitetet dhe kualitetet e projekteve kinematografike Kombëtare duhet unifikuar sa më parë sistemi. Kjo veç shumë përfitimeve për artistët e të dy anëve të kufirit shqiptar, do të ndihmonte veçanërisht Kosovën e cila për momentin nuk mund të ketë akses në fondet Europiane si Eurimage, Media, Creative Europe etj.
Thuhet se shembull për ndryshimet me rregullore është pikërisht Kosova me sukseset e saj për mua “imagjinare” e cila nuk ka Qendër Kombëtare dhe e cila po shkatërron dhe mbyll perspektivat e zhvillimit kinematografik të saj nga drejtimi mediokër dhe padija, duke bërë kinema importi me autorë jo kosovarë e duke eksportuar bashkë me të dhe administratën shëtitëse e të paaftë të qendrës së saj të ashtëquajtur kinematografike. Gjithashtu i ashtëqujturi “Koproduksion Minoritar” (një shpikje ballkanike) nuk është gjë tjetër vetëm se një aberracion në formë tubi shkarkimi i parasë publike pa përgjegjësi drejt klaneve që kanë uzurpuar kinematografinë shqiptare prej 15 vitesh. Ky aberracion pengon direkt rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri, përfitimin e të drejtave pronësore të Shqipërisë mbi vepra kinematografike ku shpenzohet para publike shqiptare por vepra nuk gëzon shtetësi Shqiptare. Nuk mund të lë pa pëmendur se sërisht jemi në kushtet e abuzimit total terminologjik. http://uis.unesco.org/fr/glossary-term/coproduction-participation-minoritaire-nationale E vetmja zgjidhje për rritjen e fondit kinematografik , është organizimi ligjor i sistemit të shrytëzimit të produktit kinematografik e audiovizual në salla, media dhe internet sipas ligjit të kinematografisë i cili nuk u zbatua kurrë plotësisht që prej 1996. Thjesht implementimi i ligjeve në fuqi, do të garantonte së paku (minimalisht) pesë milion euro në vit në buxhetin e QKK-së dhe së paku një milion euro në vit në thesarin e shtetit. Që prej marrjes së detyrës nga Kryetari aktual i QKK sipas një përllogaritje preventive që patëm bërë si Shoqatë Lumiere, në arkën e kinematografisë dhe në buxhetin e shtetit, nga moszbatimi i qëllimshëm i ligjit të kinematografisë mungojnë së paku 2 milion euro. Formalizimi i tregut të kinematografisë dhe audiovizualit duhet të fillojë pikërisht me shoqatat e kineastëve të mbushura me jokineastë. Shoqatat e kineastëve u shpartalluan me ndryshimet në ligjin e kinematografisë në 1996 që mediokriteti në kinematografi e në politikë miratoi një mesnatë dimri pa asnjë diskutim a debat me komunitetin e pa asnjë mbështetje në ekspertizë a eksperiencë. Shoqatat që do të gëzojnë këtë status në bazë të kritereve, do të fillojnë të federojnë rreth vetes të gjithë komunitetin dhe rroli i tyre do të bëhet i përgjegjshëm dhe relevant. Jo si deri më sot ku anëtarët e KMP-ve kanë qënë noterë të papërgjegjshëm të paudhësive tashmë kronike të kryetarëve të QKK.
Shoqatat e kineastëve u shpartalluan me ndryshimet në ligjin e kinematografisë që mediokriteti në kinematografi e në politikë miratoi një mesnatë pa asnjë diskutim a debat me komunitetin e pa asnjë mbështetje në ekspertizë a eksperiencë. Pjesë e formalizimit duhet të jetë edhe auditimi financiar i të gjitha shtëpive filmike përmes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Komisionit Financiar të QKK (strukturë ligjore e cila nuk është mbledhur kurrë në shkelje të ligjit që prej 1996). Njëkohësisht ekpertë të huaj financiarë e ligjorë mund dhe duhet të përfshihen vetëm në Komisionin Financiar të QKK në mënyrë që të ndalohet sa më parë informaliteti dhe infalcioni kulturor i cili sjell dhe humbje të pariparueshme identitare të referencave shoqëroro-kulturore shqiptare. Problem nuk është prejardhja e individëve por sistemi. Me këtë sistemin tonë, jo maqedonas e boshnjakë të sjellim për të miratuar projekte por edhe gjermanë a francezë të jenë, do të kompromentohen nga mediokriteti i cili prej vitesh është kthyer në një sistem mediokratik të mirfilltë nga i cili na duhet të shpëtojmë sa më parë.