Sapo kemi lënë pas Ditën e Verës dhe në rrugët e Vlorës ka nisur të ndihet “frymëmarrja” e rënduar e trafikut. Ndërsa qyteti përgatitet për sezonin turistik, pyetja që rëndon mbi çdo vlonjat është e thjeshtë: A është gati infrastruktura jonë?
Paradoksi i trotuareve: Bukuri apo funksionalitet? Nëse shikon Bulevardin kryesor dhe Lungomaren, transformimi është i dukshëm. Trotuaret e gjerë janë padyshim një hap drejt një qyteti më europian, por ky ndryshim ka sjellë me vete një dilemë të madhe për banorët e blloqeve të pallateve: Ku do t’i lëmë makinat?
Zgjerimi i hapësirave për këmbësorët ka reduktuar ndjeshëm vendparkimet dhe korsitë e kalimit. Sot, shqetësimi nuk është vetëm i qytetarit që kërkon një vend për makinën e tij, por mbi të gjitha:
• Emergjencat: Ku do të kalojë ambulanca apo zjarrfikësja në rast bllokimi?
• Transporti publik: Si do të menaxhohet fluksi i autobusëve dhe taksive pa krijuar paralizë totale?
Gropat e “rehabilitimit” dhe vizionet në pritje ndërsa flitet për plane madhore dhe vizione afatgjata, realiteti në terren paraqitet krejt ndryshe. Punimet e ujsjellësit të ri kanë lënë pas gropa e rrugë të hapura që po kthehen në makth për mjetet.
Edhe pse na thuhet se duhet të kemi durim pasi administrata ka projekte të qarta, koha po premton më pak se sa nevojat e qytetit.
Sezoni që po vjen: Kaos apo Rregull? Me afrimin e sezonit turistik, frika kryesore mbetet e njëjtë: Sherret për një vend parkimi. Pa një orientim të qartë, pa vizime të sakta dhe pa një plan konkret menaxhimi, segmentet kryesore rrezikojnë të kthehen në pika tensioni mes banorëve, turistëve dhe autoriteteve.
Vlonjatët me të drejtë pyesin: “Pse kështu? Pse nuk u mendua ndryshe?”. Mbetet të shpresojmë që “vizioni i bukur” i bashkisë dhe qeverisë të mos mbetet vetëm në letër, por të përkthehet në zgjidhje praktike përpara se fluksi i parë i turistëve të bllokojë portat e qytetit.
Nga Erand Haruni
