Një punonjës policie në Gjirokastër ka rënë në prangat e AMP-së, i dyshuar për disa vepra penale.
Jaçe Reka, me detyrë trupë shërbimi në komisariatin e Gjirokastrës, është denoncuar nga ish-bashkëshortja e tij. Ajo ishte e pajisur me një urdhër mbrojtje, të cilin pretendon se është thyer nga polici Reka.
Kjo pasi sipas burimeve, efektivi i ka shkuar në banesë ish-bashkëshortes dhe i ka vjedhur një valixhe, brenda së cilës mbante 5 milionë lekë. Pas kallëzimit, hetimet zbuluan se në banesën e kunatit të policit, shtetasit me inicialet Sh. A., u gjet e fshehur valixhja dhe një portofol me shumën prej 8 000 euro. Këto janë sekuestruar si provë materiale.
Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e policit Jaçe Reka, ku u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 287 fishekësh pistolete të tipit TT, një dorezë metalike, një krehër me 7 fishekë dhe 1 palë pranga.
Ndaj policit ngrihen veprat penale ‘Vjedhja’, ‘Dhuna në familje’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.