Nuk ka asnjë moment qetësie te skuadra e Kastriotit. Ekipi po shkon drejt shkrirjes dhe tashmë shpresat e krutanëve për të qëndruar në Superiore thuajse shuhen krejtësisht. Nga problemet ekonomike, te largimet e lojtarëve, drejtuesit kanë një punë të vështirë përpara. Me anë të një postimi në faqen zyrtare të “Facebook”, Kastrioti lajmëron largimin e mbrojtësit David Domgjonit dhe sulmuesit të huaj Charles Atsina. I pari luajti si titullar, ndërsa për sulmuesin afrikan kishte më pak hapësira. “KS Kastrioti zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me mbrojtësin David Domgjoni dhe sulmuesin Çarls Atsina. Të dy lojtarët u bashkuan me skuadrën në merkaton e verës, ndërsa me konsensusin e plotë të të dy palëve e kanë mbyllur bashkpunimin me KS Kastriotin. Klubi i falenderon të dy lojtarët për kontributin e dhënë me fanellën e Kastriotit dhe njëkohësisht i’u uron suksese në karrierë”, – shkruan klubi i Kastriotit.
Me largimin e dy lojtarëve të radhës shkon në 11 numri i futbollistëve të larguar. Ata janë Aleksandros Rahim, Pablo Gajego, Mba Duval, Preston Tabertetaka, Enou Nkembe, Klajdi Kuka, Xhynejt Çutra, Vilson Lila, Sokol Mziu, David Domgjoni, Charles Atsina. Skuadra krutane nuk ka as trajner momentalisht.
