Kur Policia Digjet në Flakë, Shteti Fshihet Pas Zyrave.
Duke marrë parasysh situatën e brendshme në Shqipëri, ku protestat kanë shpërthyer pothuajse në të gjithë vendin edhe pse ndoshta jo gjithmonë me pjesëmarrje masive jemi qartazi përballë një situate kritike. Kjo bëhet edhe më e dukshme gjatë protestave të opozitës, ku numri i pjesëmarrësve është i madh dhe kërkohet angazhimi i forcave të policisë nga i gjithë vendi, veçanërisht përpara Kryeministrisë, aty ku nis protesta. Por pikërisht këtu qëndron edhe çudia më e madhe: roli i shtetit dhe veçanërisht i Ministrisë së Brendshme.
Në vend që të jenë në krah të policisë dhe ta mbështesin atë, së fundmi po ndodh e kundërta. Në vijën e parë nxirret AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ) jo për të garantuar ligjshmëri të drejtë, por për të ushtruar presion mbi efektivët. Kjo është absurde dhe e pakuptimtë, sepse këta policë nisen nga rrethet që në orët e para të mëngjesit, rreth orës 5:00, për të rrethuar perimetrin e sigurisë. Ata presin me orë të tëra nisjen e protestës, duke përballuar sharje, ofendime, gurë dhe molotovë që hidhen mbi trupat e tyre, pa pasur mundësi as të shkëputen për të ngrënë një byrek apo për të pirë një bidon ujë, shpesh në kushte që rrezikojnë seriozisht jetën e tyre.
Ndërkohë, AMP arrin deri aty sa t’u bëjë presion policëve pse kanë hedhur dietën e ushqimit prej 500 lekësh, duke injoruar faktin që ata kthehen në shtëpi vetëm në orët e vona të natës, shpesh të plagosur apo të ekspozuar ndaj helmimeve nga lëndët djegëse të përdorura gjatë protestave. Dhe këtu fjala duhet thënë hapur: Zoti Ministër, ju nuk mund të jeni më aty nëse nuk i mbroni ata që janë në vijën e parë.
Ju ushqimin e keni nga më të zgjedhurit, me kuzhinierë personalë, ndërsa protestën e ndiqni nga zyra, larg flakëve, gurëve dhe molotovëve. Policia nuk e përjeton shtetin nga kolltuku ajo e përjeton mbi trupin e saj, në rrugë, mes dhunës dhe rrezikut real për jetën. Kjo nuk është mbikëqyrje. Kjo është presion. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi. Dhe mbi të gjitha, kjo është braktisje e atyre që, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë të mbajnë rendin dhe sigurinë publike.
