Një adoleshent, i cili ka qenë në koma për gati një vit është zgjuar pa ditur gjë për pandeminë e shkaktuar nga Covid-19, pavarësisht se ai kishte qenë i prekur nga virusi dy herë. Sipas mediave të huaja, Joseph Flavill 19 vjeç, u përplas nga një makinë ndërsa ecte pranë shtëpisë së tij në Tutbury, Staffordshire më 1 mars, tre javë para se të fillonte bllokimi i parë kombëtar i Britanisë së Madhe.
Që atëherë ai ka kaluar gati 11 muaj në koma, por është në rrugën e rikuperimit, pasi është zgjuar dhe arrin të përgjigjet duke mbyllur sytë dhe duke buzëqeshur me të dashurit e tij. Adoleshenti, i njohur si Joe, po studionte në Akademinë de Ferrers në Burton, kur u përfshi në aksident vitin e kaluar.
Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Leicester, ku kaloi gjashtë muaj në koma, para se të transferohej në Adderley Green, një qendër rehabilitimi neurologjike në Stoke-on-Trent katër muaj më parë.
Gjatë asaj kohe ai është prekur nga COVID-19 dy herë, një ndërsa ishte ende në koma dhe përsëri pasi u zgjua, por në të dy rastet ai ishte shëruar. Siç bëhet e ditur, adoleshenti po përparon mirë pasi hapi sytë dhe në javët e fundit ai ka filluar të lëvizë gjymtyrët kur i thuhet ta bëjë këtë. Familjarja e tij Sally Flavill-Smith tha: “Në fillim hapte sytë, por ai nuk përgjigjej për asgjë, por gjatë javëve të fundit ai ka bërë hapa të mahnitshëm”.