Kryeministri në detyrë Albin Kurti vizitoi sot Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtinë, ku është njohur me gjendjen e rezidentëve të këtij institucioni të rëndësishëm për shoqërinë tonë. Pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, dhe duke e patur parasysh rrezikshmërinë e lartë që virusi Corona paraqet për të moshuarit, stafi drejtues dhe i përkujdesjes ka ndërmarrë veprimet e duhura dhe të menjëhershme për ruajtjen e shëndetit të të moshuarve rezidentë. Këto veprime përfshijnë dezinfektimin e hapësirave ku qëndrojnë dhe jetojnë të moshuarit, furnizimin e rregullt me mjete mbrojtëse dhe ndalimi në hyrje-dalje nga institucioni dhe ndalimin e vizitave familjarëve. Si rrjedhojë, asnjëri nga të moshuarit rezidentë dhe askush nga stafi nuk ka rezultuar i infektuar me COVID-19.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se shteti duhet të dëshmohet me të moshuarit, gratë dhe fëmijët dhe për këtë arsye të moshuarit dhe Shtëpia e Personave të Moshuar do ta kenë mbështetjen e tij dhe të Qeverisë në detyrë. Në kuadër të Shtëpisë për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare janë të strehuar dhe marrin shërbime 76 rezidentë, të cilët janë nën kujdes 24 orë nga një staf prej 58 vetash./KosovaPress/
