
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Evropian mbi Raportin e Komisionit të 2021 si dhe debatin shumë mbështetës e inkurajues të zhvilluar në seancën plenare ditën e sotme.
Përmes një postimi Balla shpreh falenderimet ndaj Raportueses së Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Isabel Maria Santos për prezantimin e gjetjeve objektive në lidhje me ecurinë e vendit vis a vis procesit të integrimit dhe apelin për mbajtjen e menjëhershme të Konferencës së Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian brenda Presidencës Franceze të Këshillit Evropian.
Balla gjithashtu shprehet se ishte surprizë e bukur fanella e kombëtares e mbajtur nga eurodeputeti Ciarán Cuffe, si një tifoz i mirëfilltë i Shqipërisë, të cilën ja ka dhuruar Balla.
“Falenderues edhe ndaj të gjithë eurodeputetëve të cilët mbështetën njëzëri domosdoshmërinë e përparimit në axhendën evropiane të Shqipërisë. Një surprizë e këndshme dhe e bukur ishte fanella e kombëtares e mbajtur nga eurodeputeti Ciarán Cuffe, si një tifoz i mirëfilltë i Shqipërisë”, tha Balla.
Edhe përfaqësuesi i Komisionit Europian, Didier Reynders , theksoi vendosmërinë në plotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, dhe kërkoi mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë sa më parë.