Categories Lajme

Iu gjetën probleme me pasurinë, KPK merr vendimin e papritur për prokuroren Bejko

KPK ka konfirmuar në detyrë prokuroren Dorina Bejko. Drejtuesja e Prokurorisë zë Pogradecit, Dorina Bejko u përball të  premten me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rivlerësimin kalimtar. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pasaktësi dhe mospërputhje për likujditetet dhe burimin e krijimit të disa pasurive, ndërkohë që Bejko u vlerësua pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin.

KPK konstatoi pasaktësi në pasqyrimin në deklaratën ‘veting’ të likujditetit me vlerë 5.3 milionë lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 72 m2 në Tiranë në vitin 2012. Zhegu shpjegoi se Bejko e kishte shënuar këtë vlerë në deklaratën “veting’, pavarësisht se kishte deklaruar pakësimin në vite për shkak të blerjes së një autoveture dhe shpenzimeve të tjera. “Komisioni konstaton pasaktësi në deklarimin e vlerës së likujditeteve në deklaratën veting, pasi në këtë periudhë nuk e dispononte për shkak se ishte shpenzuar në vitet e mëparshme,” pohoi Zhegu.

Në fjalën e saj, prokurorja Dorina Bejko shprehu vlerësim maksimal për hetimin e kryer nga Komisioni. Ajo u ndal shkurtimisht në gjetjet e KPK-së për pasaktësitë dhe mospërputhjet. Bejko tha se pasaktësia e konstatuar në deklarimin e likujditetit në vlerën 5.3 milionë lekë ka ardhur për faktin se në deklaratën veting duhej të pasqyroheshin gjithë pasuritë, përfshi edhe ato që ishin pakësuar. “Kam shpjeguar se këto likujditete kanë ardhur nga shitja e apartamentit në Tiranë dhe se janë përdorur për krijimin e pasurive të tjera. Edhe në deklaratat periodike kam shënuar se si janë pakësuar këto likujditete,” deklaroi Bejko.

Ajo këmbënguli se nuk ka pasur qëllim për të kryer deklarim të pasaktë, por që të ishte sa më e hollësishme në deklarime. Bejko kërkoi që vlerësimi i deklaratës veting të kryhej në harmoni me ato periodike. KPK nuk i ka konsideruar si burim krijimi për apartamentin e shitur të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga shitja e një trualli 1000 m2 nga familja e bashkëshortit dhe të ardhurat e këtij të fundit nga puna në emigrim.

Zhegu evidentoi mospërputhje midis vlerës së deklaruar si të përfituar nga shitja e truallit me sipërfaqe 1000 m2 në bashkëpronësi të bashkëshortit të prokurores Bejko, me atë të pasqyuar në kontratën noteriale të shit-blerjes. Sipas Zhegut, subjekti ka shpjeguar se trualli 1000 m2 është përfituar nga babai i bashkëshortit si trashëgimtar me vendim të Komisionit të Kompesimit dhe Kthimit të Pronave.

Zhegu tha se Bejko ka shpjeguar se blerësi ka paguar 5 milionë lekë si kapar që në vitin 2004 dhe se bashkëshorti ka përfituar 2/5 pjesë takuese, si dhe pjesën e nënës së tij. Subjekti ka shtuar se është dakordësuar që të gjitha veprimet do të kryheshin prej vëllait të bashkëshortit. Relatorja Zhegu sqaroi në seancë se në kontratën noteriale të shit-blerjes, çmimi i truallit ishte shënuar 500 mijë lekë. Komisioni nuk e ka konsideruar pretendimin e subjektit se vlera 500 mijë lekë e pasqyruar në kontratë ka qenë një gabim i noterit dhe se kjo shumë ishte diferenca mes çmimit të shitjes 5.5 milionë lekë dhe paradhënies 5 milionë lekë.

Gjithashtu, u evidentua se nuk ishin paguar detyrimet për çmimin përfundimtar vlerën 5.5 milionë lekë në kohën reale. Por Zhegu tha se subjekti ka dorëzuar dokumente dhe shpjegime që do të shqyrtohen gjatë vendimarrjes përfundimtare. Bejko në fjalën e saj kërkoi që për blerjen e apartamentit në Tiranë të merren në konsideratë të ardhurat nga tjetërsimi i pasurisë së trashëguar, truallit 1000 m2. Ajo shpjegoi se në qershor të vitit 2004, vjehrri ka qenë në dijeni të finalizimit të përfitimit të truallit dhe kanë nisur bisedimet me blerësin. Sipas saj, vlera e parapaguar ka qenë 5 milionë lekë dhe secili nga anëtarët e familjes së bashkëshortit ka përfituar 1/5-ën, nga 1 milionë lekë.

“Më pas kur është nënshkruar kontrata, duket qartë se është finalizimi i gjithë transaksioneve të kryera më parë. Pasqyrimi i shumës 500 mijë lekë është gabim i noterit,” këmbënguli Bejko. Ajo tha se në momentin që bashkëshorti dhe prindërit ishin vënë në dijeni se vëllai nuk kishte paguar gjithë detyrimin tatimor, e kishin realizuar vetë pagesën, duke shlyer edhe penalitetet.  “Vërtetohet se kanë marrë 5.5 milionë lekë dhe jo 500 mijë lekë siç pasqyrohet në kontratë. Nuk ka logjikë ekonomike që trualli 1000 m2 të shitej për 500 mijë lekë,” pohoi Bejko. “Kërkoj të merren në shqyrtim gjithë aktet, të cilat krijojnë bindjen se justifikojnë burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave,” shtoi ajo.

Prokurorja tha gjithashtu se kishte vendosur në dispozicion dokumentacion që provonte se bashkëshorti kishte përfituar nga puna në Greqi të ardhura në vlerën 2.8 milionë dhrahmi, një pjesë e të cilave kishin shërbyer si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë. Lidhur me pagesën e detyrimeve në shtetin grek, Bejko pohoi se kishte qenë detyrim i punëdhënësit. Ajo u shpreh se kishte bindjen se ishin paguar edhe detyrimet, por shtoi se nuk kishte siguruar dot dokumentacion nga institucionet e shtetit grek për shkak të gjendjes së shkaktuar nga COVID-19.

Mospërputhje u identifikuan edhe për burimin e deklaruar për blerjen e një automjeti tip Audi në maj të vitit 2012 në shumën 7000 euro. Zhegu pohoi se si burim për këtë pasuri ishin deklaruar të ardhurat e përfituara nga parapagesa e shitjes së apartamentit në Tiranë në qershor të vitit 2012. Komisioni konstaton se apartamenti është shitur tre javë pasi është blerë automjeti dhe si pasojë, të ardhurat e përfituara nga shitja e banesës nuk mund të kenë shërbyer për makinën. Zhegu pohoi se nga shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti nuk është arritur të provohet se të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit kanë shërbyer për blerjen e automjetit tip Audi.

Prokurorja Bejko deklaroi në seancë se si burim krijimi për automjetin tip Audi ishte përdorur pikërisht parapagesa e marrë nga bashkëshorti për apartamentin e shitur në Tiranë në qershor të vitit 2012. Ajo pretendoi se ky qëndrim i saj mbështetej edhe nga deklarimi i blerësit. “Blerësi e ka pasqyruar hollësisht se kur është dhënë vlera e paradhënies. Edhe në vitin 2012 kam deklaruar se burim ishte paradhënia,” shpjegoi Bejko.

Ajo kërkoi që të merrej parashysh edhe marrëdhënia e posaçme që kishin pasur me blerësin, duke shpjeguar se ishin miq dhe kishte pasur mirëbesim.“Kam shpjeguar se si e kemi shpenzuar gjithë vlerën e përfituar nga shitja e këtij apartamenti. Lind pyetja se ku duhej ta kisha përdorur tjetër këtë shumë monetare të përfituar. Rezultoj me bilanc  pozitiv dhe mund të ishin deklaruar edhe të ardhurat e tjera, por kemi deklaruar situatën faktike,” theksoi Bejko dhe shtoi se kishte dorëzuar prova të mjaftueshme për të vërtetuar se burim krijimi për Audi-n ishin të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në Tiranë.

Komisioni nuk evidentoi probleme lidhur me disa troje të përfituara nga familja e bashkëshortit me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, në cilësinë e trashëgimtarëve.Gjithashtu, nuk janë gjetur probleme në likujditetet në cash si dhe për një shtëpi në fshat të ndërtuar në vitet ’60, të trashëguar nga bashkëshorti i subjektit prej prindërve të tij, si dhe disa parcela tokë arë të përfituara nga ligji 7501.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Fier/ Makina përplas këmbësorin, 71-vjeçari në gjendje të rëndë

Një aksident ka ndodhur në rrugën “Jani Bakalli”, në Fier. Një automjet ka përplasur këmbësorin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në krye të bandës shqiptarët, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit në Selanik

50 persona janë dënuar nga Gjykata e Apelit në Selanik për trafikim të lëndëve narkotike në ambientet e Universitetit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditi me send të fortë një grua pas sherrit për motive të dobëta, e pëson 51-vjeçarja, banuese në Vlorë

Policia e Fierit ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj një 51-vjeçareje, banuese në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Theu masën “Arrest në shtëpi”, pranga 26-vjeçarit

Arrestohet një 26-vjeçar në Fier, pasi akuzohet se theu masën e “Arrest në shtëpi”. Burime zyrtare…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zhduket 32-vjeçari në Tiranë

Një 32-vjeçar është zhdukur në Tiranë. Ka qenë babai i tij, 64 vjeç ai që…

LEXO ME SHUME