Lajme

Kolaudimi,Ndyshojnë rregullat, si do të bëhet kontrolli teknik nga ky muaj

Katër muajt që lamë pas dhe shtyja e afatit të kontrollit të automjeteve me Kodin e ri Rrugor do të ndihmojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor (DPSHTRR) të ndërtojë një mekanizëm të rreptë kontrolli.

Puna ka nisur që nga muaji tetor i 2020-ës, me fotografimin e mjeteve me probleme në rrugë, të cilat do t’u nënshtrohen kontrolleve të shumëfishta.

Ndërsa pjesa tjetër e makinave, kurdo që të paraqiten për kolaudim, hyn në “lupën” e katër trupave të kontrollit, për të parë nëse shërbimi është bërë si duhet e pa dhënë ryshfete.

Të gjitha detajet e shërbimit, që tanimë do të kryhet nga shteti, i ka sqaruar drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe, në një intervistë për “7pa5” në “Vizion+”. Kreu i transportit rrugor e bëri të qartë se lëshimet në kohë te pjesa e kolaudimit nuk nënkuptojnë mospagesën e detyrimeve të tjera, si taksat vjetore dhe siguracionet.

“Nëse taksat janë për t’u paguar në maj dhe shoferët nuk do të paraqiten në maj 2021 për të bërë kolaudimin sepse e bëmë çdo dy vjet, nuk duhen harruar pagesa e taksave në atë datë. Po erdhi fundi i vitit, grumbullohen dhe janë me kamatëvonesë. Gjithashtu, nuk duhet harruar në asnjë mënyrë që të rinovohet polica e sigurimit”

PROCESI I KONTROLLIT

Sajesat e përkohshme në automjete vetëm e vetëm për të kaluar klasën pranë pikave të kontrollit në kolaudim nuk do të bëjnë më punë, sipas Gonxhes. Edhe makinat me probleme që kanë qarkulluar deri më tani janë shigjetuar dhe do ta kenë punën pisk sapo të paraqiten për kontroll. “Procesi i kontrollit do të jetë shumë më cilësor. Nuk ka më vendosje gyp ajri mbrapa dhe e heqim.

Nuk ka më makina me stopa të thyer në rrugë. Që nga tetori ne po filmojmë dhe janë fotografuar të gjitha mjetet e parregullta në rrugë. Ata janë vënë të gjitha në një ‘listë të zezë’, të cilat sapo të takohen me kolaudimin, do të kenë një kontroll të disafishtë.

Kolaudimi në vetvete do të ketë katër trupa mobile, dy prej të cilave do të jenë të dedikuara për qendrat e kontrollit teknik, ku ne do të kontrollojmë veten tonë, për të parë a është bërë shërbimi si duhet apo nëse janë dhënë lekë për ta kaluar kontrollin.

Dy trupat e tjera do të jenë në lëvizje dhe do të bëhen me short në ato mjete që vizualisht do të ndalohen me rrugë për të bërë kontrolle të tjera”, sqaroi kreu i DPSHTRR, duke shtuar se qytetarëve iu jepet më shumë kohë jo për të lëvizur lirshëm me certifikatën e re të kontrollit teknik, por për t’u ndërgjegjësuar që nëse ka probleme mjeti, duhet ta rregullojnë, sepse monitorohen gjatë gjithë kohës.

“Kolaudimi do të jetë shumë herë më i rreptë, shumë herë më vështirë ta kalosh me lekë a me mik. Për këtë arsye u japim një kohë më të madhe qytetarëve që të rrisin vetëdijen e tyre. Ndërkaq, nuk do të kenë angari, nuk do të paguajnë, nuk do të ngelen në radhë. Iu përgjysmohen kostot, por duhet të jenë të përgjegjshëm”.

AFATI I RI

Çdo njeri që ka një fletë kolaudimi nga viti i kaluar, që nuk është refuzuar apo nuk e ka kaluar këtë proces, do të përfitojë edhe 12 muaj të tjerë me ligjin e ri. Për shembull, nëse dikujt i ka skaduar kolaudimi në 1 maj 2021 kur shërbimi ishte i pezulluar, duhet të paraqitet për kontroll 1 majin e 2022-shit përmes një sistemi rezervimi në “e-Albania”. E njëjta gjë edhe për muajt në vijim.

Veç kësaj, Gonxhe thekson se makina duhet të jetë në gjendje të rregullt, pavarësisht kohës kur i është nënshtruar procesit të kontrollit teknik. Gonxhe e bën të qartë se zgjatja e periudhës së kontrollit teknik të automjeteve nuk i shpëton shoferët nga përgjegjësia mbi mjetin, por është thjesht një përafrim me direktivat e Bashkimit Europian. “Ka nen të posaçëm në ligj që ju bën përgjegjës që gjendjen e automjetit në atë ditë.

Pra, kolaudimi nuk na çliron neve nga përgjegjësia që ne të dalim me gomën e shtrembër, të dëmtuar, me makinën që rrjedh ujë apo pa stopa, me pretendimin se e kemi bërë kolaudimin para dy vjetësh. Polici ju kap dhe dënon. Në një aksident që këto tregues përbëjnë shkak, atëherë jeni akoma më shumë përgjegjës, sepse provohet që kanë qenë para aksidentit”, deklaroi drejtori në intervistën për “Vizion plus”.

Janë një numër i vogël personash që iu ka skaduar afati i kontrollit në dhjetor të 2020-ës dhe nuk kanë arritur të shkojnë brenda datës 31 kur u mbyll si shërbim. Për ta aplikohet vetëm gjoba prej 1 mijë lekësh dhe përfiton shtyrje afati deri në dhjetorin e këtij viti.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
%d bloggers like this: