AIDSSH në kuadër të kurimit të së shkuarës ka nisur puna për gërmimin dhe zhvarrimin e të zhdukurve në diktaturë. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në zbatim në ligjit për bashkëpunimi për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të të zhdukurve dhe të të ekzekutuarve, si dhe masat për ruajtjen e vendvarrimeve ”dhe rolit në taskforcën e caktuar nga Kryeministri me urdhrin nr. 150, datë 11.11.2019 për ngritjen e Grupit ndërinstitucional të punës për hartimin dhe zbatimin e masave për kërkimin, identifikimin dhe kthimin në atdhe të eshtrave të shtetasit Italian Giuseppe Terrusi, AIDSSH po zhvillon takime për hartimin dhe ndjekjen e protokolleve të përshtatshme për identifikimin, gërmimin dhe zhvarrimin e të zhdukurve në diktaturë, në vendekzekutimet e raportuara.
“Hapi i radhës është konsolidimi i procesit, nëpërmjet përfshirjes së ekspertëve të fushës dhe asistencës përkatëse”, shprehet kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula. Një ditë më parë në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, filluan gërmimet në rrethinat e burgut të Burrelit. Gërmimet filluan në Burrel, në pjesën e jashtme të burgut tek vendi i quajtur “Qershia” për eshtrat e italianit Giussepe Terrusi dhe shumë viktimave të komunizmit.
Bankieri italian ishte viktimë e regjimit komunist në Shqipëri pasi u burgos në Burrel, dhe me insistimin e djalit të tij, Aldo Renato Terrusi dhe tashmë po synohet që të gjenden eshtrat për t’u rikthyer në Itali pas disa dekadave. Afër burgut të Burrelit dyshohet se janë eshtrat e shumë të burgosurve politikë që vdiqën gjatë regjimit komunist duke vuajtur dënimet e asaj kohe.